Flet Drejtori i Teatrit Kombetar Kristaq Skrami

Flet Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami

në një intervistë të dhënë për Gazetën “55”, shprehet se beson që ky sezon të jetë cilësuar si një nga më të suksesshmit në kuptimin e cilësisë së shfaqjeve në radhë të parë si dhe për ardhjen e spektatorit dhe frekuentimit maksimal të sallës së Teatrit Kombëtar. Skrami ka ardhur në drejtim të këtij teatri në muajin dhjetor të vitit të kaluar por mund të thuhet se që në ditët e para të janarit kur u vunë në skenë edhe shfaqjet e para është vënë re ardhja e spektatorit që sipas disa përllogaritjeve të thjeshta rezulton të jenë shitur mbi 6000 mijë bileta. Dhe kjo është ajo çfarë Skrami vlerëson më shumë: ardhjen e spektatorit në sallën e Teatrit Kombëtar. Ky sezon është cilësuar shumë i suksesshëm jo vetëm nga publiku që në një farë mënyre iu rikthye teatrit , por si e tillë është cilësuar edhe nga kritika. Shfaqje që herë trajtonin problemet e shoqërisë si probleme që po e dëmtojnë këtë të fundit siç është “Zysh e dashur” dhe Korbi i Bardhë”, apo komedi me elementë të rinj, dhe shumë komponentë të suksesshëm siç ishte “Berberi i Seviljes”.   Sipas drejtorit Skrami,  një nga pikat që rezulton e suksesshme është se shfaqjet janë me nivel artistik dhe si të tilla janë vlerësuar edhe nga kritika sepse një nga pikat më rëndësishme është pikërisht cilësia e një drame që vihet në skenë. Një rol të madh kanë luajtur edhe  politikat përzgjedhëse të repertorit që vihet në skenën sepse këto të fundit ndikojnë drejtpërdrejt edhe në nivelin e një shfaqje por dhe në thithjen dhe në afrimin sa më shumë të spektatorit. Por Drejtori I teatrit kombëtar shprehet se për të pasur sukses teatri ka nevojë pa diskutim për publicitet dhe për mbështetjen e medias.

Sipas tij teatri si institucion bën pagesa për publicitet por, duhet të kemi parasysh që ky institucion nuk është ndërmarrje prodhimi. Në këtë pikë, televizioni, media, dhe pronarët e këtyre mediave duhet të jenë shumë sensibël dhe shumë tolerantë ndaj teatrit. Porsa i përket sezonit të ri Skrami shpreson që të ketë sërish bashkëpunime me të huajt, dhe madje të suksesshme siç ishte ajo me regjisorin francez Erik Vinje, që është natyrisht një eksperiencë shumë pozitive dhe që ka sjellur pa dyshim një mënyrë të re të ndërtimit të dramës por edhe të pjesëve klasike siç ishte “Berberi i Seviljes”. Skrami tregon që  mendohet ët ketë edhe këtë sezon një regjisor të huaj po akoma nuk ka asgjë konkrete edhe pse ai ka pasur kontakte me një regjisor anglez. Si njëra prej shfaqjeve më ët suksesshme të sezonit u cilësua “Berberi i Seviljes”, që ishte një bashkëpunim me Erik Vinje. Shfaqja pati një natyrë tjetër ndërtimi dhe konceptimi dhe për tu theksuar ëshët fakti që kishte edhe komponentë të rinj, duke filluar që nga mënyra e dekorit, kostumet që mbanin veshur aktorët e që Vinje i stilizoi që të gjithë me motive shqiptare i frymëzuar nga fotografitë bardh e zi të Marubit dhe deri tek muzika që ishte dal vivo e që luhej në skenë.

Sezoni që sapo u mbyll si ka rezultuar për ju si drejtor i Teatrit Kombëtar, a jeni ndari kënaqur nga puna e bërë ?
Dua të them që sezoni që sapo jemi duke mbyllur në Teatrin Kombëtar, shpresoj dhe besoj që të jetë cilësuar si një nga më të suksesshmit në kuptimin e cilësisë së shfaqjeve në radhë të parë si dhe për ardhjen e spektatorit dhe frekuentimit maksimal të sallës së Teatrit Kombëtar prej tij. Duke bërë një përmbledhje që në fakt akoma  nuk është bërë sepse sezoni nuk ka mbaruar plotësisht akoma, deri në këtë periudhë, rezulton që janë shitur mbi 6000 mijë bileta. Kjo shumë duke llogaritur edhe shfaqjet e vëna në skenë që në fillim të vitit, domethënë që nga ditët e para të janarit. Këto shfaqje që kanë qenë pjesë e repertorit por njëkohësisht duke shtuar edhe këto tre shfaqjet e reja që janë vënë në skenë kohët e fundit, shfaqje me të cilat është ndërtuar edhe programi që është deri në fund të muajit maj. Ajo që unë vlerësoj më shumë natyrisht është ardhja e spektatorit në sallën e Teatrit Kombëtar.

Sipas jush përse kanë qenë shfaqjet e suksesshme dhe ku qëndron ky sukses?

Një nga pikat që rezulton e suksesshme është se shfaqjet janë me nivel artistik dhe si të tilla janë vlerësuar edhe nga kritika. Unë besoj se një nga pikat më rëndësishme është pikërisht cilësia e një drame që vihet në skenë. Sukses kanë pasur dramat shqipe, që siç e kemi parasysh në katër premierat e fundit dhe duke filluar edhe që nga periudha e shtatorit duke futur edhe “Drejt perëndimit” rezulton që të jenë tre premiera të dramaturgjisë kombëtare. Sigurisht që spektatori është i ftuar të shohë problematikat e tij ato problematika që e shqetësojnë, dhe ti shohë këto përmes trajtimit të dramës shqipe  Duke pasur parasysh problematikën shumë të mprehtë  që trajton drama “Korbi i Bardhë”, vihet re që spektatori është shumë i interesuar  dhe shumë i ndjeshëm ndaj temave të tilla , është shumë sensibël. 

A mendoni se kanë ndikuar në suksesin e këtyre shfaqjeve politikat përzgjedhëse të repertorit të që do të vihej në skenë në rikthimin e spektatorit në sallën e Teatrit Kombëtar?

Sigurisht që politikat përzgjedhëse të repertorit që vihet në skenën e një teatri ndikojnë drejtpërdrejt edhe në nivelin e një shfaqje por dhe në thithjen dhe në afrimin sa më shumë të spektatorit.

Është diskutuar disa herë në konferenca për shtyp çështja e reklamës si një komponent mjaft i rëndësishëm për suksesin e një drame që vihet në skenë, dhe për thithjen e spektatorit. Çfarë po bëhet në këtë fushë?
Më kanë pyetur shumë gazetarë, po për publicitetin çfarë po bëni. Përgjigja që unë kam dhënë si nëpër konferenca ashtu edhe në  intervista është : Teatri ka nevojë pa diskutim për publicitet dhe për mbështetjen e medias. Teatri bën pagesa edhe për publicitet  por duhet të kemi parasysh që teatri nuk është ndërmarrje prodhimi, pra nuk fiton sado që spektatori e sheh shfaqjen në Teatër. Në këtë pikë, televizioni, media, dhe pronarët e këtyre mediave duhet të jenë shumë sensibël dhe shumë tolerantë ndaj teatrit dhe mos të kërkojnë pagesa të larta. Ne deri tani jemi munduar dhe kemi përballuar të paktën me aq buxhet sa kemi ne për publicitetin. Është  e domosdoshme që për një premierë apo shfaqje të re,  por edhe për një kalendar të shfaqjeve që janë në repertor reklama. Është e domosdoshme që njerëzit të marrin informacion për shfaqjet që jepen në mënyrë që të vijnë më pas në sallën e teatrit Kombëtar. Ky informacion jepet përmes mediave. Transmetimi në televizion i datave për shfaqjet apo e kalendarit kushton, dhe në kuptim unë them që ata duhet të jenë më tolerantë ndaj Teatrit.

Përsa i përket sezonit të ri, a do të ketë ndryshime ose  kush do të ketë prioritet?
Këtë sezon a do të ketë bashkëpunime me të huaj siç pati sezonin e kaluar?
Na kanë ardhur disa drama  por pritet që të mblidhet bordi që të diskutojë projektet e sjella nga regjisorët dhe autorët e dramave dhe pasi ne të jemi njohur me to, pas një periudhë të shkurtër besoj, atëherë  ne do të shpallim prioritetet dhe projektet që do të jenë fitues për sezonin e ardhshëm. Unë mendoj që ashtu siç patëm bashkëpunimin me regjisorin francez Erik Vinje, që është natyrisht një eksperiencë shumë pozitive dhe që ka sjellur pa dyshim një mënyrë të re të ndërtimit të dramës por edhe të pjesëve klasike siç ishte “Berberi i Seviljes”, dhe do të dëshirojmë që edhe në këtë sezon, të kemi një regjisor të huaj. Natyrisht, që nuk e kam përcaktuar por, unë kam pasur kontakt me një regjisor anglez me të cilin ne mund të realizojmë edhe një pjesë të Shekspirit por akoma nuk është vendosur asgjë. Kjo vazhdon të jetë në tratativa por besoj se këto janë eksperienca mjaft pozitive, qoftë për teatrin, qoftë për aktorët qoftë edhe për komponentë të tjerë më rëndësi për teatrin.

 

U fol për bashkëpunimin me regjisorin francez Erik Vinje, mjaft i sukseshëm në Francë por që i tillë rezultoi edhe në Teatrin Kombëtar. Si e shihni këtë bashkëpunim?
Bashkëpunimi me Erik vinje më rezulton i suksesshëm pasi edhe shfaqja pati një natyrë tjetër ndërtimi dhe konceptimi. Kishte edhe komponentë të rinj, duke filluar që nga mënyra e dekorit, kostumet që mbanin veshur aktorët e që Vinje i stilizoi që të gjithë me motive shqiptare i frymëzuar nga fotografitë bardh e zi të Marubit dhe deri tek muzika që ishte dal vivo e që luhej në skenë. Kështu, kjo shfaqje rezultoi e suksesshme ashtu si edhe kanë rezultuar edhe dy premierat e para shqiptare, “Kambanat e muzgut” dhe “Korbi i Bardhë” që ishin të suksesshme edhe nga regjisorët por edhe nga autori Mihal Luarasi që ishte i njëjtë.

Cilat janë vështirësitë e ardhjes së regjisorëve të huaj në Tiranë për të punuar në Teatër?
Kontaktet me ta tani nuk mungojnë sepse tani është edhe interneti e po ashtu shfrytëzohen edhe lidhjet që ka Teatri Kombëtar, por problemi është tek financimi i tyre. Në rastin e regjisorit francez Erik Vinje, është rënë dakord që të gjitha shpenzimet e tij, ardhja në Tiranë etj,  të paguheshin nga Ambasada Franceze.  Në këtë mënyrë edhe në bashkëpunime të tjera do të ketë diskutime në lidhej me këto, sepse në fund të fundit nuk do të quheshin bashkëpunime. Një bashkëpunim nuk është thjesht që vjen dhe jep një eksperiencë të re , por bashkëpunimi konsiston edhe në marrëdhënie të tjera dhe diskutohet edhe financimi sigurisht. 

Është një projekt i cili mbështet të rinjtë për  të paraqitur punët e tyre në Tk dhe në këtë mënyrë i hapet rrugë karrierës së tyre. Ka nisur ky projekt dhe deri ku është arritur me të?
Projekti i të rinjve ka nisur dhe janë tërhequr rreth 12 apo 14 regjisorë të rinj që kanë ardhur për të aplikuar. Ne kemi përcaktuar një datë në të cilën do të paraqesin dosjen e plotë me kriteret që duhet të plotësojnë që ata kanë ardhur dhe i kanë marrë tek zyra e marketingut dhe komisioni ose juria përzgjedhëse që është e përbërë nga  Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Milto Kutali, Adenis Filipi  dhe  unë  do të përzgjedhim nga këta gjashtë ose shtatë prej tyre. Menjëherë pas përzgjedhjes së këtyre regjisorëve  ata mund të fillojnë punën për konkretizimin e planit të tyre. Shfaqjet ata mund t’i realizojnë gjatë shtatorit besoj dhe siç është në projektin e bërë për këta të rinj, nga mesi i  tetorit mendojmë se mund të realizojmë javën e Teatrit të të rinjve, domethënë  me pesë apo gjashtë shfaqjet që do të realizohen nga këta të rinj  do të ketë shfaqje përreth një javë.

A mendoni se ky sezon ka qenë një ndër më të suksesshmit e Teatrit Kombëtar?

Nuk më takon mua ta them këtë, ndoshta mund ta thotë spektatori apo të tjerë por

Natyrisht unë erdha në këtë detyrë me një eksperiencë të teatrit por jo të një teatri qendror siç është Teatri Kombëtar. Besoj se e kam motivuar dhe justifikuar së paku për këtë periudhë kaq të shkurtër që unë kam në drejtim të tij.     

Shfaqjet e këtij sezoni
”, “Berberi i Seviljes”, “ Kambanat e Muzgut”, “ Korbi i bardhë”, “Hotel Franca”.

 

“Zysh e dashur” Hipokrizia, sjellja me standart të dyfishtë, makiavelizmi, vdekja e idealizmit dhe triumfi  i pragmatizmit, kompromisi  pa princip për të blerë të ardhmen, arritja me çdo kusht e çmim e suksesit, e  sidomos ambicja për karrierë, para dhe lavdi janë temat që trajton drama “Zysh e dashur” e që janë plagë të shoqërisë që nuk duhen mbartur nga një brez në një tjetër. Këto realitete të dhimbshme që rrok vepra, i bën akoma më tronditëse fakti se përçues të këtij qëndrimi i ekstrem  janë përfaqësuesit e brezit të ri që tentojnë të fitojnë një të ardhme të mirë qoftë edhe me të padrejtë dhe për ata ka dy rrugë, ose ta fitojnë atë ose ta humbin me gjithçka. Përmes këtij subjekti ngjallet një polemikë që ka të bëjë me problemin më madhor që kalon shoqëria shqiptare, që është korruptimi i shpirtit të njeriut. Ky korruptim, është një e keqe e madhe për një shoqëri dhe një plagë që nuk shërohet vetëm me një dramë, por drama si art jep kontributin e vet modest në këtë prizëm duke u përpjekur të përcjellë një mesazh edukativ për spektatorin.

“Berber I seviljes”.Kjo komedi e autorit të shquar francez e shkruar para Revolucionit Francez të 1773, mbahet si vepra që me strukturën e saj moderne shënon cakun e kalimit nga teatri klasik francez në atë modern për kohën. Në qendër të veprës kemi një grua të cilën i shoqi me xhelozinë e tij dhe ndjenjën e inferioritet që ka ndaj saj, e ka burgosur dhe e mban të fshehur nga sytë e botës.  Kjo është arsyeja që autori Rozinën edhe Figaron, si edhe ambientet e shtëpisë së tyre i ka trajtuar të gjitha të mbuluara nga ngjyra e zezë. Ndërsa në të kundërt, Almavinën që simbolizon dashurinë si dhe Figaron, që në një lloj mënyre është dirigjenti i strategjisë për t’u futur në këtë burg të zi dhe që aty të rrëmbejnë Rozinën, janë veshur në të bardha.

“Hotel Franca” Është një çift i sapo divorcuar ligjërisht sepse në fakt lidhja e tyre ka tre vite që ka përfunduar. Diskutimet bëhen në hollin e heotelit ku çifti ka kaluar momentet më të bukura të historisë së tyre të dashurisë. Ata i bëjnë autopsinë marrëdhënies  së tyre dhe përpiqen të nxjerrin shkaqet  përse nuk funksionoi  lidhja që kishin kur janë akoma të dashuruar me njëri-tjetrin.

“Korbi I Bardhë”. Korrupsioni i pushtetarëve dhe lidhjet e segmenteve të caktuara të politikës me krimin e organizuar është problemi që ka shqetësuar autorin e kësaj drame, problem që shqetëson të gjithë shqiptarët në këta 15 vjet të tranzicionit. Kjo dramë vjen  pikërisht për të dënuar anët negative të shoqërisë, korrupsionin dhe krimin si fenomene të ndërlidhura jo vetëm me njëra tjetrën por edhe me pushtetin që duhet t’i luftojë. Dukuri mjaft të dëmshme për evoluimin e vendit, drama  të bën t’i shtrosh së pari vetes disa pyetje: Vallë kush e ka pushtetin e vërtetë? Mos jemi mësuar me këto dukuri negative dhe i kemi pranuar si të mirëqena? A mund të jesh i ndershëm në një shoqëri apo në një ambjent ku korrupsioni dhe jeta e dyshimtë të sillet rreth e të fton “në vallen e saj” e nëse nuk pranon “të dënon”?  Përderisa duan të të bindin me pahir të qëndrosh në vathën e jetës së dyshimtë, si mund tia dalësh mbanë? Ku mund të kërkosh ndinhmë? Tek institucionet?A  janë të drejtuara nga politikanë? “Korbi i bardhë” tregon se politika dhe krimi janë shumë të lidhura. Ku mund të drejtohesh, si të shpëtosh apo do përfundosh si Ilirian Dema, biznesmeni i dramës? Apo vrasjet misterioze rreth të cilave sillen hije të mëdha dyshimi mos kemi filluar t’i pranojmë si “ngjarje të rendit të ditës”?


Marre nga : Gazeta 55


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama