Flisni per veten

Flisni për veten

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

strokeNeuro-shkenca është shkenca e trurit; temë e preferuar nga të gjithë sepse vetëm truri prodhon pyetje dhe s’ka njeri që nuk pyet.

Dhe ndër pyetjet që vjen në mendje është: Pse njerëzit shpenzojnë aq shumë kohë duke folur për veten e tyre?

Qeniet njerëzore janë kafshë shoqërore, dhe një pjesë të madhe te kohës e kalojnë duke komunikuar. Mundësitë për bisedë janë pafund; plane, shaka, kujtime, rikujtime të së kaluarës, ëndrra për të ardhmen, shkëmbim mendimesh, thash-e-theme dhe përhapje informacioni. Kjo aftësi për të komunikuar me pothuajse të gjithë në lidhje me pothuajse çdo gjë, gjithashtu, ka luajtur rol qendror në aftësinë e njeriut për të mbijetuar, por edhe për t’u zhvilluar.

Studimet në këtë fushë kanë treguar se vetja është tema e preferuar e shumicës së njerëzve në komunikim me njëri-tjetrin. Mesatarisht, njerëzit shpenzojnë 60 për qind të bisedave duke folur për veten e tyre, dhe kjo shifër arrin në 80 për qind, kur komunikimi kryhet nëpërmjet platformave të mediave sociale të tilla si Twitter ose Facebook. Pse ndodh që shumicën e kohës njerëzit flasin për vetë-veten, kur në botë ekzistojnë kaq shumë çështje, ide e probleme për të diskutuar?

Përgjigja është e thjeshtë: “Njeriu ndjehet mirë kur flet për veten”, thuhet në një studimi nga neuro-shkencëtarët në universitetin e Harvardit.

Për të vërtetuar hipotezën se vetë-zbulimi është thelbësisht shpërblyes, shkencëtarët përdorën fMRI (Imazhet me Rezonancë Magnetike funksionale) për të vëzhguar veprimtaritë në rajone të ndryshme të trurit gjatë kohës që pjesmarrësit në studim angazhoheshin në biseda.

Në personat që ishin të interesuar të flisnin për veten, shkencëtarët vunë re një shtim të aktivitetit nervor në zonat e trurit përgjegjëse për motivimin, kënaqësinë dhe shpërblimin. Të flasësh për veten kur të tjerët dëgjojnë është e dobishme (jep mundësi të njihesh), por ajo që i befasoi shkencëtarët është se aktiviteti i trurit të personit që fliste për veten rritej njësoj edhe në se askush nuk e dëgjonte.

Pra në këtë rast, të flasësh për veten nuk është në kundërshtim me funksionet e komunikimit. Njeriu mund të flasë rreth vetes, thjesht sepse dëshiron të ndjehet mirë. Dhe, ndjenja e mirë mund të jetë një mjet për të arritur qëllimin; pasi ajo nxit shpërblimin për të vënë në lëvizje një proces, i cili përfundimisht çon në përfitime të shumta afatgjatë nëpërmjet krijimit të lidhjeve të reja shoqërore që e ndihmojnë njeriun jo vetëm të mbijetojë por edhe të përparojë. Pra flisni për veten, vetëm mos u mburrni… shumë.



http://astritlulushi.wordpress.com/2013/07/18/flisni-per-veten/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama