Fryte te vona por te embla

Fryte te vona, por te embla

Rreth librit “ Frymëmarrja e një gruaje” të Violeta Librazhdi-Katzadeit shkruajnë koleget dhe dashamiret e saj

Sa herë, gjatë shumë viteve të njohjes e miqësisë sonë me Letën (siç e thërrasim me përkëdheli Violetën) kënaqeshim së diskutuari për librat e shumtë që ajo i lexonte dhe i komentonte aq bukur, po edhe me rrëfimet (a më saktë: rrëfenjat) e saj që ajo i tregonte me një ironi dhe vetironi të atillë që bënin të shkuleshin së qeshuri edhe të vdekurit, prandaj edhe i thoshim gjithmonë:


“Moj Leta, pse nuk i shkruan këto gjëra kaq të bukura që na i thua neve?” Këtë konstatim, me siguri, do t’ia kenë shprehur, në mos me gojë, së paku me mendje, edhe ish-nxënësit e saj të shumtë, të cilëve ajo u ka dhënë gjuhë shqipe e letërsi shqiptare në Shkollën e Mesme  të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”.


Një ditë, p.sh., teksa pinim kafe në “Karlsberg”, ia behu zoti Besnik Mustafa, shkrimtar e politikan  i njohur, i cili na u afrua dhe me mirësjellje kërkoi ndjesë që na ndërpreu bisedën për t’i puthur dorën me respekt ish-mësueses së tij të mirë.


Ai, madje, sikundër shohim në libër, me rastin e botimit të “Frymëmarrja e  një gruaje” ka shprehur edhe vlerësimin e tij si shkrimtar për këtë tufëz esesh dhe skicash mbresëlënëse, si më poshtë:


“Me dy fjalë po ju them vetëm se ju hidhni mbi vete në këtë rast një dritë që e keni pasur gjithmonë dhe që nuk është zbehur aspak me kalimin e viteve. Është  një dritë e mrekullueshme dashurie për njerëzit që ju kanë rrethuar e ju rrethojnë, që në fakt është dashuri e pashtershme për jetën. Ju nuk keni pasur fare nevojë ta lodhni imagjinatën.E keni lënë zemrën të flasë. Unë dëshiroj me këtë rast të falënderoj zemrën tuaj që është treguar kaq e fortë sa të mos pranojë asnjë pikë hidhësirë.” (Besnik Mustafaj)


Befasinë e këndshme për këto fruta të vona, por aq të ëmbla e të mirëseardhura të Violeta Librazhdi-Kadzadeit e kanë shprehur edhe disa emra të tjerë të botës së letrave, shoqe  e shokë të saj të vjetër, si studiuesja Rozeta Uçi,  shkrimtari Agim Cerga në recensionet e tyre vlerësuese që jepen në hyrje të librit.


E si mund të mbeteshim pa i thënë dy fjalë përgëzuese edhe unë e Sonja, a nuk jemi edhe ne ato që me autoren kemi ngrënë një thes me kripë, kemi miqësi të hershme familjare dhe, gati njësoj si vetë ajo që i ka bija, Nevilën e Brikenën, u gëzohemi  edhe ne sukseseve të tyre, po edhe të mbesave e nipave të Vilotetës: Boranës, Nersës, Mariusit e Endrit.


Në fakt ata janë personazhet e skicave e vjershave të këtij vëllimi, ku jetësorja dhe personalja, me një zotësi vërtet mahnitëse, shkrihen me të përgjithshmen e universalen e një bote e zemre të një gruaje të kulturuar, të ditur e fjalë-bukur.


Dëshira për të shkruar disa rreshta përgëzues e me fjalë miradije për shoqen tonë të dashur, Violetën, na kishte lindur  qysh kur pat dalë para lexuesve me librin e saj të parë ”E papërsëritshmja Vaçe” (Shtëpia botuese “Saras”, 2014), një libër xhepi i shkruar bukur dhe plot ndjenja të shoqërisë e miqësisë së saj me “Artisten e Popullit” Vaçe Zela, me të cilën Leta edhe është rritur në qytetin e Lushnjës, për ta vazhduar miqësinë e tyre të bukur edhe në Tiranë.


Nuk shkruam, sepse ngurronin nga droja se nuk na takonte neve, dy mësuese letërsie, të shkruanim e të shprehnim vlerësime për një libër që kishte si figurë jetën e vlerat e një këngëtareje të madhe si Vaç Zela. Mendonim dhe prisnim që të shkruanin  e ta vlerësonin librin ata që merren mirëfilli me këngët e me artin e muzikën e që, natyrisht, edhe Artisten tonë të Madhe, ikonën e muzikës së lehtë shqiptare, e kanë njohur e mund të kishin më shumë kompetencë për vlerësime e  cilësime të punës e ndihmesës që sjell Violeta në atë libër. 


Për librin ”E papërsëritshmja Vaçe” ka pasur shkrime dhe vlerësime, por mbi të gjitha libri është lexuar me ëndje dhe është pëlqyer nga ata që e kanë njohur  dhe adhuruar Vaçe Zelën, por  ndoshta duhej të kishte pasur edhe më shumë pohime e vënie në dukje të ndjenjave e miqësisë aq të  bukur , të thjeshtë e të çiltër midis dy shoqeve (në fakt simotrave): një artisteje të madhe të këngës shqiptare dhe një mësueseje modeste, por gjithashtu meritore e të madhe në profesionin e  vet, të cilat, si Nisi e Euriali te “Eneida“ e Virgjilit, kaluan që nga fëminia e deri sa Vaçja u nda së gjallësh, me miqësi e dashuri të çiltër e kurdoherë të fortë e të përzemërt.


Shihet kjo edhe në  fotot shumë domethënëse që shoqërojnë librin ”E papërsëritshmja Vaçe”, të cilin e shfletojmë shpesh dhe si të thuash edhe çmallemi me Vaçen, po edhe na rritet respekti e vlerësimi për  Violetën dhe shijojmë fruta e vonë, por të shijshëm të një gruaje me kulturë të mirë shkrimtarie.


Dhe ja, hera e mbarë e pruri që, pas librit të parë, të vogël në sasinë e faqeve, por të vyer e të rëndësishëm me përmbajtjen e tij, Violetës iu mbush mendja, më në fund, të vazhdojë me një  libër tjetër: “Frymëmarrja e  një gruaje”,  edhe ky  i hajthëm e rreshtapakët, por plot ndjesi të këndshme, me  “gjurmë jete”  e fryte të një dashurie të pastër prej motre, për Bardhën, së cilës ia pohon aq këndshëm të mirat e virtytet me të cilat ishte e brumosur;  të një dashurie prej  nëne për dy bijat e saj, Nevilën e Brikenën, pastaj edhe të një gjysheje  të përgjëruar për nipat e mbesat, emrat e të cilëve janë, në thelb, “shenjtorët” e gjallë të skicave,  eseve dhe poezive të këtij vëllimi.


Le ta shfetojmë së bashku, lexues të nderuar, këtë librush të pakët në faqe, por edhe aq të shijshëm e me lëng si një pjeshkë. Autorja e çel librin me fjalët “Të shtrenjtave të mia: Nevilës, Brikenës dhe familjeve të tyre”, pastaj na shfaqet një si “prolog” aq i thjeshtë e i natyrshëm, por edhe prekës e kredo-gdhendës me titullin “Ç’do të doja...”, ku  ajo pohon madhërishëm e përvujtërisht:


“Nëse për mua do të mendojnë se:


Kam qenë bijë mirënjohëse,
Kam qenë bashkëshorte e mirë,
Kam qenë nënë e përkushtuar,
Kam qenë motër e dhëmbshur,
Kam qenë shoqe e dashur dhe
Kam dashur gjithnjë të mësoj,
Atëherë do të thosha kam jetuar...”

 

Na mbeten në mendje  skicat dhe esetë plot ndiesi dhe dukuri të një bote që ka perënduar, të viteve tashmë të largëta, por që kanë lënë vragë në shpirtin e autores, po edhe të çdo shqiptari, si “Pas 45 vjetësh”, Byzylyku i artë”, “Profesioni”, “Palltoja e qumështit”, “Profesori dhe Akropoli”, “Dialog i trishtë” dhe mjaft të tjera.


Gjejmë në këtë libër ese dhe skica  me tematikë të zgjedhur mirë, me fakte, mbresa dhe imtësi artistike  e të shkruara me dorë të sigurtë, që, ndonëse janë shkruar në kohën kur autorja është tashmë një mësuese në pension, do të ishin të vlefshme për t’u përfshirë me dinjitet në librat e shkollave tona, në tekstet e gjuhës shqipe si copëza për analizë gjuhësore dhe si modele të të shkruarit thjesht, bukur dhe pa poza. Këtë cilësi të librit ka pasur parasysh edhe i madhi Besnik Mustafa, i cili e mbyll vlerësimin e tij me këto fjalë kuptimplota:  “Sa për cilësinë e gjuhës, nuk kam ç’të them: ajo është shqipja e Violeta Librazhdit.”
Tiranë, 5 mars 2015


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama