Eurobondi Shqiperia merr 450 mln euro borxh

Eurobondi, Shqiperia merr 450 mln euro borxh

Shqipëria emetoi 450 milionë euro bonde sovrane sot me interes prej 5.75 për qind dhe me afat maturimi pesë vjet, bëri të ditur Ministria e Financave. Sipas njoftimit, 115 investitorë shprehën interesin për të vënë në dispozicion të Shqipërisë borxhe me vlerë të përgjithshme prej 750 milionë eurosh, nga të cilat, qeveria shqiptare pranoi 450 milionë euro.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria emeton eurobonde. Herën e parë, në vitin 2010, Shqipëria emetoi 300 milionë eurobonde me kupon interesi prej 7.5 për qind. Interesi më i ulët kësaj here duhet të interpretohet si rezultat i gjendjes së përgjithshme të ekonomisë botërore. Borxhi i qeverisë shqiptare vlerësohet në B1 me parashikim të qëndrueshëm nga Moodys dhe B me parashikim pozitiv nga S&P.

“Transaksioni përfaqëson një kthim triumfant në tregjet ndërkombëtare të kapitalit pas bondeve të para të emetuara më 2010, të cilat u maturuan më 4 nëntor dhe u ripaguan në përputhje të plotë me detyrimin,” thuhet në një njoftim të publikuar Deutsche Bank dhe J.P.Morgan, bankat që udhëhoqën Shqipërinë në këtë dalje në treg.

Sipas njoftimit, 23 për qind e këtij borxhi u mor nga kompani amerikane të regjistruara në parajsa fiskale, 30 për qind nga blerës në Mbretërinë e Bashkuar dhe 46 për qind nga vendet e tjera europiane.

Menaxherët e fondeve blenë 71 për qind të bondeve ndërsa bankat dhe blerësit me pakicë morën pjesën tjetër.

Të 450 milionë eurot e marra borxh sot do t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 26 milionë euro në vit në formën e interesave. Shqipëria ka një portofol borxhesh prej 7.6 miliardë eurosh për të cilat paguan interesa vjetore prej 400 milionë eurosh në vit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama