Trendi i papunësisë ka vijuar në rritje edhe për tremujorin e parë të 2014-ës, sipas shifrave zyrtare të INSTAT. Nga 17 për qind në tremujorin e fundit të 2013, shkon në 18.3 për qind në janar-mars 2014. Edhe pse jo krejtësisht i saktë, treguesi zyrtar po tregon për një tendencë në rritje të papunësisë. INSTAT ka publikuar dje të dhënat e Anketës së Forcave të Punës, ku mësohet se papunësia për moshën 15-64 vjeç është 18,3%. Ndër të rinjtë situata është shumë e rëndë. Të papunët janë më shumë se 31 për qind.
Rritja
Që nga viti 2012 anketa e forcave të punës po tregon për një tendencë të qartë të rritjes së papunësisë në vend. Nga 13.4 për qind që ishin të papunët në tremujorin e parë të vitit 2012, ata shënuan një rritje në 18.3 për qind gjatë këtij viti. Megjithë krizën që po përjeton tregu i punës, INSTAT vëren rritje të numrit të të punësuarve në sektorët e industrisë nxjerrëse, energjisë dhe ujit, si dhe në industrinë përpunuese. Nga ana tjetër, sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve pësuan rënie të të punësuarve. Numri i të papunëve të moshës 15-64 vjeç shkon në 201 770 persona. Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë është më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19,6% dhe 16,4%. Ndërsa shkalla e papunësisë afatgjatë është 11,8%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, vihet re një rritje e numrit të papunëve si për meshkujt ashtu dhe për femrat e moshës 15-64 vjeç, me përkatësisht 0,8 dhe 1,9 pikë përqindje. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë është 31,3%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 3,2 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2014 shkalla e papunësisë është 14,6% dhe shkalla e papunësisë afatgjatë është 9,9%.
Puna kërkohet me mik
Përsa i përket mënyrave të kërkimit për punë, 83,7% e të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës, si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, personat që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 58,9% të punëkërkuesve të papunë. Por të dhënat e përpunuara të censusit kanë nxjerrë një shifër tjetër alarmante për papunësinë, e cila është 30% e forcës së aftë për punë. Kështu sipas censusit, shkalla e papunësisë për moshën 15 vjeç e lart në tetor të vitit 2011 ishte 29.3%, nga e cila: për meshkujt ishte 28.0% dhe për femrat ishte 31.4%. Në sektorin e bujqësisë, 65% e të punësuarve i përkasin kategorisë ‘punëtorë pa pagesë’ në biznesin e familjes. Të punësuarit me pagë në sektorin e industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve përbëjnë pjesën më të madhe të të punësuarve, përkatësisht me 82.4% , 67.1% dhe 71.5%. Qarku me shkallën më të lartë të papunësisë ishte Kukësi (51,3%) dhe me shkallën më të ulët të papunësisë ishte Berati (20,7%).