Femijet e zhdukur te Shqiperise Kthejini ne shtepi!

Femijet e zhdukur te Shqiperise: Kthejini ne shtepi!

Shoqëria kujtohet për fëmijët e zhdukur 1 herë në vit. Familjet e tyre jetojnë çdo ditë me sytë nga dera dhe me ankthin e fatit të tyre të panjohur. Autoritetet janë dorëzuar dhe asgjë nuk dihet për fatin e Bleona Matës, Marteo Bejajt, Julian Çelës, Isa dhe Mirjeta Matmujës apo fëmijëve të tjerë të zhdukur të Shqipërisë.  Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA ka hapur linjën e telefonit Alo 116 për këdo që ka informacione për ta. Policia nxjerr hera-herës dosjet e pluhurosura nga sirtarët, e megjithatë, asnjëri prej tyre nuk i është kthyer prindërve. Por cilat janë historitë e fëmijëve të humbur? Rrethanat e zhdukjes së tyre dhe dyshimet se ku mund të kenë përfunduar. “Mapo” risjell sot në vëmendje gjithë sa dihet për këta fëmijë.

22 maj 2010    

Ishte ditë e shtunë, kur fshati Zapod i Kukësit u trondit nga një ngjarje, plaga e së cilës është ende e hapur. Bleona Mata, vajza 6-vjeçare zhduket në mal, vetëm pak metra larg shtëpisë së saj. Pesë vajza të rritura, të cilat po kullosnin bagëtitë kanë qenë dëshmitaret e momentit të fundit të Bleonës. Alketa Mataj, halla e Bleonës, Qamile, Rudina e Diana Mataj dhe Gentjana Mangaj kanë dëshmuar disa herë në polici, por pa thënë se çfarë ndodhi me 6-vjeçaren nga fshati Zapod. Banorët e zonës kanë parë të qarkullojë në fshat një makinë të panjohur, që ndoshta ka rrëmbyer Bleonën. Prindërit e vajzës akuzojnë policinë e Kukësit për neglizhencë gjatë hetimeve dhe për mosmarrjen në pyetje të dëshmitareve. Aktualisht shumica prej tyre janë larguar nga Zapodi dhe megjithë dëshmitë e tyre kontradiktore në studion e “Njerëz të Humbur” që hidhnin direkt hije dyshimi mbi to, nuk u mor asnjë masë nga organet kompetente. Kërkimet intensive e publikimet për një kohë të gjatë në media nuk sollën asnjë rezultat. Nëna e vajzës dhe gjyshi i saj vazhdojnë kërkimet, sa në rajon e deri në Turqi, por gjetja e saj rezultoi e pamundur edhe 4 vite më pas. Dosja vazhdon të mbetet në zyrat e policisë.

16 korrik 2011

Marteo Bejaj, 15-vjeçari nga Novosela e Vlorës ka humbur kontaktet me familjen prej 3 vitesh, pa asnjë gjurmë. Ai ka dalë drekën e një të shtune me rroba shtëpie për të luajtur në lagje, por prej atij momenti askush nuk di asgjë për të. Familjarët deklaruan për policinë se Marteo nuk u kishte hapur asnjëherë probleme dhe se nuk ishte larguar më parë nga shtëpia. Megjithë kërkimet e kryera, policia e Vlorës nuk mundi të gjejë asnjë gjurmë të 15-vjeçarit. Tri ditë më parë, familjarët e Marteos iu bënë sërish apel strukturave shtetërore t’i kthejnë sytë nga fati i këtij fëmije. “Kthejeni në shtëpi”, – ishte kërkesa e tyre për ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin Edi Rama.

Fëmijët Matmuja

Isa dhe Mirjeta Matmuja tashmë duhet të jenë 7 dhe 9 vjeç. Dy fëmijët janë denoncuar si të zhdukur nga nëna e tyre, e cila akuzon për këtë ngjarje ish-bashkëshortin e saj, Shaqir Matmuja që prej vitit 2010. Gjykata austriake, vend ku kishte emigruar çifti, ia kishte lënë kujdestarinë e fëmijëve nënës, por me t’u dhënë vendimi, babai rrëmben fëmijët dhe zhduket pa gjurmë. Policia e shpalli në kërkim dhe arriti të zbulonte se ai kishte udhëtuar drejt Kosovës. Në këto kushte, policia austriake e shpall në kërkim ndërkombëtar babanë e fëmijëve. Por, pavarësisht denoncimit për rrëmbimin e fëmijëve, Shaqir Matmuja ka kaluar me identitetin e tij në pikat e kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri rregullisht deri më 18 janar të vitit 2011. E ëma e fëmijëve ka vendosur edhe 10 mijë euro shpërblim për ata që kanë informacione për fëmijët, duke lënë edhe një mesazh në rrjetin social “YouTube”. Megjithatë, asnjë gjurmë e fëmijëve nuk është gjetur ende.

30 nëntor 2012

Julian Çela, djalë i një zyrtari të Shërbimit Informativ Shtetëror, u zhduk pa asnjë gjurmë pasi kishte dalë nga shtëpia për në një qendër internet në lagje. Familjarët e tij e denoncuan zhdukjen në polici, pa ditur asgjë se ku kishte përfunduar djali 10-vjeçar. Policia ndoqi disa pista dhe zhvilloi kontrolle në zona të ndryshme të Tiranës, por pa rezultat. Çështja e tij u rikthye furishëm në qendër të opinionit publik pas arrestimit të pedofilit Ardian Prrenjasi. “Unë e kam vrarë Julian Çelën dhe trupin e tij e kam hedhur në plehra”,- dëshmoi para policisë Ardian Prrenjasi. Policia kontrolloi për ditë me radhë vendgrumbullimin e plehrave në Sharrë, por asnjë gjurmë e fëmijës nuk u gjet. Nga ana tjetër, muaj pas arrestimit Ardian Prrenjasi kishte tërhequr dëshminë e tij, duke thënë se nuk e njihte fëmijën 10-vjeçar. Tanimë, familjarët e Julianit gjenden ende mes ankthit dhe shpresës. Ndërsa drejtësia nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje për fatin e tij.

Zhdukjet e viteve ‘90 

12 mars 1992,vogëlushja Juliana Hoxha, në atë kohë 6 vjeçe e gjysmë, rrëmbehet në orën 10 të paradites përpara shtëpisë së saj, pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Dëshmitarët panë makinën të largohet bashkë me gruan që e tërhoqi brenda, por rasti nuk u zbardh kurrë. Megjithë denoncimet e bëra në polici e bujën në shtypin e kohës, ajo u harrua ndër vite…Prapa rrëmbimit të saj thuhet se qëndronin komshinj të Julianës dhe punonjës policie. Kjo nuk u vërtetua asnjëherë, sepse dosja zuri pluhur dhe denoncimi i familjes u zhduk si të mos kishte ekzistuar kurrë.

 4 qershor 1995, ora 11 e paradites. 4-vjeçari Nuz Luga u rrëmbye përpara pallatit të tij në Durrës. Banorët e lagjes panë makinën me targa të Fierit, e cila qarkullonte në zonë bashkë me djalin e vogël brenda me gojën e lidhur. Më 10 gusht 1995, policia arreston çiftin Sokol e Majlinda Dema nga Durrësi, me akuzën e rrëmbimit të Nuz Lugës. Gjatë procesit gjyqësor ata nxorën bashkëpunëtorët e tjerë, Flamur e Flora Dino dhe Kasem Murati nga Fieri, të cilët e kishin shitur 4-vjeçarin për 300 mijë lekë të vjetra dhe e kishin nisur gjoja drejt Greqisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama