Fakte te panjohura mbi marredheniet e Konices me mbretin Zog dhe Fan Nolin

Fakte te panjohura mbi marredheniet e Konices me mbretin Zog dhe Fan Nolin
Një libër i ri për Faik Konicën (1876-1942) është duke u përgatitur për botim. Autori, Ilir Ikonomi, i cili punon për Zërin e Amerikës në Uashington, na jep një portret të Konicës si diplomat në kryeqytetin amerikan. Kjo pjesë e jetës së njeriut të madh të kombit, pak e eksploruar deri tani, i paraqitet lexuesit në atmosferën politike dhe sociale të Amerikës së asaj kohe. Autori ka bërë kërkime të shumta në arkivat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Shqipërisë dhe sjell fakte të panjohura mbi marrëdhëniet e Konicës me mbretin Zog, Fan Nolin, Kostë Çekrezin dhe personazhe të tjera të kohës si dhe mbi jetën personale të eruditit të madh shqiptar. Po botojmë një fragment:

Më 11 korrik 1926, pas një ndalese dyditëshe në nju Jork, në stacionin hekurudhor të Uashingtonit arriti nga Bostoni Faik bej Konitza, një burrë i pashëm, i qethur shkurt, i cili do të përfaqësonte Shqipërinë në kryeqytetin amerikan. I shoqëruar nga konsulli i Shqipërisë në Boston, përshkoi sallonin me pllaka të mëdha mermeri duke kaluar përmes stolave të gjatë prej druri ku uleshin njerëzit që prisnin trenat. Struktura e bukur, e quajtur Union Station, një ndër krenaritë arkitekturore të kryeqytetit, dukej si e ndërtuar enkas për të lënë mbresë tek udhëtarët. kubeja gjigante me reliev të pasur, kolonat dhe statujat prej guri i jepnin stacionit një pamje të përgjithshme prej kolosi. burrat lanë pas me radhë tabelat “biletari”, “Dhoma e Duhanit”, “berber”, “ndihmë për Udhëtarët”.

 Pastaj kaluan edhe shenjat e fundit që i drejtonin njerëzit jashtë stacionit, te taksitë për turistët. moti ishte freskuar pas shiut që kishte rënë natën dhe gazetat parashikonin ditë të tjera me kohë të mirë. kur erdhi Faiku, Uashingtoni, qytet i politikës në brigjet veriore të lumit Potomac, kishte rreth gjysmë milioni banorë, relativisht pak krahasuar me qendrat e tjera të rëndësishme të lindjes amerikane, si Filadelfia, Nju Jorku dhe Bostoni. ashtu si kudo në vend, edhe këtu vitet ‘20 kishin prurë një kthesë në sjelljet e amerikanëve. gratë po fitonin të drejtën e votës, teknologjitë e reja po lulëzonin dhe automobili po bëhej jetë e dytë për njerëzit. Popullsia e Amerikës sapo i kishte kaluar të 100 milionët dhe lëvizja drejt qyteteve ishte bërë e pandalshme.

Kryeqyteti kishte një jetë për ta patur zili, me koncerte, opera, kinema dhe teatro. Sikurse i gjithë vendi, ai po kalonte nëpër periudhën e të ashtuquajturit prohibition, kur në Amerikë ndalohej me ligj prodhimi dhe shitja e pijeve alkoolike. Historia e emërimit të Faikut zinte fill në muajin prill të atij viti, kur në zyrën e presidentit Calvin Coolidge arriti një letër e firmosur nga sekretari i Shtetit. Në letër thuhej se Presidenti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, dëshironte të hapte legatë në Uashington dhe të emëronte Faik bej Konitzën si ministër fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara. “Sipas informacionit në departament - shkruante sekretari i Shtetit, Frank Kellogg - z. Konitza është veçanërisht miqësor ndaj vendit tonë, ku jeton prej disa vitesh. Thuhet se një pjesë të shkollimit e ka marrë në Universitetin Harvard dhe ka diplomë nga ai institucion. Legata jonë në Tiranë na raporton se ai gëzon një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri, ku njihet gjerësisht, megjithëse ka qëndruar mënjanë nga politika personale duke mos e identifikuar veten me ndonjë parti politike.

Por ai ka përfaqësuar vendin e tij në një numër konferencash ndërkombëtare dhe ka luajtur rol të shquar në lëvizjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë. nuk shoh ndonjë arsye që z. Konitza të mos pranohet prej kësaj qeverie dhe, nëse kjo është edhe dëshira juaj, atëherë po e udhëzoj ministrin tonë të informojë qeverinë shqiptare se emërimi do të jetë i pranueshëm. Mbetem besnikërisht i juaji, i dashur President.” Everett Sanders, sekretari privat i Presidentit, u kujdes që përgjigja të mos vononte. Ishin katër fjalë që Coolidge kishte shkruar shpejt e shpejt me dorë mbi atë letër, në qoshen e majtë të saj: Done. Let him come! (U bë. Le të vijë!) Faiku vinte në botën diplomatike të Uashingtonit nga një mjedis shqiptar, pas pesë vjetësh si kryetar i Federatës Vatra në Boston.

Krerët e Vatrës kishin për të një nderim të thellë, që i kalonte caqet e respektit të thjeshtë për kryetarin. Faiku ishte mësuesi dhe Vatra i bindej vullnetit të tij. Kjo ishte një organizatë që e respektonte lirinë e mendimit dhe autoriteti i Faikut nuk ngjante të ishte vendosur forcërisht ose me ndihmën e intrigës. Nderimi vinte kryesisht nga dija që ai rrezatonte mes njerëzve të Vatrës, organizata më e madhe dhe më e qëndrueshme e shqiptarëve të Amerikës. Askush ndër ata njerëz nuk ishte aq i kënduar sa ai. I afrohej vetëm njëri, peshkopi Theofan Noli, i cili kishte ithtarët e vet mes shqiptarëve të Bostonit. Por Noli ndodhej prej vitesh në Evropë dhe gazeta e Vatrës, Dielli, e cila deri në qershor të atij viti drejtohej personalisht nga Faiku, e sulmonte si bolshevik dhe me epitete të tjera. Faikut i vinte keq që po largohej nga ajo Shqipëri e vogël e verilindjes amerikane, e cila kishte qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij.

 Uashingtoni nuk kishte ndonjë komunitet imigrantësh, aq më pak shqiptarësh, sepse zakonisht të ardhurit sistemoheshin në qytetet-port ku kishin zbritur, Nju Jork, Filadelfia dhe Boston. Prandaj ajo botë shqiptare me siguri do t'i mungonte. Më shumë i vinte keq për episodet e dy viteve të fundit që kishin krijuar armiqësi brenda komunitetit. Ishte ndarë nga miku i tij, Theofani, dhe ishte bashkuar me një ish-armik, Ahmetin. Kjo kishte lënë një shije të hidhur dhe ngjallur krijuar dyshime te një pjesë e shqiptarëve. Dyshuesit thoshin se Faiku ishte joshur nga paraja e Zogut, gjë që ai e mohonte prerë.

 Ndërkaq, në Tiranën zyrtare qarkullonte mendimi se Faiku ia kishte shitur veten Zogut “me një çmim të kripur” dhe se kjo kishte bërë që të humbiste të gjithë miqtë e tij të vjetër. “Rroga e një ministri fuqiplotë të Shqipërisë është shumë e unjur” – thuhej në një editorial të Diellit që dukej qartë se ishte shkruar nga Faiku ose me udhëzimin e tij. “Nuk mund pra të thuhet se e shtyri interesa materiale që ta pranojë këtë ofiq. Faik Konitzës, që më 1914 e tëhu, guvernat e ndryshme i kanë propozuar katër herë përfaqësimin diplomatik në Uashington, dy herë në Londër, tre herë në Itali. ka refuzuar kurdoherë.”

