Flamuri shqiptar mbi Everest!

Flamuri shqiptar mbi Everest!
Gjashtë alpinistë të "Dajti Alpino-Turistik" kapën të shtunën në orën 7 (ora lokale) majën më të lartë të botës. Njoftimi u dha edhe nga kompania vendase që organizoi ngjitjen

“Jemi të gjithë mirë. Gjashtë me zero për Shqipërinë”. Personi që i thotë këto fjalë flet nga larg, shumë larg. Po i telefon të shoqes me një telefon satelitor, nga maja e botës, Everesti. Gjergj Bojaxhi, njëri ndër gjashtë alpinistët shqiptarë që u nisën drejt majës më të lartë në botë, konfirmoi dje në orën 10.40 se i gjithë ekipi shqiptar mundi të ngjitet në majën e Everestit. Duke kryer kështu një ndërmarrje historike dhe të paimagjinueshme deri tani, për sportin shqiptar, e jo vetëm për të.

I ati i Gjergjit, alpinisti i njohur shqiptar Aleksandër Bojaxhi përshkruan mjaft i emocionuar ngjarjen. “Është një arritje e madhe, ndoshta e vonuar, për sportin shqiptar, thotë ai për “Java”. Është pushtuar nga alpinistët tanë një majë e cila konsiderohet si një sfidë më e vështirë se udhëtimi në dy polet. Kjo është meritë e këtij ekipi alpinistësh dhe e gjithë shoqatës tonë, si dhe e të gjithë atyre që kontribuan në këtë ndërmarrje të vështirë. Sakrificat e mëdha që u bënë, u shpërblyen”.

Ndërkohë detaje të tjera vijnë nga organizatorët vendas të ngjitjes. Pradip Kumar Limbu, shefi i Mountain Monarch Adventures, që menaxhoi ngjitjen në Everest për ekipin shqiptar, thotë se “të gjashtë alipinistët kanë arritur majën në orën 7.00 të datës 25 maj (ora lokale). Ai thotë se është lidhur me alpinistët, të cilët po zbrisnin drejt kampit dy, në lartësinë 7800 metra. Limbu thotë se ata kanë mjaftueshëm oksigjen me vete për natën e fundit të qëndrimit në mal, para zbritjes në kampin bazë të avancuar. Në fund Limbu thotë se ky është një rast shumë i rrallë, kur babë e bir (Xhimi dhe Mateo Begeja), kanë ngjitur me sukses majën e Everestit së bashku.
 
 
20 maj

ekspedita niset nga kampi bazë, në lartësinë 5000 metra dhe në darkë arrin lartësinë 5700 metra.
 
21 maj

arrihet në kampin e sipërm, lartësia 6400 metra
 
22 maj

kapet kampi 1, lartësia 7100 metra
 
23 maj

alpinistët ndodhen në kampin 2, lartësia 7800 metra
 
24 maj

ngjitet kampi 3, lartësia 8300 metra. Në orën 9 të darkës (ora lokale), fillon ngjitja drejt majës
 
25 maj

ora 7 (me orën lokale), ekipi i Dajti Alpino-Turistik pushton majën e Everestit, 8848 metra!

Gjashtë alpinistët që ngjitën majën

Xhimi Begeja, Gjergj Bojaxhi, Fatjon Plaku, Gerti Pishtari, Erlin Rudho dhe 18 vjeçari Mateo Begeja

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama