Festa e Vitit te Ri dietologet Te gjithe kemi shtuar nga 2-3 kg

Festa e Vitit te Ri, dietologet: Te gjithe kemi shtuar nga 2-3 kg

Festa e Vitit të Ri krahas argëtimit dhe pushimeve me familjen ka sjell me vete edhe kënaqësinë e të shijuarit të ushqimeve tradicionale që familjet shqiptare nuk i ndajnë nga tryeza e tyre; bakllavaja apo mishi i gjelit aq sa janë të shijshëm janë edhe të dëmshëm për shëndetin pasi të shtojnë në peshë.

 

Këtë e konfirmojnë edhe dietologët të cilët thonë se secili prej nesh që ka konsumuar ushqime të tilla gjatë ditëve të festave ka shtuar 2 deri në 3 kilogram në peshë. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë, një pjesë e mirë e qytetarëve iu janë turrur palestrave dhe qendrave estetike për të rifituar peshën normale. “Do të ishte më mirë që mëngjesin ta nisnim me pirjen e një lëngu limoni, portokalli ose qitroje, shtuar dhe dy karota. Kjo do ishte një zgjidhje e mirë dhe të zgjaste rreth 10 ditë. Gjithashtu ushqime të lehta, duke hequr dorë nga yndyrnat e ngopura, sidomos nga gjalpi, nga dhjamërat, nga ushqimet si sallamet, proshutat, pijet me gaz, konservat. Duhet të zgjedhim ushqime sa më natyrale. Nëse bëhet fjalë për një vullnet sa më të fortë, brenda 2-3 javësh ne do të jemi në formë perfekte,” tha Anila Kalleshi.

 

Një fluks në rritje të klientëve të interesuar të humbin kilet e fundvitit po shohin dhe qendrat estetike, që  mundësojnë dobësimin nëpërmjet makinerive më bashkëkohore. Matilda Herri, estetiste, thotë se ka pasur bum kërkesash për këtë metodë më të shpejtë dobësimi. “Ne ofrojmë paketa dobësimi dhe heqje celuliti. Në 10 seanca mund të humbasim 4 deri në 5 kilogram, ku një seancë zgjat 1 orë e gjysmë. Seancat bëhen në mënyrë intensive,” tha ajo. Por në ditët e sotme nuk janë vetëm femrat të interesuara për pamjen e tyre, pasi edhe meshkujt i drejtohen palestrave dhe qendrave estetike për të pasur një trup plot muskuj dhe sa më në formë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama