Eurovisioni promovon zgjedhjet muzikore te Festivalit te Kenges ne RTSH 2015

TIRANË, 17 Tetor / ATSH / - "Nëse nuk keni ndërmend për të shpenzuar kohë dhe para për festat e Krishtlindjeve, ne kemi zgjidhjen perfekte për ju" është shkruajtur së fundmi në artikullin e publikuar në webin zyrtar "www.eurovision.tv", lidhur mbi Festivalin e RTSH-së, i cili këtë fundviti do të vijë në edicionin e tij të 54-t

"Ju ftojmë të shikoni së bashku me ne, zgjedhjet kombëtare shqiptare në muzikë, të cilat do të mbahen dhe transmetohen drejtpërdrejt në datat 25, 26 dhe 27 dhjetor të këtij vit, nën titullin "Festivali i Këngës në RTSH" vijon artikulli prezantues i Eurosongut për evenimentin më të madh të muzikës në vend.

"Festivali i Këngës" sqarohet në artikull, "nuk është vetëm trampolina dhe zgjedhja kombëtare për në Eurovision Song Contest, por ai është edhe gara dhe konkursi më prestigjioz i muzikës shqiptare, e cila ka marrë jetë që prej vitit 1962".

Sakaq duke ju referuar disa prej pjesëmarrësve të këtij edicioni të 54-t të festivalit, në artikull shkruhet se "dy konkurentë si Adrian Lulgjuraj ashtu dhe Luiz Ejlli e kanë përfaqësuar Shqipërinë në edicionet e kaluara të Eurovision Song Contest, ndërsa dy konkurentë të tjerë si Klajdi Musabelliu dhe Erga Halilaj e kanë prekur gjithashtu skenën e Euro-Songut disa kohë më parë, por në rolin e artistit mbështetës (korit)" thekson eurosong.tv.

"Festivali i këngës në Radio Televizion" historia gjysmëshekullore e muzikës, pas përzgjedhjes së 30 veprave muzikore, që do të konkurojnë për të fituar trofeun e tij, do të vijë kësaj here nën drejtimin artistik të kantaautorit të mirënjohur Elton Deda.

"E vetmja ngjarje muzikore live në çdo komponent" , tradita e muzikës sonë, është duke realizuar edhe hapat e fundit të cilat do të nisin me prezantimin e këngëtarëve, poetëve dhe kompozitorëve pjesëmarës në garën "elektorale muzikore kombëtare", gjatë së cilës kënga më e bukur dhe e realizuar profesionalisht do të shpërblehet me çmimin e vendit të parë të festivalit. Vepra muzikore fituese do të dërgohet drejt një tjetër gare, por kësaj here të përmasave europiane, ku Shqipëria do të përballet me "superfuqitë muzikore" nën siglën "Eurovision Song Contest", Edicioni i 61-të i të cilit, ai i vitit 2016 do të zhvillohet në "Ericsson Globe" të Stokholmit (Suedi) .

Para "betejës" premtuese midis 30 artistëve pjesëmarrës në festivalin e fundvitit të RTSH-së, të cilët do të sjellin gjatë këtij edicioni një "freski" në festival, dhe mjaft zhanëra muzikorë dhe mesazhe dhe poezi me tematika nga më të ndryshmet, po ju njohim tashmë edhe me 30 titujt e këngëve që do të prezantohen në dhjetor, për të tërhequr vëmëndjen tuaj, dhe për të shtuar edhe kuriozitetin dhe fantazinë të cilën do ta shuani pas plot 70 ditëve nga sot.

"Mos ik" - Egert Pano, "Përrallë" - Eneda Tarifa, "Dashurinë s'e gjejmë dot" - Revolt Klan, "Një kafe" - Kozma Dushi, "Infinit" - Enxhi Nasufi, "Të ndjek çdo hap" - Florent Abrashi, "Buzëqesh" - Dilan Reka, "Flakë" - Evans Rama, "Engjëll i lirë" - Sigi Bastri, "Artistë" - Grupi Simbol, "Për një mrekulli" - Lindi Islami, "Triumf" - Egzon Pireçi, "Merrmë që sot" - Aslajdon Zaimaj, "Asaj" - Nilsa Hysi, "Një det me ty" - Jozefina Simoni, "Sa të dashuroj" - Genc Tukiçi,

"Monolog" - Erga Halilaj, "Në sytë e mi" - Teuta Kurti, "Dashuri në përjetësi" - Klodian Kaçani dhe Rezarta Smaja, "Pa mbarim" - Luiz Ejlli, "Ato që s'ti them dot" - Renis Gjoka, "Liroje zemrën" - Besa Krasniqi, "S'je për mua" - Flaka Krelani, "Dielli vazhdon të më ngrohë" - Andi Tanko, "Era" - Edea Demaliaj, "Jeto dhe ëndërro" - Adrian Lulgjuraj, "Ajo çfarë ndjej" - Kristi Popa, "Dëgjoje këngën o Atë" - Voltan Prodani, "Ndodh edhe kështu" - Klajdi Musabelliu, dhe "Muza" - Entela Zhula dhe Niku Zhula janë dhe titujt e 30 veprave muzikore që do të prezantohen ekskluzivisht në TVSH gjatë datave 25/26/ dhe 27 dhjetor 2015 në edicionin e 54-t të "Festivalit të Këngës".

"Retrospektivë"

Mbretëresha e parë shqiptare në Euro Song dhe misioni i Shqipërisë ndër vite

Dhe pikërisht ajo që i hapi rrugën Shqipërisë në Euro Song dhe që e prezantoi atë denjësisht që në daljen e parë europiane në këtë skenë dhe arenë madhështore të muzikës, ishte super ylli më i ri i muzikës në atë kohë, fituesja absolute e publikut, zemrave, dhe talent show-t më të famshëm "Ethet e së premtes mbrëma dhe Krasta Show" këngëtarja Anjeza Shahini.

E lindur më 4 maj të vitit 1987 në qytetin e Tiranës, Anjeza Shahini së bashku me miqtë e saj të "Etheve" këngëtarët Rosela Gjylbegu, Tergita Gusta, Klajdi Musabelliu dhe Arbër Arapi, e morën për dore Shqipërinë dhe e realizuan me sukses misionin e tyre, atë të përballjes me dinjitet midis këngës së Edmond Zhulalit dhe Agim Doçit, e cila u rendit në vendin e 6 dhe u mirëprit mjaft nga publiku europian i ndodhur në Stamboll.

Shahini në vitin 2004 përfaqësoi Shqipërinë për herë të parë në Eurovizion me këngën "Imazhi yt", dhe arriti pozicionimin më të lartë deri më sot në këtë kompeticion.

Në vitin 2003, vajza 17-vjeçare u paraqit në Festivalin e Këngës në RTSH, së bashku me 29 pjesëmarrës të tjerë. Aty ajo konkuroi me këngën "Imazhi yt" dhe pas fazës gjysëm finale arriti të fitojë çmimin e parë nëpërmjet votimit të publikut.

Pas Anjezës, këngëtarë si Ledina Çelo, Luiz Ejlli, Frederik Ndoci, Elhaida Dani, Olta Boka, Juliana Pasha, Aurela Gaçe, Herciana Matmuja, Kejsi Tola, apo edhe Adrian Lulgjuraj, provuan që ta mbanin lart triumfin dhe arritjen e Shqipërisë duke konkuruar me Anjezën, por ky mision 11-vjeçar rezultoi si një "mision i pamundur", aq më tepër që dhe disa prej tyre edhe pse super yje të muzikës në vend, nuk arritën dot të kualifikoheshin as për në natën finale.

Ndërkohë që vetëm këngëtarja shqiptare nga Kosova, Rona Nishliu në vitin 2012, arriti të thyente rekordin e "Mbretëreshës Anjezë" në atë vit duke u pozicionuar e 5-ta me këngën e saj të titulluar "Sus".

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama