Frroku Didi Dorehiqem! Nuk parandalova fshehjen e dosjes belge

'Frroku', Didi: Dorehiqem! Nuk parandalova fshehjen e dosjes belge

Në kërkesën zyrtare për dorëheqje që kryepolici Artan Didi i paraqiti ministrit Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama sqaron arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi të papritur.

Shkelja që dy drejtuesit e lartë të Interpolit që bënë duke fshehur kërkesën e autoriteteve belge për arrestimin e deputetit Frroku me akuzën e vrasjes, për Didin është një ngjarje e papranueshme e cila ka cenuar imazhin e Policisë së Shtetit.

Ndonëse ishte po Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që siç shprehet Didi, korrigjoi gabimin duke vënë përpara përgjegjësisë penale shefin e Interpol Tirana Artan Bajraktari dhe oficeren operatore Laureta Alla, për të mbetet i papranueshëm fakti që nuk e parandaloi shkeljen e ligjit.
 
“Modelin e punës që u mundova të fus në institucion po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke dhe të asaj pritshmërie që kanë të tjerët për punën e institucionit që t’i drejton. Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe të shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cenoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin.Për këtë arsye, duke vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, duke e vlerësuar që nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Punonjësit e ndershëm të policisë të më gjykojnë për këtë vendim!”, shkruan Didi në kërkesën për dorëheqje drejtuar ministrit Tahiri dhe kryeministrit Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama