Vendimi me burg
Ky vendim është dhënë nga Gjykata e Milanos, ndërsa një dënim me 24 vjet burg i është dhënë atij dhe nga Gjykata e Romës. Shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar është bërë me herët, por ekzekutimi është realizuar pas më shumë se 10 vjet. Arsyeja e kësaj vonesë të ekzekutimit të këtij urdhri kërkimi nga ana e Interpolit shqiptar nuk bëhet publike ndërkohë që Kajolli gjatë kësaj kohe kishte ndërtuar një biznes të tijin dhe kishte një aktivitet politik shumë të njohur në qarkun e Fierit. Ai është këshilltar bashkiak përfaqësues i Partisë Republikane ndërsa në Qarkun e Fierit është angazhuar gjerësisht në fushatat elektorale për mazhorancën e djathtë por edhe për kandidatët e majtë në zgjedhjet lokale. Bizneset e tij kanë marrë përsipër shumë nga punët publike që realizohen me fondet e bashkisë së Fierit. Ndërkohë që Kajolli përmendet si mik i disa ministrave në qeverinë aktuale.
Akuzat
Në Itali ai është akuzuar për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale të trafiqeve ilegale. Për të janë dhënë dy dënime me burgim, në mungesë ndërkohë që policia italiane kishte vërtetuar me anë të përgjimeve përfshirjen e tij në këtë rrjet. Ai është shpallur në kërkim dhe pas vendimit të Gjykatës së Milanos ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të gjykatave italiane me arsyetimin se avokatit të tij shqiptar nuk i ishin dhënë në dispozicion materialet e gjyqit në gjuhën shqipe. Kërkesa për shfuqizim është bërë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në prill të vitit 2008 gjykata rrëzoi kërkesën dhe la në fuqi vendimin e gjykatave italiane, ky është vendimi i dhënë nga kjo Gjykatë Evropiane. Biznesmeni dhe aktivisti politik tani pritet të dalë para gjykatës në Fier për masën e ndalimit në pritje të kërkesës dhe dokumenteve të shtetit italian që pritet të kërkojë ekstradimin e tij për të vuajtur në burgjet italiane dënimin prej gati 40 vjet burgim.