Pastaj editoriali shpjegon arsyet se përse Faiku e pranoi ofertën e Zogut: “Z. Faik Konitza beson se guverna duhet të ketë sot përkrahjen e gjithë vullneteve të mira për të siguruar stabilitetin brenda dhe nderin e Shqipërisë jashtë. Me mendimin që të ndihmojë në këtë vepër patriotike e mori këtë barrë. Posa të forcohet plotësisht shteti dhe të ftohen kundërshtimet, Z. Faik Konitza besojmë do t'i kërkojë guvernës leje të hiqet nga puna për të shkruar vepra letrare”. Ideja e Faikut ishte se Shqipëria e Zogut, ende e dobët dhe e rrethuar nga armiq, kishte nevojë për paqe dhe disiplinë, për bashkim të brendshëm dhe për respekt jashtë. Ahmet Zogu, sipas tij, ishte udhëheqësi i aftë “për të përmbledhur e qeverisur këtë popull të përçarë e të pashtruar”.

Si për të qetësuar dhe përligjur veten, një javë para se të largohej nga Bostoni, kishte botuar një shkrim lamtumire në Dielli, ku shpjegonte se çdo njeri ka brenda vetes kutin për të matur veprimet e tij, atë që quhet ndërgjegje. “Të matura me ndërgjegjen, unë di – po shumë të tjerë mund të mos dinë – se veprimet e mija kanë qenë të pastra në zemër dhe të drejta në mendje” - shkruante Faiku. Por përtej inateve, dyshimeve apo xhelozive që mund të kishte ngjallur posti i tij i ri, ai nuk do t’i shkëpuste lidhjet me Vatrën dhe kjo ishte parashikuar në një ujdi të pashkruar me Zogun.

Që tani e tutje do të ishte kryetar nderi i saj. Presidentit të Shqipërisë i interesonte që Faiku të ishte në kontroll të punëve në Boston sepse nuk donte propagandë kundër vetes mes shqiptarëve të Amerikës. Më 13 korrik, në ministrinë e Jashtme të Mbretërisë shqiptare në Tiranë mbërriti telegrami me këtë përmbajtje: “Arriva Washington dhe u paraqita në Punët e Jashtme ku lashë kopje të kredencialeve. Zbrita në Hotel New willard, ku do të rri gjer sa të zë vend për legatën. Regjistrova në telegraf adresën e shkurtuar leg- Alban Wshington. Faik Konitza.” Ai hotel, ku thuhej se kishte lindur fjala lobizëm dhe ku Mark Tuejni kishte shkruar dy libra, gjendej buzë bulevardit Pensylvannia, jo më shumë se tre minuta më këmbë nga portat e Shtëpisë së Bardhë. Meqenëse Shqipëria nuk kishte patur kurrë legatë në Uashington, arritja e Faikut pritej me kërshëri të natyrshme.

Ardhjen e shqiptarit, i cili nga miqtë e tij amerikanë thirrej ndonjëherë Frank, e njoftuan dy gazetat e mëdha, Washington Post dhe Sun, si dhe disa të tjera më të vogla. Lajmi shoqërohej me një fotografi ku dukej një burrë me flokë të ndara në mes dhe me sy të zinj shpues e të ndritshëm, që dukej sikur flisnin. Kureshtja nuk mungonte as në qarqet shoqërore të kryeqytetit, sidomos mes vajzave nga familje të kamura që sapo kishin nisur karrierën, sepse me Faikun, Uashingtonit i shtohej një diplomat i pamartuar dhe kërkesa për beqarë ishte e madhe. Ky shqiptar është jashtëzakonisht tërheqës, thuhej në një kolonë sensacionesh.

“Ai është brun, i butë në sjellje dhe në të dyzetat, një moshë interesante”! Në të vërtetë, Faiku sapo i kishte kapërcyer të pesëdhjetat, por nuk gaboje po t'i jepje më pak. Ai dukej burrëror, zot i vetes, i mprehtë në gjykime dhe me një sens humori që i dallohej menjëherë.Shpejt do të mësohej se Shqipëria, ky shtet që mezi mbante frymën gjallë dhe praktikisht i papërfillshëm në politikën ndërkombëtare, do të përfaqësohej në kryeqytetin amerikan nga një njeri i ditur, të cilit i interesonte gjithçka. Kur një gazetare e agjencisë së lajmeve Associated Press erdhi për ta intervistuar në New Willard, njëra nga pyetjet e para ishte për gratë.

Gazetarja: Zoti ministër, ju pëlqejnë gratë amerikane?

Faiku: Në Amerikë ka një përqindje më të madhe grash të bukura se në cilindo qytet tjetër të botës, me përjashtim të Vjenës.

Gazetarja: Po jeta e qarqeve shoqërore në Uashington, si ju duket?

Faiku: Ajo nuk më intereson aspak dhe nuk kam ndërmend të luaj “lojën sociale” në kryeqytet. Madje i kam pas refuzuar ofertat për të përfaqësuar Shqipërinë si diplomat në Londër e Romë pikërisht për shkak të mospëlqimit që kam për shoqërinë e lartë. Biseda u hodh pastaj te stili “bob” i flokëve të grave që në atë kohë ishte bërë i modës në Perëndim, aq sa përshkruhej si epidemi prej disave. Krijesë e kërcimtares Helen Castle, flokët e prera në nivelin e nofullës kishin hyrë si një zgjidhje praktike për gratë amerikane të cilat gjatë Luftës Botërore punonin nëpër uzinat ushtarake. Në Amerikë ishte hapur një debat për çështjen, nëse flokët e prera shkurt ishin shenjë emancipimi.

Gazetarja: Zoti ministër, ç’mendoni për flokët bob, a tregojnë emancipim?

Faiku: Në vendin tim gratë e praktikojnë këtë stil që prej dy mijë vjetësh, madje tani flokët bob kanë dalë mode. Për mua, gjithë kjo zhurmë është e pashpjegueshme, sepse stili bob nuk ka lidhje me emancipimin.

Gazetarja: Cili është hobi juaj, zoti ministër?

Faiku: Teatri. Kam shkruar edhe vetë drama, megjithëse punimet e mija më të mira janë esetë. Më pëlqen shumë Shekspiri dhe gjatë pesë viteve që jetova në Londër kam parë çdo pjesë të Shekspirit që është shfaqur atje. Tani jam duke përkthyer në shqip “Nata e Dymbëdhjetë”, mirëpo loja e fjalëve që përdor Shekspiri ma bën të vështirë punën.

Gazetarja: Pra, ju vazhdoni të shkruani edhe tani që jeni bërë ministër?

Faiku: Patjetër. Nuk do të heq dorë nga shkrimet, edhe pse jam në shërbimin diplomatik.

Gazetarja: Cilët shkrimtarë amerikanë pëlqeni më shumë?

Faiku: Për mua më të preferuarit janë Henry Louis Mencken, Theodore Dreiser, Sherwood anderson dhe James Branch Cabell, ndërsa si dramaturg më pëlqen irlandezi George Bernard Show.

 Gazetarja: Për çfarë ka nevojë më shumë sot vendi juaj, zoti ministër?

Faiku: Shqipërisë i duhen biznesmenë amerikanë për të zhvilluar industrinë e saj. Biznesmenëve evropianë nuk u zihet besë, pasi kurrë nuk dihet nëse ata nuk nisen nga motive politike. Amerikanët janë më të pëlqyer, sepse shqiptarët e dinë që ata bëjnë biznes vetëm për hir të biznesit.

Vijon

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama