Festivali letrar per te rinj Tirane 2015 kurorezohen sot gjate mbremjes fituesit

TIRANË, 25 Nëntor /ATSH/.- Përfundon festivali letrar për të rinj "Tiranë 2015", konkursi letrar me temë "Pasqyrat e kohës sime".

Ky festival, organizuar nga Shtëpia Botuese Toena, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës u zhvillua në muajt maj-nëntor 2015, duke përzgjedhur në faza të ndryshme krijimet më të mira letrare të të rinjve.

Të rinjtë krijues gjatë fazave të zhvillimit të festivalit morën pjesë në disa seminare rikrijuese ku krijuesit e rinj, falë ndihmesës së trajnerëve të specializuar arritën të zhvillojnë krijimet e tyre në forma të tjera artistike, në një mjedis stimulues, artistik e dinamik.

Kjo fazë u konceptua për t'u dhënë këtyre talenteve mundësinë për të vështruar se si krijimi i tyre nuk mbetet vetëm brenda kufijve të vetvetes, por ai mund të ripërpunohet dhe mund të gjejë shprehi edhe në forma të tjera artistike.

Në këtë fazë shndërrimet artistike u përqëndruan në gjinitë "Proza në një skenar" (nëpërmjet një skenaristi- profesori), "Poezia në një dizajn grafik" (nëpërmjet një profesori të dizajnit grafik në Akademinë e Arteve të Tiranës), dhe "Eseja në fotografi hetuese" (nëpërmjet një profesori).

Ceremonia përmbyllëse do të realizohet sot gjatë mbrëmjes ora 18:00 në një mjedis të mbyllur në Universitetin e Arteve (salla "Black Box"), në formën e një bashkëbisedimi të aktorëve kyç të këtij aktiviteti si pjesëmarrësit, Shtëpia Botuese Toena, anëtarët e jurisë, trajnerët dhe do të lexohen pjesët fituese.

Të pranishmit do të kenë mundësi të ndjekin edhe një spot të realizuar gjatë ditëve të seminarit. Do të shpërndahen tre trofe për fituesit në secilën kategori dhe çertifikata pjesëmarrje për 18 fituesit.

Produkti final i gjithë festivalit do të jetë Antologjia letrare që do të përmbajë 18 krijimet më të mira.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama