Fakultetet Autonomia ne rrezik projektligji te rivleresohet

Fakultetet: Autonomia ne rrezik, projektligji te rivleresohet

Projektligji i Arsimit të Lartë i është nënshtruar vlerësimit të stafit të pedagogëve të fakulteteve të Universitetit të Tiranës dhe pas diskutimeve janë nxjerrë mendimet zyrtare, që do i përcillen qeverisë, me kërkesën për të bërë ndërhyrjet konkrete. Ajo çka bie ndesh me Kushtetutën, sipas Këshillave të Fakulteteve është pavarësia e universitetit, e cila vihet në rrezik. Gjithashtu, sistemi i Bolonjës, i cili me ligjin aktual është funksional, rrezikon të shndërrohet, për arsye se shkelen një sërë parimesh të Kartës, që ligji aktual i përcakton. Një argument i përbashkët që shkon në oponencë me projektligjin është dhe koha e shkurtër, që iu la në dispozicion Fakulteteve për të shprehur rekomandimet e tyre. Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë shkon në përfundimin se autonomia, e cila garantohet me ligj, nuk arrin të materializohet, pavarësisht nga parimet që listohen në draft, ndërsa në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, shqetësues është krijimi i disa agjencive, për të cilat nuk është i qartë roli dhe funksioni i tyre. Zhvlerësohet tradita gjysmë-shekullore “Reforma në Arsimin e Lartë duhet të fillonte pasi të realizohej ajo në Arsimin Parauniversitar dhe pasi të ishte analizuar më parë një studim serioz mbi trendet e reja të tregut të punës në Shqipëri për vitet e ardhshme.

Projektligji paraqet problematika të ndjeshme mbi të cilat duhet të reflektohet seriozisht, duke marrë në konsideratë mendimet dhe vlerësimet e aktorëve kryesorë në fushën e Arsimit të Lartë, stafeve akademike dhe studentëve. Në projektligj preken aspekte thelbësore të organizimit dhe funksionimit të sistemit të Arsimit të Lartë në Shqipëri, që ndryshojnë filozofinë dhe fizionominë e deritanishme të Arsimit të Lartë dhe zhvlerësojnë arritjet e realizuara nga institucionet publike të Arsimit të Lartë për një gjysmë shekulli. Kjo traditë më shumë se gjysmë shekullore do të ishte mirë që të respektohej dhe të merrej parasysh, sepse tradita nuk ka shërbyer si bazë e reformës. Është e ndjeshme mungesa e një studimi paraprak, të plotë dhe korrekt lidhur me komponentët e Arsimit të Lartë që synohen të reformohen. Në këtë projektligj shkelen parime të rëndësishme të Kartës së Bolonjës, në kuadër dhe për zbatim të së cilës ndërmerret iniciativa e kësaj reforme. Në projektligj listohen një sërë parimesh, por nuk arrihet të materializohet qartë parimi, që parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 57, pika 7 “Autonomia e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike garantohet me ligj”, thuhet në konkluzionet e Fakultetit të Drejtësisë Ku po shkojnë financat? Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ngrihet një shqetësim kyç, i cili lidhet me shpërndarjen ne parave nga shteti në Arsimin e Lartë publik dhe privat.

“Financimi nga buxheti i qeverisë edhe i institucioneve të tjera të Arsimit të Lartë që nuk janë publike, cenon drejtpërdrejt interesat e IAL-ve publike, duke favorizuar në mënyrë jo transparente financime për IAL që nuk janë publike. Në nenin 2, pika 1 të projektligjit nënvizohet “Arsimi i Lartë është shërbim publik”. Shumë universitete publike në Evropë sigurojnë arsimim falas për studentët edhe në Ciklin e parë, si në Danimarkë, Zvicër, Finlandë, Norvegji, Austri, Republika Çeke, në disa lande të Gjermanisë, Skoci, Qipro, Maltë, Greqi. Në disa shtete të tjera si: Islanda, Hollanda, Polonia, Sllovakia dhe Turqia studentët paguajnë edhe për Ciklin Bachelor. Në vende të tjera të Evropës tarifa e shkollimit përcaktohet në raport me të ardhurat individuale ose familjare, si në Belgjikë, Estoni, Francë, Hungari, Itali, Letoni, Rumani. Nisur nga sa më lart, institucionet publike mbështeten financiarisht nga shteti, si detyrim kushtetues që shteti ka për qytetarët e tij”, citohet në njërin nga konkluzionet e FGJH-së. Kohëzgjatja e punësimit Neni 69, pika 1 dhe 2 lë mjaft vend për abuzim dhe mungesë transparence. Personeli me titull “Profesor” shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç.

Pas mbushjes së kësaj moshe, ai mund të angazhohet vetëm si pedagog i jashtëm, nëse njësia bazë e kërkon një gjë të tillë. Gjithashtu, personeli me titull “Profesor i asociuar” shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç dhe pas kësaj moshe, ashtu si në rastin e Profesorit, mund të angazhohet si pedagog i jashtëm, nëse njësia bazë do ta gjykojë të arsyeshme. Lënia e afatit të rinovimit të kontratës pa limit kohor është mjaft jo transparente dhe vonon zëvendësimin e trupës akademike me staf të ri, duke i penguar këta të fundit në të drejtën e tyre të punësimit.

Nuk dalin llogaritë financiare

Disa prej pyetjeve më të rëndësishme që shtrohen nga dekanatet në “librin” e vërejtjeve janë si më poshtë; A janë parashikuar pasojat financiare të këtij ligji? Sa për qind të të ardhurave nga tarifat e shkollimit do të përdoren për ngritjen dhe funksionimin e strukturave (agjencive) të reja? Cilat janë kriteret mbi bazën e të cilave do të bëhet shpërndarja e fondeve publike tek IAL-të publike? Për sa më sipër, sugjerojmë që neni 4.3 i projektligjit të bëhet shprehës dhe jo cenues i parimit të autonomisë financiare duke parashikuar të drejtën e IALve publike për të administruar vetë të ardhurat, që krijohen nga tarifat e shkollimit (të ardhurat dytësore). Sipas formulimit në këtë variant të projektligjit, ai vjen në kundërshtim me frymën e parimit të autonomisë universitare të garantuar me Kushtetutë dhe të konsoliduar nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke krijuar varësi ekonomike, e cila do të manifestohet edhe në varësi institucionale të universiteteve publike nga agjencitë ekzekutive.

"Absurde që ministri vlerëson të emëruarit e Presidentit”

Ministri nuk mund të shkarkojë një organ të zgjedhur nga personeli akademik. Kjo e drejtë e ministrit bie në kundërshtim me parimet e autonomisë universitare, si edhe me një sërë parashikimesh kushtetuese. Kështu, duke ripërsëritur jurisprudencën e mësipërme nuk rezulton që ministri të jetë organ epror i Universiteteve, të cilat kanë autonominë e tyre. Për më tepër ministri nuk mund të shkarkojë një funksionar, i cili sipas kushtetutës emërohet nga Presidenti i Republikës. Pra, ministri nuk mund të bëjë vlerësimin e funksionarëve të emëruar nga kreu i shtetit. Procedura që mund të ndjekë ministri në rrethanat e kësaj dispozite është që të urdhërojë pezullimin e tij dhe t’ia dërgojë çështjen për procedura të mëtejshme Presidentit.

Ky formulim, i cili i referohet rregullimit që ligji aktual në fuqi (ligji i 2007), është kundërshtuar në vitin 2008 në Gjykatën Kushtetuese nga Konferenca e Rektorëve. Kjo e fundit, për mosarritje të shumicës së nevojshme e ka rrëzuar këtë kërkesë. Nisur nga fakti që anëtarësia në Gjykatën Kushtetuese është ndarë në mënyrë të barabartë bën të diskutueshëm, edhe formulimin e ligjit aktualisht në fuqi. Qartësisht, ndryshimi i kësaj dispozite në formën në të cilën ka ardhur nga ky projektligj, i vendos rektorët e IAL-ve publike nën kontrollin e ministrit të Arsimit, i cili nuk konsultohet apo nuk vlerëson edhe një mendim tjetër (për shembull të senatit akademik apo me Presidentin), por vendos menjëherë për shkarkimin e tij. Jemi të mendimit që kjo situatë nuk duhet të lihet vetëm në vlerësimin e ministrit përgjegjës për arsimin, por duhet t’i nënshtrohet një filtri shtesë.

Kur kontrollon shteti nuk ka universitete të lira

Duket se drafti ka ngjallur debat edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Këshilli i këtij fakulteti ka dalë me 12 sugjerime, ku kërkohen ndryshimet e nevojshme, në mënyrë, që ligji i Arsimit të Lartë të jetë funksional. “Ky projektligj ka disa probleme krahasuar me ligjin paraardhës, pasi nuk del qartë se, kush është autoriteti dhe përfaqësuesi i institucionit të Arsimit të Lartë. Ky projektligj ka dy koka: Rektorin dhe Administratorin. Në lidhje me Statutin thuhet se hartohet nga Senati Akademik dhe Administratori, edhe miratohet nga Bordi i Administrimit, në të cilin pjesa më e madhe e anëtarëve janë nga Ministria. Statuti duhet të miratohet vetëm nga Senati Akademik dhe më pas të kalojë në hierarkitë përkatëse. Në projektligj i jepen shumë kompetenca Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Arsimit, gjë që cenon autonominë e institucioneve të Arsimit të Lartë. Ky projektligj do të krijojë shumë probleme në rast se, për çdo gjë do të autorizohej Ministria. Në projektligj përmenden shumë agjenci ku nuk kuptohet mirë roli i tyre. Në lidhje me strukturën e universiteteve nuk del mirë roli i secilës strukturë (Rektor, Dekan, Përgjegjës Departamenti).

Vërtet disa kompetenca i kalojnë departamentit, por finalizimi i tyre mbetet i paqartë. Si do komunikojë departamenti me drejtuesit më lart? Dekani nuk përmendet pothuajse fare. Në projektligj flitet për një Asamble Akademike, por nuk thuhet kush e drejton, është hequr edhe Këshilli i Fakultetit. Asambleja, sipas ligjit ka disa detyra specifike, si emërimin e Rektorit dhe Drejtuesit të njësisë bazë, por nuk ka rol tjetër. Në piramidën e organizimit të personelit ndihmës- mësimor nuk del qartë roli, duhet të jetë më i qartë dhe i kuptueshëm pasi ne jemi fakulteti, që prekemi më shumë. Ky ligj na kthen në kohë kur çdo gjë kalon në varësi të shtetit, duke cenuar autonominë e institucioneve të Arsimit të Lartë. Në momentin që futet shteti në kontrollin e universiteteve nuk ka më universitete të lira. Ky ligj heq të drejtën e studentëve për të votuar për zgjedhjen e Rektorit dhe të Dekanit, heq të drejtën e studentëve për t’u përfaqësuar në strukturat e fakulteteve.

Ligji vërtet i jep autonomi më të madhe njësisë bazë, departamentit, por në rangje më të larta është vetëm shteti. Shteti mesa duket në nismat që ka marrë do të fusë në kupolën e kontrollit, si institucionet publike dhe ato private. Nuk duhet lejuar që shteti të fusë duart në autonominë e universiteteve dhe mirëfunksionimin e tyre. Me këtë ligj do të ndodhë që një pjesë e institucioneve private të kalojnë në publik të pavarur, pra do futen në buxhetin e shtetit, ku arka e shtetit për kërkim shkencor dhe mësimdhënie do të ndahet midis të gjithëve. Fryma e projektligjit çon në centralizim të sistemit. Në ligj futet dhe koncepti i institucionit të pavarur, duke rritur riskun e integrimit të universiteteve jopublike. Në hartimin e projektligjit, duket qartë ndikimi i përfaqësuesve të institucioneve private. Në ligj parashikohet (neni 144, pika 3), që fitimi i titujve akademikë bëhet, jo më herët se një vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjë që do sillte ngrirje për një periudhë të gjatë kohore”, thuhet në gjetjet e dekanatit të FSHN-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama