Kreu i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe vijon të shprehë kritikat ndaj vendimit të gjykatës së Tiranës që e shpalli të pafajshëm ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, për akuzën e shpërdorimit të detyrës në vjedhjen e thesarit të shtetit dhe të blerjes së hotel “Dajtit”. Sipas Braçes, argumenti që gjykatësi Artan Gjermeni ka dhënë se fajin për abuzimet që çuan në vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari e ka këshillit Mbikëqyrës i BSH dhe jo guvernatori, është paradoksal. Sipas deputetit socialist, vetë Fullani si ish-guvernator ka qenë kryetari i këtij Këshillit, dhe përgjegjësia duhet të bjerë mbi të dhe të gjithë anëtarët e tjerë. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Erion Brace i kërkon prokurorisë që “të zgjerojë hetimet nën gjetjet e gjykatës mbi të gjithë Këshillin Mbikëqyrës të bankës së Shqipërisë dhe t’i marrë të pandehur të gjithë, nga ish-anëtari dhe kryetari i Këshillit Mbikëqyrës Ardian Fullani deri tek më i fundit anëtar”
Statusi i kreut të komisionit të Ekonomisë Erion Braçe
Sipas Gjykatës: Si guvernator është pa faj, si anëtar e kryetar i Këshillit Mbikqyrës është me faj, bashkë me shokët!! Atëherë? Pasi e lexova e rilexova vendimin e gjykatësit të vetëm në çështjen "Fullani", më duhet të them: Prokuroria të zgjerojë hetimet nën gjetjet e gjykatës mbi të gjithë Këshillin Mbikqyrës të bankës së Shqipërisë dhe t’i marrë të pandehur po të gjithë, nga ish-anëtari dhe kryetari i këshillit mbikqyrës Adrian Fullani deri tek më i fundit anëtar!! A e kuptoni çka thënë gjykata? Guvernatori i bankës nuk ka kryer krim, por si anëtar e kryetar i Këshillit Mbikqyrës e ka konsumuar këtë, bashkë me shokët!!
Një ditë më parë në një intervistë për Report TV, Braçe u shpreh i bindur se ish- guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani nuk mund të jetë i pafajshëm. Pa asnjë mëdyshje deputeti socialist kundërshtoi vendimin e gjykatës dhe vlerësoi se zoti Fullani ka përgjegjësinë e tij për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga thesari i shtetit si dhe tenderin e blerjes së Hotel “Dajtit”. Braçe tha se vendimi i pafajësisë për tre seanca në Gjykatën Penale, ka qenë i ndikuar. Deputeti socialist kujtoi ftesën që iu bë Fullanit nga presidenti i Republikës Bujar Nishani.