Festivali Deti i bardhe II- Kontakti magjik midis autorit dhe lexuesit ne skenen e Teatrit Kombetar

TIRANË, 29 Tetor / ATSH - Klajdi Musabelliu / - Pasi dëgjuan tingujt magjik të muzikës së interpretuar live nga "The Monks", dyshja e sukseshme e xhazit eksperimental, Gent Rushi në firzamonikë dhe Ermal Rodi në klarietë dhe flaut, të cilët intepretuan disa pjesë xhaz-folk mjaft të veçanta, miqtë e letërisë dhe artit dhe emra të spikatur nga fusha të ndryshme, iu drejtuan sallës së Teatrit Kombëtar, ku u zhvillua edhe ceremonia e hapjes së edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë "Deti i bardhë", i cili do të zhvillohet në Tiranë nga 29 tetori e deri 31 tetor, dhe do prezantohen për lexuesin shqiptar 21 autorë nga vende si Austria, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe Zvicra.

Si rrallë herë, në skenën e Teatrit Kombëtar, kësaj here nuk u ngjitën aktorët e famshëm që jemi mësuar të shohim të interpretojnë veprat e autorëve të mëdhenj "Titanëve"dhe "Zotave" të artit, por zbritën nga imagjinata dhe virtualiteti, dhe u ngjitën në skenë vetë "Përënditë", ata që krijojnë veprat që aktorët interpretojnë dhe që ushqejnë dhe mbajnë gjallë mendjen dhe shpirtin e mikut të librit dhe jo vetëm, për të krijuar kontaktin magjik dhe të shkëputur midis tyre dhe publikut.

Projekti i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Fondacionit Allianz Kulturstiftung, Fondacioni Konrad Adenauer, Ambasadës së Austrisë, Ambasadës së Zvicrës, Bashkisë Tiranë, Muzeut Kombëtar, Teatrit Kombëtar, Teatri Eksperimental, Teatrit të Metropolit, Bibliotekës Kombëtare etj, uli sot gjatë mbëmjes në panelin e skenës së teatrit, autorët e famshëm dhe të mëdhenj si Terezia Mora, Vladimir Arsenijeviç, Ornela Vorpsi, dhe Kim Mehmeti, të cilët ndanë me të pranishmit në sallë, sekretet e tyre dhe të veprave, emocionet, ndjesitë, frymëzimet, gjithashtu dhe rrugëtimin e tyre letrar.

"Salla e mbushur plot, dëshmon që letërsia nuk ka vdekur" nisi të rrëfente në fjalën e hapjes Drejtoresha e festivalit, Jonilda Godole.

"Letërsia nuk vdes, por ndryshon, transformohet, me pak fjalë është në tranzit, dhe kolonia e 21 artistëve, emra si Kim Mehmeti, Ben Blushi, Artë Arifi, Vladimir Arsenijeviç etj, do të vijnë më pranë publikut me anën e leximeve publike dhe të moderuara, që do të fillojnë që prej ditës së nesërme", shtoi Godole.

"Tirana Lexon i parapriu këtij aktiviteti dhe me anën e pjesmarrjes së shumtë nga publiku i cili mbushi plot kafenetë dhe biblotekat, dhe të gjitha ambjetet ku u realizua një lexim publik dhe masiv, tregoi se publiku i gjerë nuk e ka braktisur librin", vijoi Jonilda Godole.

"Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë -Deti i bardhë, do të zhvillohet si një auditor i hapur mes të ftuarve dhe publikut shqiptar, i cili në këto 25 vitet e fundit po përjeton një tranzicion të thellë politik e shoqëror, ku sidomos brezi i ri ka nevojë për perceptimet që vijnë nga vende të ndryshme të Europës", theksoi Godole.

Mjaft e emocionuar dhe e dyzuar u shfaq në fjalën e saj Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila duke shprehur qëndrimin pro të dikasterit që përfaqëson dhe mbështetjen e qeverisë lidhur me aktivitetin i cili mbështetet edhe si pjesë e projektit qeveritar "Edukimi përmes artit", u gjend paralelisht edhe në ambjentin e saj profesional.

Kjo pasi ministrja është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në fushën e letrave frënge, dhe mban titujt si "Profesore e Asociuar" në fushën e gjuhësisë, titullin, "Doktor i Shkencave" në fushën e Studimeve Përkthimore, Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor, dhe ka kon­tribuar edhe si përkthyese dhe publiciste.

"Sa herë flas për librin dhe letrat apo gjendem në këto ambjente, e kam të vështirë të ndaj profesionin nga pasioni", nisi të shprehej në fjalën e saj, Mirela Kumbaro.

"Secili prej nesh, autorë apo përkthyes, sa herë që flet për librin tregohet egoist me publikun i cili e shan librin", vijoi Kumbaro.

"Si ministre, rrugëtimin e librit e kam konstatur si problematik nëpërmjet analizave, komenteve, prurjeve, etj, dhe ura mes autorit dhe lexuesit dhe edukimi nëpërmjet artit dhe formave të ndryshme bashkëkohore është dhe një ndër prioritetet e qeverisë që unë përfaqësoj, dhe kjo është arsyeja që ne mbështesim "Detin e bardhë" që prej dy edicionesh", theksoi Kumbaro.

"Aktivitetet e leximit, kritika, prurjet e autorëve dhe përkthyesve, dhe përballja e tyre me lexuesin, është një sfidë e cila në këtë tranzicion do të bëj të triumfojë veprat më të mira" vijoi Kumbaro duke evidentuar rëndësinë e këtij festivali, dhe duke shprehur se do të mbështesë vazhdimisht projekte të tilla që synojnë të përmirësojnë kulturën shqiptare në tërësi.

"Fondi për përkthimin letrar, fondi për mbështetjen e publicistikës, panairet e librit apo stendat përfaquese të shqipërisë jashtë vendit dhe mjaft projekte të tjera do të vijnë edhe gjatë vitit 2016 si një investim dhe mbështetje e qeverisë" shtoi Kumbaro teksa vijoi duke i uruar rrugëtim të mbarë festivalit dhe duke besuar që të arrihet qëllimi dhe destinacioni i cili është "Shqipëria lexon".

Pas fjalës së ministres, autorët vijuan me prezantimet dhe diskutimet mbi veprat, dhe tranzicionin e lexusit të shekullit të XXI.

"Nuk duhet të jemi viktimë të steriotipeve, dhe duhet ti orientojmë miqt e letërsisë drejt shijes dhe vlerave, edukimit dhe historive", u shpreh Luljeta Lleshanaku nga paneli i autorëve, të cilët thuajse njëzëri ndanë me të, të njëjtin qëndrim.

Në fund të programit prezantues dhe ceremonisë, pjesmarrësit në aktivitet trokitën gotat me idhujt e tyre në koktein e organizuar me këtë rast. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama