Galop i frikshem i HIV/AIDS ne Shqiperi?!

Galop i frikshem i HIV/AIDS ne Shqiperi?!

Diagnostikimi i 58 rasteve të tjera të sëmundjes vetëm më 2013 ka ngjallur frikën reale se përmasat e HIV/AIDS janë shumë të përhapura në Shqipëri. A po duket se ka ardhur koha për një diagnostikim të gjithë popullatës, kjo do ende shumë kohë të verifikohet! Problemi më i madh sot, duket ndërprerja e financimeve nga Fondi Global për të sëmurët realë dhe përballja me sëmundjen në të ardhmen...

Vdekja e dy fëmijëve me HIV/AIDS dhe diagnostikimi i katër rasteve të fëmijëve të tjerë me HIV pozitiv në javët e fundit ka sjellë një gjendje alarmi të njerëzve dhe strukturave që lidhen me këtë komunitet. Që nga viti 1993, kur u diagnostikua rasti i parë dhe duke vijuar deri më tani një armatë e tërë prej 600 vetësh përmbajnë virusin vdekjeprurës, i cili ka shkaktuar shumë të vdekur, por më shumë se kaq me tendencën e viteve të fundit, e ka bërë shoqërinë të mendojë mirë për pasojën e frikshme. Olimbi Hoxhaj, gruaja aktiviste e këtij komuniteti, që lufton prej vitesh në dy plane me sëmundjen: njërin në aspektin personal dhe tjetrin shoqëror është e hapur dhe apelon fort: Ka ardhur koha që pos të tjerave të mendojmë për krijimin e një programi të parandalimit të transmetimit të HIV-it nga nëna tek fëmija. “Përderisa edhe sot ne ende kemi raste të fëmijëve që lindin të infektuar  nga nëna HIV pozitive që nuk e njohin statusin e tyre shëndetësorë para ose gjatë shtatzanisë do të thotë që kemi mungesa në këtë drejtim, në politikat në parandalimin e transmetimit të virusit HIV nga nëna tek fëmija dhe duhet risjellë në vëmendjen e politikbërësve”.
Por, nuk është e thënë se apelet kanë aftësi të ndryshojnë ndonjë gjë të madhe. Pasi shqetësimi më i madh, sot, mbeten realitetet e reja për shkak të HIV-it dhe ndërprerjes së financimeve për të. Kjo të bën të mendosh se të gjithë ato struktura, që merren me sëmundje, tashti duhet të mendojnë për burimet e reja të subvencionit të ilaçeve të sëmundjes. Këtë nuk e mësojmë dot nga znj. Hoxhaj, por aman mësojmë se vitet në vazhdim do të jenë vendimtare për Shqipërinë.

 

Që do të thotë se jemi në situatë emergjence dhe se duhen krijuar tani e tutje mundësi për përgjigje dhe ndërhyrje të koordinuara kombëtare për të parandaluar mungesën e medikamenteve ARV për fëmijët HIV pozitiv , të cilat shkaktojnë ndërprerje të rrezikshme të trajtimit dhe cenojnë jetën dhe minojnë besimin që personat HIV pozitiv kanë ndaj ofruesve të shërbimit shëndetësor dhe sistemit shëndetësor, duke përdorur fjalët e saj. Çështja është më e mprehtë kur mendon se rreziku i ndërprerjes së financimeve prej mbylljes së mbështetjes nga Fondi Global dhe ndërprerjes së shërbimeve do të na përballin direkt me rrezikun e shpërthimit të epidemisë së HIV/AIDS-it, Hepatiteve, si dhe infeksioneve apo sëmundjeve të tjera shoqëruese, jo vetëm në grupet e rrezikuara por dhe në popullatën e përgjithshme, veçanërisht tek të rinjtë. “Vazhdimësia në ofrimin e Medikamenteve ARV kursen jetët e njerëzve që jetojnë me HIV dhe zvogëlon madhësinë e epidemisë së HIV-it, njerëzit do të qëndrojnë aktivë dhe të aftë për punë për më të gjatë dhe do të ketë më pak infektime të reja.  për të garantuar Shëndet Pozitiv, Dinjitetit dhe Parandalim”, thotë gruaja.


Nuk dihet se për kë duhet të bien këto kambana por ministrat e fundit të shëndetësisë kanë qenë kukulla të kurdisura keq, të cilët jo vetëm s’kanë menduar për problemet e shëndetësisë në përgjithësi, por edhe ato të sëmundjeve specifike në veçanti. Ndaj Motoja e OKB-së: Deri më 2015 Të shkojmë drejtë ZERO- Infeksione  Të REJA me HIV, ZERO- DISKRIMINIM, ZERO- VDEKJE NGA AIDS-i  është një utopi e bukur në vendin tonë, të cilën do ta kujtojmë kur të përballemi realisht me problematikën e majisur të HIV/AIDS në Shqipëri.
 
 
Jemi para rrezikut të epidemisë së HIV/AIDS prej mungesës së fondeve


Olimbi Hoxhaj, drejtoreshë e Rrjetit Shqiptar të Personave që jetojnë me HIV rrëfen për ‘JAVA’ situatën e rëndë të këtij komuniteti para mbylljes së mbështetjes nga Fondi Global dhe ndërprerjes së shërbimeve...
 
Si paraqitet gjendja e sotme e komunitetit të prekur me HIV/AIDS?


“Besoj edhe ju jeni njohur me të dhënat e fundit të publikuara në media ku referohen shifrat e fundit zyrtare për vitin 2013. Më konkretisht janë 58 raste të reja të diagnostikuara gjatë periudhës Janar- Maj 2013. Një shifër relativisht  e lartë, krahasuar me vitet e mëparshme. Problematikat vazhdojnë të ekzistojnë përderisa ende nuk kemi ndërtuar një sistem funksional dhe të mirëadresuar ndaj nevojave të komunitetit për trajtim me medikamente dhe shërbime shëndetësore, kujdes dhe mbështetje. Ne konceptin e sotëm parandalim përveç zbatimit të politikave dhe programeve ndërhyrëse në komunitet dhe grupet e riskut , do të thotë edhe akses për medikamente Antiretrovirale anti HIV  dhe medikamente te tjera  për Infeksionet Oportuniste, me shumë fëmije të shëndetshëm, të lindur nga nëna HIV pozitive nëpërmjet ofrimit te shërbimeve te parandalimit te transmetimit te HIV nga nënat HIV pozitiv tek fëmijët, kujdesi cilësor klinik, ofrimi i kujdesit në shtëpi, kujdesi në fund të jetës, udhëzues për mënyrën e ushqyerjes, mbështetja psikologjike,me shume informim përfshirë ad’herencen, efektet anësore dhe rezistencën ndaj medikamenteve,me shume informacion për ata qe janë tashme te infektuar, për te mbrojtur veten nga riinfektimi , njëkohësisht për te adaptuar sjellje te sigurta ndaj te tjerëve dhe te jetuarit pozitivisht. Jemi ende larg të themi se i kemi ngritur dhe garantuar këto mundësi ‘të arta’ që ekzistojnë sot për komunitetin tonë”.
 
Ju personalisht keni bërë një luftë të madhe për prezantimin e problematikës në stade të ndryshme dhe në institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Sa sensibël është gjendja e sotme e komunitetit para institucioneve shqiptare?


“Në vazhdimisht i kemi bërë  thirrje dhe kemi tërhequr vëmendjen e Institucioneve Kombëtare rreth situatave serioze me të cilat do të  përballemi për shkak të HIV-it dhe ndërprerjes së financimeve për të. Vitet në vazhdim do të jenë vendimtare për Shqipërinë. Ne kemi kërkuar vëmendjen e institucioneve për të mbështetur përpjekjet tona për të shmangur një situatë më të rrezikshme në të ardhmen. Në këtë situatë urgjente lind nevoja për përgjigje dhe ndërhyrje të koordinuara kombëtare për të parandaluar mungesën e medikamenteve ARV për fëmijët HIV pozitiv , të cilat shkaktojnë ndërprerje të rrezikshme të trajtimit dhe cenojnë jetën dhe minojnë besimin që personat HIV pozitiv kanë ndaj ofruesve të shërbimit shëndetësor dhe sistemit shëndetësor,
Rreziku i ndërprerjes së financimeve pas mbylljes së mbështetjes nga Fondi Global dhe ndërprerjes së shërbimeve do të na vendosi përballë rrezikut të shpërthimit të epidemisë së HIV/AIDS-it, Hepatiteve, si dhe infeksioneve apo sëmundjeve të tjera shoqëruese, jo vetëm në grupet e rrezikuara por dhe në popullatën e përgjithshme, veçanërisht tek të rinjtë. Vazhdimësia në ofrimin e Medikamenteve ARV kursen jetët e njerëzve që jetojnë me HIV dhe zvogëlon madhësinë e epidemisë së HIV-it, njerëzit do të qëndrojnë aktivë dhe të aftë për punë për më të gjatë dhe do të ketë më pak infektime të reja.  për të garantuar Shëndet Pozitiv, Dinjitetit dhe Parandalim.


Duke pasur në qendër  të vëmendjes zbatimin e motos së Kombeve të Bashkuara deri në 2015 Të shkojmë drejtë ZERO- Infeksione  Të REJA me HIV, ZERO- DISKRIMINIM, ZERO- VDEKJE NGA AIDS-i  dhe garantimit të të drejtave të njeriut në përgjigjen ndaj HIV-it janë të domosdoshme veprime të përqendruara dhe të bashkërenduara kombëtare...(Zonja rendit disa të tilla syresh)”.
 
Para pak kohësh shtrohej një shqetësim për numrin në rritje të komunitetit. A po mendon se ka ardhur koha për një testim kombëtar?


“Nëpërmjet bashkëpunimit dhe mbështetjes ndërkombëtare dhe rritjes së shkallës së koordinimit duke përdorur strategji të provuara tashmë parandaluese dhe trajtuese, dhe duke zbatuar strategji kombëtare të koordinuara dhe efektive ne mund të shmangim situata me numër të lartë infektimesh te reja, vdekjesh dhe një prevalencë të lartë të HIV-it. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe mbështetjes së dyanshme, ndarjes së informacionit, rritjes së kapaciteteve njerëzore dhe koordinimit të programeve dhe masave ndërhyrëse të Institucioneve Shtetërore dhe Aksionit Civil, bëhet e mundur të kapërcejmë pengesat për të pasur një trajtim dhe kujdes cilësor, gjithëpërfshirës dhe programe parandaluese si dhe ndërhyrje të suksesshme e shërbime efektive për të shmangur një situatë më të rrezikshme në të ardhmen dhe për ta mbajtur Shqipërinë vend me prevalencë të ulët të HIV-it.

 

Viti i fundit përveçse shënoi edhe shifrën më të lartë vjetore të raportuar ndonjëherë, që nga shfaqja e HIV/AIDS në vendin tonë (1993)  tek të rriturit por përmendim edhe diagnostikimin e 4 rasteve të reja tek fëmijëve si HIV pozitiv dhe vdekjen e dy fëmijëve nga AIDS-i po për këtë vit. Kjo shtron si detyre emergjente, krijimin e një programi të parandalimit të transmetimit të HIV-it nga nëna tek fëmija. Përderisa edhe sot ne ende kemi raste të fëmijëve që lindin të infektuar  nga nëna HIV pozitive që nuk e njohin statusin e tyre shëndetësorë para ose gjatë shtatzanisë do të thotë që kemi mungesa në këtë drejtim, në politikat në parandalimin e transmetimit të virusit HIV nga nëna tek fëmija dhe duhet risjellë në vëmendjen e politikbërësve. Sot ekzistojnë të gjitha mundësitë që një nënë e infektuar të sjell në jetë një pasardhës të shëndetshëm duke shmangur të tria rrugët e transmetimit të këtij virusi tek bebja e ardhshme dhe këtë duhet ta arrijmë sa me parë. Jemi të vonuar. Këto raste në rritje tregojnë nevojën që kemi për një program të mirëndërtuar, për një sistem bashkëpunimi e referimi funksional dhe të institucionalizuar ndërmjet shërbimeve që ofrojnë këshillim dhe testim për gratë shtatëzana, shërbimet e kujdesit dhe trajtimit për ata që tashmë  janë të infektuar si edhe ofruesit e shërbimeve për nënat shtatëzan dhe bebet  e porsalindura”.
 
Nga ajo qe dini, a ka zhvillime pozitive në botë në lidhje me këtë semundje?


“Po sigurisht po ecet në përmirësimin e medikamenteve ARV, zvogëlimin e efekteve anësore të tyre në organizëm, krijimin e kombinimeve të reja tre në një që lehtëson marrjen e medikamenteve nga personat në terapi dhe aprovimin e medikamenteve të reja. Ndërsa përsa i përket parandalimit ende nuk kemi një vaksinë të aprovuar në parandalim por të rejat e fundit kanë në fokus te tyre përdorimin e disa prej medikamenteve ARV për parandalimin e infektimit me HIV tek popullata e shëndetshme. Sigurisht kjo duhet të shoqërohet me informim gjerësisht të popullatës për kushtet kur duhet te përdoren, mënyrën e marrjes se këtyre medikamenteve etj”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama