Festivali Folklorik ne Gjirokaster

Festivali Folklorik ne Gjirokaster

Festivali Folklorik Kombëtar solli në skenë mbrëmjen e djeshme grupet e Maqedonisë, Korçës dhe Durrësit. Qindra pjesëmarrës ndoqën mbrëmjen e djeshme natën e tretë të Festivalit Folklorik Kombëtar në Kalanë e Gjirokastrës.

Ishte grupi folklorik i shqiptarëve të Maqedonisë që ka çelur eventin. Larmia folklorike e një tradite të hershme me kostume popullore të ruajtura në mënyrë unike, ishte ajo që tërhoqi vëmendjen te ky grup.

Më pas, në skenë u ngjitën kënga dhe vallja tradicionale e Shqipërisë së Mesme me këngët qytetare durrsake dhe vallen karakteristike të zonës, ku spikasnin kostumet e vajzave.

Grupi i Korçës që finalizoi natën e konkurrimeve solli në skenë elementët e shumfishtë të një krahine të gjerë, ku ndërthurej kënga qytetare korçare me vallen e Devollit dhe meloditë e rralla instrumentale folklorike.

Krahas grupeve konkurruese, në fund të mbrëmjes pjesëmarrësit kanë shijuar një koncert me të ftuar specialë: grupi polifonik “Inoro” dhe sazet e Kosta Verdhit nga Janina.

Më parë, gjatë pasdites në pazarin tradicional të Gjirokastrës, në zonën e Odeonit, ka vijuar panairi i produkteve shqiptare “Argjiro Fest ON”. Ekspozitat “Novela Grafike”, ekspozita nga fonoteka “Marubi” dhe artistë gjirokastritë u mbajtën në disa shtëpi karakteristike.

Grupe përshëndetëse nga diaspora shqiptare në Zvicër “Rapsodët”, “Ilirët”, “Dardania” dhe “Shota” ndezën atmosferën pasditen e djeshme krahas Ateliesë së Valleve të vendosura në një skenë të hapur.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama