Fan S. Noli kryeministri me i kulturuar i Ballkanit

Fan S. Noli, kryeministri me i kulturuar i Ballkanit

Në nderim të 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të diplomatit, shtetarit, përkthyesit, priftit, poetit e historianit shqiptar Fan S. Nolit, Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Fondacionin “Fan Noli”, organizuan dje përurimin e botimit me aktet e konferencës shkencore, “Fan Noli kryeministër”, kushtuar 90-vjetorit të Revolucionit të Qershorit dhe rolit të F. Nolit në zhvillimet demokratike të Shqipërisë së viteve 1920-’30, të shekullit të kaluar. Fondacioni Fan Noli’’ka mbështetur në vijimësi promovimin e këtij personaliteti të kulturës dhe historisë kombëtare, përfshirë disa monografi për jetën dhe veprën e Nolit, ngritjen e monumentit të Fan Nolit pranë shkollës që mban emrin e tij në Tiranë, një CD me krijimtarinë muzikore të Nolit etj.

Një ngjarje e veçantë mund të konsiderohet edhe bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave për konferencën shkencore, qershor 2014, me rastin e 90-vjetorit të kryesimit të qeverisë shqiptare, në gjysmën e dytë të vitit 1924. Në hartimin e librit, kanë kontribuar studiues si akademikët: Jorgo Bulo, Dhimitër Anagnosti, President Nderi i Fondacionit Fan S.Noli, prof. Dr. Nasho Jorgaqi, prof. Dr. Pëllumb Xhufi, prof. Dr. Hamit Kaba, prof. Dr. Shaban Sinani, prof, Ksenofon Krisafi, studiuesja Danja Sinanaj etj.

Kaliopi Naska: Botimi për Nolin hap dritare të reja për studiuesit

Fakte të reja historike, në kohën kur vepron Fan S. Noli, por dhe mjaft ngjarje të veprimtarisë së tij, si kryeministër në një këndvështrim të ri, që hedhin mendime me vlerë studimi dhe rishikimi, vijnë nëpërmjet librit “Fan Noli Kryeministër”. Botimi me prurje studimore i shërben historisë dhe kulturës shqiptare kombëtare, ngjall interes, hap dritare në disa prej ngjarjeve në të cilat veproi si kryeministër gjatë shërbimit të tij. Libri përmban aktet e konferencës shkencore të organizuar së bashku me Akademinë e shkencave me rastin e 90-vjetorit të qeverisë së kryesuar nga Fan Noli, edhe njëkohësisht të përvjetorit të 50-të të vdekjes së tij, duke sjellë kontribut në vëzhgimin e mëtejshëm të kësaj kulture poliedrike të Fan Nolit, me këndvështrime të reja, gjykime mbi dobësitë dhe prurjet e çmuara nga ky kryeministër i kësaj epoke në historinë shqiptare. Botuesi Naim Zoto, njëkohësisht dhe kryetar i Fondacionit Fan Noli dhe redaktori prof. Dr. Shaban Sinani, kanë qenë shumë të vëmendshëm, që botimit historiko-politik me kontribute të reja shkencore, t’i bashkëngjitet dhe një album me studime preferenciale të dijetarëve shqiptarë për Nolin që nga: Faik Konica, Mitrush Kuteli dhe Eqrem Çabej. Në shërbim të plotësimit figurës së Fan Nolit, si kryeministër janë gjetur mjaft të goditura dhe të përzgjedhura botimi i pamfleteve të tij, Jatagani dhe Kalemi.

Libri fillon me një shënim hyrës nga prof. Jorgo Bulo dhe Dhimitër Anagnosti, edhe pasohet në vijimësi me prurjet shkencore të profesorëve të nderuar dhe të studiuesve të rinj pjesëmarrës në këtë konferencë. Vlen të theksohet se në të gjitha kumtesat përshkruhet vlerësimi unik për Fan Nolin, si një nga kryeministrat më të kulturuar të Ballkanit, një nga krerët e kulturës evropiane të kohës ndër të paktët që kishte kryer universitetin e famshëm të Harwardit. Shqiptari më i shquar në Amerikë, politikan, diplomat, orator, poet, muzikolog dhe përkthyes. Autorët, sipas fushave të tyre të studimit mbi figurën e Fan Nolit kanë bërë objekte të studimeve të tyre, aspekte të veçanta të veprës së tij.

Prof. Jorgo Bulo në fjalën shkencore cilëson se, për herë të parë në historinë e Shqipërisë vinte një kryeministër si Fan Noli , një peshkop ortodoks, rast unikal në të gjithë Evropën, themelues i kreut Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që shënoi pavarësinë e ortodoksisë shqiptare nga pushteti i Stambollit, dhe në krye të qeverisë së një vendi me shumicë dërrmuese myslimane, që dëshmon se shqiptarët nuk kanë paragjykime, prej të cilave po vuan dhe vazhdon të vuajë akoma Ballkani. Këtë vlerësim e gjejmë në të gjitha aktet e konferencës që janë botuar. Nën kontributin lidhjeve të kombeve, që ishte një nga arritjet më të mëdha në karrierën diplomatike të Nolit dhe historisë politike të shtetit shqiptarë, Dhimitër Anagnosti, regjisor( Nder i Kombit) themeluesi i Fondacionit Fan Noli e përcakton Nolin, si një model të përhershëm, i cili qe një kontribut i madh që u jep rastin historianeve, që të thellohen dhe ndriçojnë në objekt veprën e tij. Kontribut në vete ka dhënë Nasho Jorgaqi, biografi i Nolit, autor i njohur i shumë librave dhe monografive përmes kumtesave. Për Nolin në muajt e parë të qeverisjes, sillen fakte dhe detaje të reja të vështirësive të panumërta, që ka hasur kjo qeveri duke iu referuar disa argumenteve, dokumenteve dhe arkiva, që iluministët, që e shtyn Nolin të besojë se gropa e civilizuar do ta mbante qeverinë e tij, si një kabinet anti-feudal, dhe popullin e tij do ta mbante larg nga errësira mesjetare.

Autori ndalet në trajtimin e detyrës më të madhe dhe më të vështirë, që ishte dhe para qeverisë agrare në politikën e brendshme, që kishte të bënte me pjesën dërrmuese të popullit, ndërsa në pjesën e politikës së jashtme të qeverisë së Nolit, biografi gjen rastin të nënvizoi se qëndrimi i Anglisë ishte përcaktues dhe në politikën evropiane në këtë periudhë. Në këtë kontekst Noli e kishte kuptuar se cilat ishin qëndrimet që duheshin mbajtur. “Fan Noli diplomat” ishte tematika qendrore e punimit të prof. Dr Paskal Milos, në të cilën thekson se F. Noli ishte një diplomat i përkryer, në një kohë ku të gjitha qeveritë shqiptare të vitit 1920 e këtej do të dëshironin ta kishin kryeministër të jashtëm, por ai pranoi vetëm njërin prej tyre, që ishte kreu i diplomacisë shqiptare për një kohë të shkurtër. Ndalet në pikat kryesore ku analizon vullnetin dhe dëshirën për t’i shërbyer popullit. Duke qenë analitik, ai nuk anashkalon as dobësitë e Nolit, as të veprës dhe diplomacisë së tij në politikën e jashtme, në rrethanat ndërkombëtare të kohës.

Pëllumb Xhufi: Beteja për rendin demokratik, tentativa e dështuar e vitit 1924

Botimi dhe prezantimi i librit “Fan Noli Kryeministër”, do të thoja se është një ngjarje e shënuar, për nder të 50-vjetorit të politikanit, diplomatit, oratorit, poetit, muzikologut dhe përkthyesit Fan S. Noli. Duke u nisur nga kontributet e autorëve, ajo që më erdhi në mendje teksa lexoja këtë vepër është që ta quaj Nolin rilindësi i fundit, ky është një titull që jua japin shumë personaliteteve me të drejtë, por për mua ky titull për Nolin është i merituar, gjykoj unë, sepse ai i vuri detyrë vetes të realizonte 3 misione të rilindjes kombëtare:

E para ka krijuar kishën shqiptare autoqefale me priftërinj shqiptarë, ndërsa misioni i tij i dytë ishte që të shkruante “Historinë e Skënderbeut” ku siç thotë Fan Noli, Skenderbeu ishte katalizatori për ndërgjegjen e shqiptarëve. Misioni i tretë ishte të krijonte një rilindje sociale, të cilën nuk arriti ta realizonte. Në fillimet e veprimtarisë së tij, edhe demokrati e liberali i madh, Fan Noli, e pati të vështirë të orientohej në rebusin e ngatërruar të realitetit shqiptarë. Ishte i bindur, se në një shoqëri tej mase të varfër dhe të prapambetur, elitës së vjetër të bejlerëve e të bajraktarëve u binte gjithsesi barra të udhëhiqnin procesin politik.

Dhimitër Anagnosti : Noli është një model  i përherdhëm

Ndihem jashtëzakonisht i nderuar, që bëhem pjesë e përkujtimit të figurës së Fan Nolit, kësaj figure emblematike të kulturës dhe historisë së kombit shqiptar. Këtu e 20 vjet më parë, në fillimet e tranzicionit të vështirë nga regjimi totalitar komunist, drejt demokracisë e shoqërisë së hapur, kur mora nismën për të themeluar një fondacion kulturor në shërbim të artit dhe letërsisë shqiptare, duke e pagëzuar me emrin e viganit, kjo nuk ishte një përzgjedhje e rastit, apo e nisur nga simpatitë e mia personale ndaj artit dhe kontributit të Fan Nolit. Lidhur me Nolin Kryeministër, unë nuk mund të rri pa përmendur faktin e evidentuar se kryeministri shqiptar i asaj kohe, pra Noli ynë, ishte Kryeministri më i kulturuar i Ballkanit e më gjerë. Kësisoj vazhdoj të jem i mendimit se një shoqëri, një popull, një komb, një qeverisje nuk mund të jetë kurrë e suksesshme, nuk mund të sigurojë një progres të qëndrueshëm të vendit në rast se nuk mbështetet dhe nuk mbështet kulturën, njerëzit e kulturës dhe projektet kulturore. Dhe nuk e kam thjesht për kulturën në përgjithësi, por sidomos për kulturën dhe artin shqiptar, për gjuhën shqipe, kinemanë, muzikën dhe letërsinë shqiptare.

Shaban Sinani: Viti 1924 në poezinë e Fan S. Nolit

Fan Noli është nga të paktët autorë shqiptarë, poezia e të cilëve mund të cilësohet antologjike në tërësinë e vet. Poezia e Nolit ka zgjeruar mundësit e ligjërimit shqip dhe figura të njohura të saj janë kthyer në formula shëtitëse në të folurën e përditshme. Periudha më e favorshme për njohjen dhe studimin e poezisë së Nolit ishte ajo e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Mund të ketë ndikuar pozitivisht për këtë, veç emrit të vetë Nolit, edhe anti-monarkizmi zyrtar i shtetit komunist, që ishte shpallur e vendosur qysh në Kongresin e Përmetit (24 maj 1944).

Profesor. dr. Jorgo Bulo: Një intelektual në krye të një vendi me një shumicë myslimane

90 vjet më parë, kur për të qeverisur një shtet ende në shpërgënj formohej një qeveri e re e dalë nga një revolucion demokratik, në krye të këtij kabineti qeveritar vinte një kryeministër disi i përveçëm, F.S. Noli, një peshkop, ortodoks, themeluesi dhe kreu i Kishës Ortodokthe Autoqefale Shqiptare. Në krye të qeverisë së një vendi me një shumicë dërrmuese myslimane vinte një intelektual i profilit të lartë i diplomuar në Harward, që me kulturën e tij, bënte kontrast me nivelin kulturor të qytetarëve që do të qeveriste dhe të klasës politike që e rrethonte, një njeri i letrave dhe i shkencës, me shpirt artisti, pa ndonjë përvojë shtetari, por me mendje të hapur, në kontrast me mendësinë e ngushtë orientale të shoqërisë shqiptare dhe të qeverisjes që përmbysi revolucioni i vitit 1924, dhe së fundmi një kryeministër që vinte nga një diasporë e vendosur diku larg, në kufirin që ndan Europën nga Azia, dhe që kishte jetuar vetëm disa muaj në vendin që do të qeveriste. Por, për F.S Nolin, tribun i lëvizjes demokratike të kohës, intelektuali që me idetë e tij vuri në lëvizje forcat që kryen një revolucion politik e shoqëror, ky akt me rëndësi historike në jetën e vendit nuk ishte aksioni i tij i parë politik.

Paskal Milo: Fan Noli diplomat


Përkujtimi i 90-vjetorit të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924 është një rast që jep shkas për të gjithë studiuesit, që t’i rikthehen kësaj ngjarjeje dhe protagonistëve të saj, jo thjesht për hir të traditës. Ajo, si pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare të shekullit të kaluar, siç ngjalli kundërthënie e kundërvënie në kohën e vet, ashtu vazhdon edhe sot, diku me të drejtë e diku pa të drejtë, të jetë ende objekt debati shkencor, por edhe jo vetëm i tillë. Natyrisht, nga procesi i kërkimit shkencor dalin edhe dokumente e elemente të reja, që domosdoshmërish kërkojnë reflektim e justifikojnë edhe këndvështrime të reja. Fan Noli, si protagonist i Revolucionit të Qershorit dhe si kryeministër i qeverisë së dalë prej saj, ka qenë e mbetet një figurë shumë tërheqëse për studiuesit e disa fushave.

Revolucioni ka qenë pika kulmore në jetën e tij politike, por Noli nuk mund të kuptohet kaq mirë se çfarë bëri e si e bëri, nëse vepra e tij nuk gjykohet në një dimension kohor më të gjerë se në ato gjashtë muaj të qeverisë së tij në Shqipëri. E, meqë unë kam marrë përsipër të flas për Nolin si diplomat, po bëj një përpjekje që ta shoh përtej kornizës kufizuese kohore, që na imponon formalisht edhe kjo konferencë. Noli nuk u formua si diplomat në ndonjë shkollë të posaçme diplomacie, as edhe në ndonjë shërbim diplomatik shtetëror në moshën e rinisë së tij. Qëmoti diplomacia ka qenë privilegj e zanat i aristokracisë e i shtresave të larta të shoqërisë. Duhej t’u përkisje familjeve të fisnikërisë, duhej të ishe princ, lord, dukë, kont, markez etj., që të hapeshin dyert e diplomacisë.

Noli ku u nis nuk i shkonte në mendje se e as guxonte të ëndërronte se një ditë do të takonte njerëz të shquar të kohës së vetë, presidentë e kryeministra, ministra e ambasadorë edhe se do të arrinte të ligjëronte në auditorin më të madh e më prestigjioz të diplomacisë së kohës, siç ishte Lidhja e Kombeve.

Prof. dr. Hamit Kaba: Noli për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë Luftës së II Botërore

Vendi i diasporës shqiptare në SHBA, sidomos i Vatrës dhe Nolit për periudhën që po trajtojmë, është i veçantë, jo thjesht për numrin e të mërguarve shqiptarë të grupuar rreth saj, por për angazhim të spikatur për çështjen kombëtare dhe probleme të mëdha, me të cilat është përballur kombi shqiptar Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas mbarimit të saj. shumica e Shqiptarëve të Amerikës për periudhën që trajtojmë ishin qytetarë amerikanë, por kulturalisht ata kanë mbetur shqiptar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama