Fondi i manget 400 objekte rrezikohen nga insektet

Fondi i manget, 400 objekte rrezikohen nga insektet

400 objekte kishtare dhe ikonat e sekuestruara në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve rrezikohen nga sulmi i insekteve. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, shprehet se fondi vjetor është disi i mjaftueshëm për ekspozitat, por jo për funksionimin korrekt të proceseve të këtij institucioni. “Shkurt, fondi është i mangët. Për këtë arsye fondi i ruajtjes dhe konservimit të veprave ka nevojë për hapësira të reja dhe kushte atmosferike të përshtatshme”, thotë ai. Ndërsa, restaurimi i veprave është një proces i vazhdueshëm, që varet nga fondet në dispozicion. Projektet e ndërhyrjeve restauruese janë të shumta, por për realizimin e tyre duhen fonde të vazhdueshme.

Zoti Shabani, jemi pothuajse në mbyllje të dy viteve punë në GKA. Si drejtues i saj, ç’mund të na thoni për mbarëvajtjen e punëve deri më tani në këtë institucion?

Mund t’ju them se drejtoj një institucion të angazhuar plotësisht dhe se është punuar me seriozitet. Galeria ka funksionuar si një skuadër dhe ka bashkëpunuar me Bordin Artistik për të realizuar me cilësi ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare. Stafi i saj ka punuar me cilësi, vrull dhe dashuri për artin. I kemi kushtuar vëmendje të veçantë koleksionit të veprave të artit, që ruhen në fondin e GKA-së. Nga ky koleksion zgjodhëm rreth 150 vepra vizatime, duke i dhënë publikut një nga ekspozitat më të mira, nga dhjetëra artistë shqiptarë në grup, duke filluar nga punime të Kolë Idromenos, dhe pasuar nga shumë artistë tradicionalë e bashkëkohës të shekullit XX.

Por në këto dy vite ka shumë veprimtari, të cilat do kujtohen në GKA, si “Art special nga artistë specialë”, “Onufri XX”, “Pllakate dhe ide” e artistit Peter Pocs, “Historia e Francës e treguar përmes publicitetit”,  “Piktura klasike, artistë nga 1500-1900”, “Muzikë me origjinë të panjohur” e Sigmar Polke, “Artistët dalin nga studioja, duke mos parë më realizëm socialist” etj., si retrospektiva e Simon Shirokës, Lin Delisë, Sadik Kacelit, Sali Shijakut, Lekë Tasit, edhe së fundmi, ekspozita vetjake e Sofia Zengo Papadhimitrit. Duhet të kem lënë jashtë shumë veprimtari e ekspozita të tjera.

Për ruajtjen e fondit të veprave të GKA-së çfarë duhet bërë më tepër?

I qëndroj idesë që kam shprehur që në fillim të punës sime në GKA se, duhet një godinë e re për ruajtjen e veprave. Një godinë ku të sigurohen të gjitha kushtet fizike, atmosferike dhe të krijohen standardet e nevojshme për ruajtjen e këtyre vlerave, të cilat janë pasuri kombëtare dhe u takojnë të gjithëve.

Çfarë investimesh fizike janë bërë për to?

Një nga investimet e mirëfillta në GKA është ndërtimi i Ateliesë së Edukimit Artistik. Për këtë falënderojmë fondacionin “Fava” dhe veçanërisht, Pamela Griffin, drejtoreshën ekzekutive të fondacionit “Fava”, e cila bëri të mundur këtë investim, që së shpejti do të inaugurohet. Jemi në pritje të fillimit të restaurimit të fasadës së GKA-së, pasi të zgjidhet përmes tenderimit nga Ministria e Kulturës, subjekti që do ta zbatojë këtë projekt. Shumë shpejt të gjitha hapësirat e brendshme të GKA-së do të lyhen.

A janë dokumentuar të gjitha veprat?

Fondi i veprave të GKA-së është i gjithi i kartelizuar, regjistruar në mënyrë digjitale në GKA dhe kataloguar në QKIPK.

Sa prej këtyre veprave janë në gjendje kritike, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme? Çfarë ngelet për t’u bërë për restaurimin e tyre?

Gjendja e veprave në fondin e GKA-së është një problem i mbartur. Një pjesë e konsiderueshme e veprave të fondit janë ekspozuar herë pas here, dhe si rezultat janë në gjendje të mirë, pasi kanë kaluar në laborator dhe u janë bërë ndërhyrjet përkatëse. Linja muzeale është në kontroll të vazhdueshëm, por ekziston rreziku nga sulmi i insekteve, që mbartin rreth 400 objekte kishtare dhe ikonat e sekuestruara në katin e tretë të GKA-së. Ky është një problem krejt i veçantë, shumë specifik, por prezent prej dy vitesh. Fondi i GKA-së ka nevojë për ndërhyrje urgjente në aspektin infrastrukturor, si për hapësirën që ka në dispozicion, ashtu edhe për kushtet e ruajtjes.

Stalazhet (raftet) ku mbahen pikturat, sipas parametrave duhet të jenë metalike dhe jo prej druri siç janë aktualisht, pasi raftet e drurit përbëjnë rrezik më vete për veprat, sepse mund të mbartin insekte brejtëse dhe krimba, të cilat çojnë më pas në rrënimin dhe shembjen e një stalazhi, ashtu si një godinë shembet nga tërmeti. Hapësira e pamjaftueshme bën që shumë prej veprave që dezinfektohen, apo restaurohen, të vendosen përsëri në të njëjtin mjedis me veprat që kanë probleme. Për këtë arsye fondi i ruajtjes dhe konservimit të veprave ka nevojë për hapësira të reja dhe kushte atmosferike të përshtatshme. Restaurimi i veprave është një proces i vazhdueshëm po i varur nga fondet në dispozicion. Në çdo projekt ekspozite kryhen ndërhyrjet dhe restaurimet e nevojshme, por fondi i GKA-së ka një numër shumë të madh në fond dhe për to duhen fonde të vazhdueshme.

Fondi vjetor që i jepet GKA-së, sa i mjaftueshëm është për realizimin e projekteve, që ju keni prioritet?

Fondi që merr Galeria nga Ministria e Kulturës është modest nëse do ta krahasonim me galeri homologe, si p.sh. me Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, për të mos folur për ato në Evropën Juglindore. Ky fond është disi i mjaftueshëm për projektet e ekspozitave, por aspak për funksionimin korrekt të të gjitha proceseve të këtij institucioni. Shkurt, fondi është i mangët.

Artistët e rinj kanë qenë prioritet i punës suaj, por sa ja keni arritur deri më tani?

Prioriteti i punës së një Galerie Kombëtare është pasqyrimi i artit që befason publikun, që e njeh me pjesën e panjohur të krijimtarisë së artistëve shqiptarë dhe të huaj, që e informon për krijimtari vendimtare dhe që kanë bërë emër në historinë e artit shqiptar dhe të huaj. Kjo mendoj se nuk i përket vetëm një moshe të re. Në GKA janë ekspozuar artistë të rinj, jo të rinj në moshë, deri edhe retrospektiva për artistë të vdekur, por stafi i saj dhe Bordi Artistik ka vënë në plan të parë cilësinë dhe prurjet në krijimtari.

Për shembull, “Onufri XX”, ekspozita vjetore, e cila i përket ekspozimit të krijimtarisë së artistëve të rinj shqiptarë dhe të huaj “u mbyll” me sukses. “Art-Kontakt” me koncepte të reja, i përket tërësisht artistëve të rinj dhe u zhvillua në mjediset e GKA-së. Ekspozita “All about these... Ladies and Gentlemen”, ku merrnin pjesë dhjetëra artistë të famshëm ndërkombëtarë të video-artit, ishte një tjetër prezantim në GKA. Galeria ishte bashkëpunuese në festivalin e artit pamor “Pamur”, dhe me ekspozitën “Post young albanian artists” hapur në muzeun “Pino Paskali” në Polignano a Mare, Bari në Itali me pjesëmarrjen e artistëve të rinj bashkëkohorë shqiptarë.

Trienalet dhe bienalet, janë parë si forma të organizimit të artit. Ndërkohë jeni ende në punë e sipër me “Onufrin”. Si po ecën organizimi për këtë vit?

“Onufri” i këtij viti është në rrugë shumë të mirë. Deri tani në mbështetje dhe zbatim të rregullores së kësaj ekspozite është përcaktuar kuratori, në këtë rast një dyshe shumë e njohur në botën e artit: Andrea Pagnes dhe Verena Stenke (VestAndPage), të cilët priten të dalin para artistëve shqiptarë me konceptin e tyre kuratorial, të detajuar me afate dhe prerogativa të qarta, shumë shpejt, gjatë korrikut. Ekspozita do të zhvillohet në fundvit, nëntor-dhjetor 2015, duke u dhënë mundësi artistëve, si rrallëherë më parë, të kenë rreth 3 muaj kohë të përgatisin vepra në përputhje me konceptin kuratorial me titull, “SiO2, arsyeja e brishtësisë, artistët bashkëkohorë përballen me qelqin”. Sipas vendimit të Këshillit Organizativ, ky koncept u përzgjodh sepse “ka një frymë universale, fenomenologjike dhe tejkalon gjendje lokale apo periudha të përkohshme transitore, duke u përqendruar sidomos në brishtësinë e marrëdhënieve njerëzore, si me njëri-tjetrin, ashtu edhe me ambientin përreth”. Kam besimin se do të jetë një ekspozitë shumë e mirë, me artistë me emër në historinë e artit përballë një gjenerate të re artistësh shqiptarë.

Bashkëpunimi i GKA-së me galeritë e rretheve si ka qenë?

Disa herë kemi bërë udhëtime pune në ato galeri që funksionojnë, si në Korçë, Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Durrës. Jemi njohur me fondin e veprave që kanë dhe kemi kontakte të vazhdueshme me galeritë e sipërpërmendura. GKA gjithashtu u ka vënë në dispozicion të gjitha botimet e saj.

Dhe së fundmi, keni pasur qëllim dhe binjakëzimin e GKA-së me institucionet simotra, çfarë është bërë në këtë drejtim?

Ne nuk kemi bërë binjakëzime, GKA është fokusuar me tepër në drejtim të bashkëpunimeve me muzetë dhe galeritë prestigjioze, siç janë: “Ludwig Museum” Budapest, “Koleksioni Frac”, Paris, me Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, bashkëpunime me Kinën, me muze në Kuvajt etj. Po punojmë edhe për bashkëpunime të tjera.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama