Filmi Krom i Bujar Alimanit premiere ne sallat e rrjetit te kinemave Imperial

TIRANË, 18 Nëntor / ATSH / Filmi "Krom", me skenar dhe regji nga Bujar Alimani, premiera botërore e të cilit u dha në edicionin e 50-të të Festivalit të madh të Filmit në Karlovy Vary mbërriti në premierën shqiptare.

Që nga data 19 nëntori "Kromi" i Alimanit do të shfaqet në rrjetin e Kinemave Imperial.

Një ndër filmat e financuar në vitin 2014 nga QK, që arriti që në kohë rekord të përfundojë xhirimet dhe të kryejë premierën e tij brenda një viti, projekti filmik "Krom" prezantohet për publikun shqiptar ditën e neërme, pas prezantimeve dinjitoze në "East of the West", Competition në Karlovy Vary International Film Festival , Hamburg International Film Festival , Festivalin e 37-të Ndërkombëtar të Filmit në Montpellier , 36 Manaki Brothers International Cinematographer's Film Festival , Festivali i Segovia-s në Spanjë, Hamburg Film Festival 2015, etj.

"Krom" është një bashkëprodhim mes Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Greqisë, me producentët Tefta Bejko, Valon Jakupaj, Anita Elsani, Thanos Anastopoulos dhe Stella Theodorakis, ndërsa përveç mbështetjes nga Qendra Kinematografike e Kosovës është mbështetur edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

Fredjon Ruci, Klodjana Keco, Mirela Naska, Kasem Hoxha, Denis Shira, Xhevdet Dod, Albulena Kryeziu etj, jnë disa prej emave që intepretojnë në filmin e Bujar Alimanit.

"Krom" është filmi i dytë i metrazhit të gjatë nga regjisori Alimani, i cili njihet për filmin e tij "Amnistia" që pati premierën në festivalin Berlinale në 2011, film i nderuar me disa çmime ndërkombëtare si C.I.C.A.E. në Berlin International Film Festival, 2011, Çmimin e Publikut në Black Movie Film Festival 2012, Çmimi i Jurisë në Lume International Film Festival, 2012.

"Kromi" i Alimanit flet për një nënë memece e cila pas dy humbjeve të bashkëshortëve i duhet të vazhdoj të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë. Djali i saj pesëmbëdhjetëvjeçar përpiqet të njohë veten në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit...

"Ideja e influences së dy natyrave femërore mbi një adoleshent në rritje e sipër më ka interesuar gjithnjë, madje më saktë influenca e Nenës dhe Mësueses , e Jetës dhe Dijes , e të Përjetshmes dhe Aventurës, që në thelb nuk është asgjë tjetër përveçse një lojë pushtetesh që shqetësojnë shpirtin e brishtë e të dyzuar të pesembëdhjetëvjeçarit"-është shprehur më parë sknaristi dhe regjisori i filmit Bujar Alimani.

/k.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama