Facebook krijon motorin e kerkimit shoqeror

'Facebook' krijon motorin e kerkimit shoqeror
“Facebook” njoftoi një shtesë të rëndësishme në rrjetin e vet shoqëror, një motor kërkimi që do të quhet Graph. Ky mjet do t’u lejojë përdoruesve të kërkojnë për përmbajtjen e materialeve të hedhura nga shokët e tyre.

Termat e kërkimit mund të përfshijnë fraza të tilla si “miq që pëlqejnë Luftën e Yjeve dhe Harry Potter”. Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv, Mark Zuckerberg, tha në mënyrë të përsëritur se nuk bëhet fjalë për një motor kërkimi të internetit dhe rrjedhimisht, nuk po i hapte një sfidë të vërtetë “Google”. Gjithsesi ai do të integrojë motorin e kërkimit “Bing” të “Microsoft” për rastet kur kërkimi Graph nuk mund të gjejë përgjigje.

Zuckerberg tha se ai nuk priste që njerëzit të hynin në “Facebook” për të filluar kërkim në internet.

“Nuk është ky qëllimi”, tha ai. “Por në rastin kur nuk arrin të gjesh çfarë po kërkon, është me të vërtetë e këndshme të kesh këtë.”

Më herët është spekuluar shumë mbi faktin që “Facebook” po mendonte të hynte në territorin e tregut të kërkimit online, ku “Google” është një rekord absolut.

“Ne nuk po e indeksojmë internetin”, shpjegoi Zuckerberg gjatë një ceremonie në zyrat qendrore të “Facebook” në Kaliforni. “Ne po indeksojmë hartën tonë”, shtoi ai.

Në terminologjinë e “Facebook”, Graph është emri që i jepet tërësisë së informacionit të ndarë nga miqtë që lidhen përmes këtij rrjeti social. Aty përfshihen fotot, statuset, vendndodhja dhe gjërat që janë bërë “të pëlqyera”. Deri tani, kërkimi në “Facebook” është kritikuar shumë, për shkak se është i kufizuar dhe joefektiv.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama