Ato vajza që shpesh shohim në ekran teksa përcjellin mesazhe promocionale, nuk e kanë pasur aspak të lehtë të arrijnë aty ku sot realisht janë. Nëse për to të qenit një vajzë sharmante është një dhuratë e natyrës, për ata që i përdorin këto cilësi, shpesh edhe “pa mëshirë”, gjithçka duhet të vizatohet me konturet e një imazhi më se perfekt. Pesë vajza nga më të njohurat e tregut aktual të reklamave, tregojnë ekskluzivisht për revistën Mapo hapat që kanë ndjekur për të qenë gjithmonë në krye: në billbordera gjigantë, reklama disasekondëshë apo fletëpalosje, të cilat bëjnë efektin e tyre tek blerësit.
Kompanitë duan të arrijnë tek klientët nëpërmjet imazhit perfekt të një femre të bukur dhe deri tani ja kanë arritur qëllimit. Shumica e vajzave vijnë nga bota e fotografisë, të tjera nga modelingu, pasarelat apo televizioni, për të provuar magjinë që të dhuron reklama. Megjithë suksesin, në këtë treg të fortë konkurrence, imazhi i vajzave të reklamave paguhet në nivele tejet të ulëta si dhe fotot e tyre shumëfishohen në të gjithë botën, pa u dhënë atyre asnjë qindarkë, edhe në rastet kur kontratat tejkalojnë afatet apo fytyra e tyre udhëton përtej tregut vendas. Kjo është një arsye që sipas modeleve shqiptare i detyron ato që shumë shpejt të lënë vendin dhe t’u drejtohen tregjeve të tjera, ku mund të ndihen disa herë më të vlerësuara se në atdhe.
Të trashëgosh modën
Është rritur në një familje ku për modën është folur që kur ajo ishte e ende vogël, por duket se tani së fundmi e ka ndier vërtet se duhet të provojë emocionin e të qenit në qendër të vëmendjes, kjo edhe për faktin, se nuk i mungon as sharmi dhe zgjuarsia. Kejti Kondit, duket sikur rrugët e suksesit i janë hapur rastësisht, vetëm së fundmi, teksa është kthyer nga java e modës në Beograd, ku looku i saj është pëlqyer tej mase. Kjo ka qenë edhe nja arsye e fortë që u zgjodh mes vajzave të tjera për të pozuar për disa prej markave më të njohura të botës së modës.
“Të rritesh në një familje ku gjithmonë bëhet modë, ka pasur shumë ndikim tek mua, por vetëm tani jam dedikuar më shumë. Imazhi im ka një konsulente mjaft të fortë, është nëna ime, stilistja Zina Kondi”-rrëfen Kejti, vajza që së fundmi ka qenë protagoniste e disa prej revistave të kryeqytetit. Edhe pse ende nuk e di me siguri se fotografia dhe pasarelat do të jenë realisht e ardhmja e saj, ajo tregon se sërish do të mbetet një prej pasioneve të saj. “Tani së fundmi jam zgjedhur, së bashku me vëllain tim nga një kompani e njohur reklamash dhe pres shumë shpejt të fillojmë punën, kjo ndoshta do të më shtyjë më shumë për të vijuar me modelingun”-rrëfen për Mapo Kejti Kondi, e cila nuk e fsheh se prirjet e saj janë më të theksuara drejt shkencave të natyrës.
Një adoleshente e suksesshme
Ajo është vetëm 17 vjeç dhe për pak ditë mbush të 18-at, por ka filluar që 14 vjeçe të provojë drithërimën e blicit të aparatit fotografik. Erisa Pera, brenda një periudhe shumë të shkurtër është kthyer në imazhin e disa prej kompanive më të mëdha në tregun vendas, por megjithatë ajo beson se jashtë vendit, mund të ndihet më e vlerësuar se kaq. “Pas mbarimit të studimeve mendoj që të zhvendosem në Gjermani, ku edhe mendoj se do të jem më e vlerësuar, krahasuar me ofertat që më bëhen këtu, shumica e të cilave janë të papërfillshme”-tregon adoleshentja e suksesshme e Gjuhëve të Huaja.
Ka filluar që të jetë në treg që në moshën 14-vjeçare, që kurse edhe ka nisur të firmosë kontratat e para, me disa banka të rëndësishme, butiqe në kryeqytet apo dyqane të njohura. “Më pëlqen shumë fotografia, por atë nuk e ndaj as nga modelingu, të dyja kanë të bukurën e tyre”-tregon ajo. Edhe pse në moshë të vogël, ajo ka ditur që të dalë në krye kur vjen puna për të rënë dakord me firmat e njohura që e kanë zgjedhur të jetë imazhi i tyre, kjo edhe për faktin se shpesh në krah të saj i qëndron e ëma. Por, megjithë ofertat, ajo rrëfen se gjithmonë do të bëjë zgjedhjen e duhur, para kërkesave që vijnë. Ka edhe ajo kushtet e saj, asnjëherë me veshje intime, por vetëm brenda cakut që ia lejon edhe mosha e saj, përpos hapave gjigantë që ka bërë deri tani.
Një balerinë me
tipare aziatike
Ajo ishte bukuroshja e fjetur në një filxhan kafe, zgjohej dhe nën efektin e pijes magjike kërcente për të joshur një mashkull që të vendoste buzët për të pirë. Këtë marifet kanë përdorur ideatorët e një reklame kafeje pak kohë më parë, ku protagoniste ishte Erinda Zalla, një prej vajzave të reklamave, fytyra e së cilës ka kohë që është pjesë e ekranit. Ajo është një balerinë dhe prej vitesh ka qenë pjesë e magjisë së spektaklit, megjithatë përpos kësaj eksperience, ajo rrëfen se të qenit imazhi i një kompanie apo produkti, e ka joshur gjithmonë.
“Kontaktin e parë më reklamat e kam pasur vite më parë. Luaja rolin e Borëbardhës në një reklamë të një kompanie që ishte në treg me një llotari mjaft popullore dhe që nga kjo kohë jam përpjekur të zgjedh ofertat më të mira, për të qenë vërtet imazhi që më pëlqen”-rrëfen Erinda. Ajo e pranon se ka hyrë në tregun e reklamave me elementë të fortë, fytyrën e saj, atë që një prej miqve të saj e ka cilësuar si aziatike. “Dua të jem imazh, por me kusht që të mos ketë asnjëherë ekzagjerime, siç mund të jetë reklamimi i të brendshmeve, por do të më pëlqenin syzet apo parfumet”-pohon Erinda. Përsa i takon ofertave, duke qenë se prej vitesh është në treg edhe si një balerinë, ajo e di se ku duhet të zgjedhë, qoftë edhe kur bëhet fjalë për pagesat apo të zgjedhë të jetë imazhi i një produkti, që sipas saj, duhet ta përfaqësojë atë shumë denjësisht .
Silvi, një imazh i qëndrueshëm
Të gjitha eksperiencat e deritanishme në botën e reklamës pothuajse kanë qenë të papërfillshme për Silvi Bakiri, vajzën që prej dy vitesh është kthyer në imazhin e një vaji ushqimor, mjaft të fuqishëm në treg. Kjo ka qenë edhe një arsye e fortë, për ta bindur atë që të rinovojë për të dytin vit rresht edhe kontratën me kompaninë e njohur. “Jam studente në fakultetin Ekonomik dhe kjo që po bëj tani më ndihmon shumë për të vënë në praktikë gjithë teorinë e shkollës”-rrëfen për Mapo, Silvi Bakiri.
Ka provuar edhe disa eksperienca të tjera në media, por edhe në lidhje me promocionin, por tani që kam nënshkruar këtë kontratë për mua ato janë pothuajse të papërfillshme. Përsa i takon anës financiare, brenda të gjitha sekreteve të profesionit, Silvi refuzon të tregojë për shifra konkrete, por thekson se ajo ç’ka fiton është e mjaftueshme. “Mendoj se ana financiare është e rëndësishme për mua. Në fund të fundit edhe për faktin se është një motiv i fortë që të nxit për të punuar. Në fillim nuk pretendoja shumë, por tani që kam eksperiencë dhe kam nënshkruar kontratën e dytë e kuptoj vërtet rëndësinë e pagesës”-shpjegon imazhi i një prej produkteve më të reklamuara në treg. Përpos ofertave që ka pasur ajo rrëfen se aktualisht do të respektojë kushtet e kontratës se saj, e cila sipas saj ka gjasa të zgjasë për një periudhë të gjatë, ç’ka ë bën të jetë për një kohë të gjatë në treg.
Nga Miss në fotomodele
Dy herë në Miss Albania dhe një eksperience në një spektakël të ngjashëm bukurie në Turqi, nuk i kanë zbehur për asnjë moment dëshirën për të eksploruar me fotografinë. Oferta e parë për të qenë pjesë e reklamave i ka ardhur vite më parë nga një prej kompanive celulare dhe ajo nuk i rezistoi dot. “Kam pasur disa eksperienca si modele edhe në sfilita, por më pëlqen shumë të jem edhe pjesë e reklamave, sigurisht nëse plotësohen disa kushte, që të mos dal në bikini”-tregon Olta Çobani, një prej vajzave të reklamave.
Pothuajse të gjitha modelet vendosin kushte, përballë atyre që duan të përdorin imazhin e tyre dhe jo rrallë herë ndodh kjo gjë. Një prej ofertave të fundit që Olta ka pasur ka qenë propozimi që iu bë për të qenë imazhi i një marke të njohur cigare dhe ajo e pranoi. Fytyra e saj tani ka udhëtuar edhe në Greqi, ku edhe kjo markë e njohur duhani po bën një fushatë promocioni. “Në Shqipëri nuk ka ende një treg të sigurt dhe të drejtë për vajzat që punojnë si fotomodele apo imazhi i një kompanie. Shpesh fotot që merren nuk paguhen sa duhet si dhe mund të përdoren kudo pa pyetur”-thotë Olta, e cila tashmë rendit një sërë reklamash të forta në CV, mes të cilave një prej kompanive celulare, pije freskuese dhe në median e shkruar, ç’ka e bën të ndihet më këmbë në tokë.
Olsi Kolami - Revista Mapo