Forcat e punes Papunesia ulet me 1.3 perqind punesimi rritet me 10.6 perqind 104 mije punonjes me shume

Forcat e punes Papunesia ulet me 1.3 perqind, punesimi rritet me 10.6 perqind, 104 mije punonjes me shume

INSTAT: Më tepër vende të reja u hapën në ndërtim, shërbime dhe tregti   

Të punësuarit – Numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.039.545 persona. Krahasuar me tremujorin e katërt 2014 për popullsinë 15-64 vjeç: Numri i të punësuarve u rrit me 210 persona.

Të papunët – Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 217.647 persona. Krahasuar me tremujorin e fundit 2014, numri i personave të papunë ka rënë me 9.760.

Gjatë tremujorit të parë 2015, sipas Anketës së Forcave të Punës të INSTAT, papunësia arriti në 17.3%, me një ulje vjetore 1.3%. Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 52,1%, me një rritje 10,6% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014, ndërsa në raport me tremujorin pararendës, nuk ndryshoi. Sipas INSTAT, numri i të punësuarve është rritur me 103.945 persona.

Punësimi

Shkalla e punësimit të të rinjve është 28,9%, ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç është 64,4%. Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i katërt 2014 në tremujorin e parë 2015 është: 3% në sektorin e shërbimeve jo të tregut; 2,4% në bujqësi; 1,9% në aktivitetet e industrisë nxjerrëse, energjisë, gazit dhe furnizimit me ujë. Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet e ndërtimit me 2,3%; në industrinë përpunuese prej 5,3%; dhe me 0,8% në sektorin e shërbimeve të tregut. Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët: ndërtim me 21,7%; shërbime jo të tregut me 12%; shërbime të tregut me 9%; industri përpunuese me 11%; bujqësi me 9,9%. Në terma vjetorë, punësimi pësoi një rënie prej 3,4% vetëm në grup-aktivitetet e industrinë nxjerrëse, energjisë, gazit dhe furnizimit me ujë.

Papunësia

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014, për popullsinë 15-64 vjeç numri i personave të papunë është rritur me 3.279. Në raport me fundin e vitit 2014, vihet re një rënie e shkallës së papunësisë prej 0,7 pikë përqindje, ndërsa në krahasimin vjetor, papunësia është ulur nga niveli 18.6% që ishte në tremujorin e parë 2014. Gjatë tremujorit të parë, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 217.647 persona. Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë është më e lartë për meshkujt (17,7%) sesa për femrat (16,8%).

 

Për meshkujt, shkalla e papunësisë ka pësuar një rënie prej 1,7 pikë përqindje, ndërsa për femrat ka një rritje prej 0,7 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 23% ose 5,7 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 18,6%. Ndërsa, për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9-vjeçar shkalla e papunësisë është përkatësisht 13,3% dhe 14,5%. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 34,1%.

 

Krahasuar me tremujorin e katërt 2014, shkalla e papunësisë për të rinjtë u ngjit me 0,2 pikë përqindje. Për grupin tjetër të popullsisë 30-64 vjeç shkalla e papunësisë është 12%. Për sa u përket mënyrave të kërkimit për punë, 87,5% e të papunëve u drejtohen të afërmve apo shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit është e kombinuar dhe me aplikimin direkt te një punëdhënës (45,4%) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune të njoftuara në media. Personat e moshës 15-64 vjeç që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 55,8% të punëkërkuesve të papunë.

 

Ndërkaq, është rritur popullsia ekonomikisht joaktive. Numri i personave të moshës 15-64 vjeç jashtë tregut të punës dhe që nuk po kërkojnë punë ose nuk janë të gatshëm për të punuar është 737.673. Krahasuar me tremujorin pararendës, numri i personave joaktivë është rritur me 1,6%. Shqetësues është fakti se, për grupmoshën 30-64 vjeç numri i personave ekonomikisht joaktivë është rritur me 3,9%. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014, popullsia ekonomikisht joaktive është reduktuar me 11,9%.

 

Popullsia e moshës 15-64 vjeç e klasifikuar si ekonomikisht joaktive përbën 37% të popullsisë në moshë pune. Sipas INSTAT, 17,4% e popullsisë ekonomikisht joaktive e moshës 15-64 vjeç është duke përmbushur detyrat shtëpiake. Nga anketa rezulton se 13,2% e kësaj kategorie janë në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 8,8% janë në paaftësi të përhershme.

 

12,8% e këtyre personave janë të papunë të dekurajuar. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 70,1% të të rinjve ekonomikisht joaktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht joaktivë, 10,2% klasifikohen si të papunë të dekurajuar, ndërsa në popullsinë më të rritur të moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 15,7%.



 

Klasifikimi

Vetëm 42.2% e të punësuarve janë me pagesë



Gjatë tremujorit të parë 2015, pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42,2%. Të vetëpunësuarit (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 26,3% të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 31,5% të punësimit total. Shkalla e punësimit (grup-mosha 15-64 vjeç) është më e lartë për të punësuarit me arsim të lartë (65,5%) pasuar nga ata me arsim profesional (65,3%).

 

Gjatë tremujorit të parë 2015, 41,1% e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22,6% e tyre punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme).

 

Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 18% të punësimit total. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 9% të të punësuarve gjithsej.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama