Revista “Forbes” e rendit Shqipërinë në vendin e 69 sa i përket lehtësisë së të bërit biznes. Ndërsa sa i përket barrës së taksave, vendi ynë mbetet i 109-it që prej 2011-ës, revista sheh një përkeqësim të burokracive ndaj biznesit. Vendi ynë ka nivelin më të ulët të të ardhurave nga taksat në rajon.
Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me barrën më të lartë të taksave në rajon, në raportin e fundit të Forbes, “Vendet më të mira për të bërë biznes”, por ajo që e ka ulur rankimin e Shqipërisë është indeksi i burokracisë dhe presionit mbi biznesin (red tape) që sipas revistës është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa të dhënat e tjera janë të pandryshuara nga viti i shkuar. Ndërkohë megjithë operacionin kundër evazionit ne mbetemi vendi me mbledhjen më të ulët të taksave në rajon. Vendi ynë në total ishte në pozicionin e 69 ndër 144 vende që është një përkeqësim me gati 20 vende nga viti 2014, edhe pse mbetemi ende nën rekordin negativ të 5 viteve të fundit që u shënua në 2013 vendi i 81-të.
Ndërkohë prej vitit 2011 Forbes e rendit Shqipërinë në vendin e 109, nga 144 shtete, sa i përket barrës së taksave mbi biznesin, po ashtu Shqipëria mbetet në të njëjtat pozicione sa i përket aftësisë së saj të mbledhjes së taksave. Ajo renditet pas Maqedonisë, që ka vijuar përmirësimin e përvitshëm duke kaluar nga e 14 në vendin e shtatë në botë për barrën e taksave, Kroacisë e 34-ta, Rumanisë-50-ta, Malit të Zi i 55-ti, Bullgarisë e 72-ta. Vetëm Serbia e 110-ta dhe Bosnje Hercegovina e 119-ta renditen më keq se Shqipëria sa i përket barrës së taksave dhe në renditjen totale. Por këto dy të fundit janë disa herë më lart se vendi ynë sa i përket të ardhurave në buxhet prej taksave. Shqipëria sipas Forbes mbetet vendi me nivelin më të ulët në rajon të të ardhurave nga taksat. Me 24-25% të të ardhurave nga taksat në raport me prodhimin e përgjithshëm (PBB), Shqipëria është 10 për qind më ulët se mesatarja rajonale dhe ajo e vendeve të BE-së (rreth 35%, sipas Eurostat) dhe për më tepër mbledh më pak para në buxhet edhe se Maqedonia, që ka barrën më të ulët në rajon (kjo e fundit e ka këtë tregues 28-29% të PBB-së). Bosnja dhe Serbia mbledhin përkatësisht 44% dhe 35-36% të PBB-së, sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga FMN.
Sipas të dhënave krahasuese të nivelit të taksave nga Banka Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%. Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi. Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%. Serbia dhe Shqipëria kanë nivelin më të lartë të taksës mbi korporatat në 15%. Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.
Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi (shih tabelën në fund).
Dy vitet e fundit, ndonëse barra e taksave është rritur në Shqipëri (tatim fitimi nga 10 në 15% nga 1 janari 2014 dhe ai mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera nga 10 në 15% nga 1 janari 2015, plus rritja e taksës së qarkullimit dhe akcizës mbi disa produkte), kjo nuk ka arritur të sjellë më shumë të ardhura në buxhet, sidomos në 2015, ku rritja reale e të ardhurave për 11 mujorin (duke hequr inflacionin dhe rritjen ekonomike) ishte afër zeros.
Renditja e Shqipërisë në “Forbes”
Viti 2009, vendi 96
Viti 2010, vendi 65
Viti 2011, vendi 64
Viti 2012, vendi 74
Viti 2013, vendi 81
Viti 2014, vendi 51
Viti 2015, vendi 69