Enada dhe Gerd Vaso ne syte e mi

'Enada dhe Gerd Vaso ne syte e mi'

“Una notte per Caruso” ishte një natë speciale artistike, që i dedikohet tërësisht tenorit italian, i cili i kapërceu kufijtë e vendit të origjinës dhe u zhvillua në Sorrento të Italisë. Kjo mbrëmje ishte konceptuar si një historik muzikor ku janë të ftuar artistët më të mëdhenj kombëtarë e ndërkombëtarë. Në fund të saj ndahet dhe çmimi “Caruso” për këngëtarin më të mirë. Çdo vit kjo mbrëmje vjen me tematika të ndryshme. Kësaj radhe subjekti i takoi detit. U kënduan dhe kërcyen këngët më të bukura të thurura ndonjëherë për të, këngë që kanë nxjerrë në pah gjenialitetin krijues të shkrimtarëve e kompozitorëve. Drejtimi i “Një natë për Karuzon” iu besua Elisa Isoardit dhe Flavio Montruccios. Aspekti koreografik u mbulua nga kompania “Mvula Sungani” me balerinë kryesore Etoile Emanuela Bianchini tashmë me famë ndërkombëtare dhe Emanuele Pironti, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të dy solistëve të mëdhenj të Teatrit të Operës dhe Baletit Tiranë Etoile Enada Hoxha e Gerd Vaso, por dhe dy nxënëset e shkollës së baletit Enxhi Shima dhe Aneda Lusha.

Kostumografia e balerinëve dhe të gjitha momentet e spektaklit u mbuluan nga stilist/ disinger Giuseppe Tramontano dhe drejtimi muzikor iu besua Vince Tempera. Stilisti i madh italian Giuseppe Tramontano pasi pa provat e kërcimit vendosi t`i ofronte Enadës një fustan të bardhë plot elegancë. Ky fustan i bardhë nuk ishte vetëm i tillë, sepse brenda vetes mbante një të fshehtë që do të surprizonte pa masë Enadën. Këtë fustan e kishte veshur më herët e madhërishmja dhe e papërsëritshmja Carla Fraci. Ai pa ditur kishte bërë realitet një ëndërr të vjetër të Enadës, sepse është një adhuruese e Carla Fracit. Aty pashë sesi sytë iu përlotën, emocionet iu dyfishuan dhe entuziazmi i saj ishte i papërmbajtshëm. Kishte fiks përmasat e Carla Fracit. Dukej vërtet si një engjëll teksa hyri në skenën që ishte vendosur pranë piazes “Marina Grande” në Sorrento dhe performonte nën tingujt e këngës “Se io fose un angelo” të kënduar nga këngëtarja Debora Lurato. Nuk bëhet fjalë vetëm për anën interpretative që askush nuk e vë në diskutim, por dhe për një elegancë të jashtëzakonshme femërore. Teksa Enada Hoxha dhe Gerd Vaso kërcejnë së bashku, konceptet kohë dhe hapësirë si nocione të artit vihen në shërbim me inteligjencë dhe një intuitë për t`u admiruar, sepse baleti si një art plastik e shpreh realitetin nëpërmjet imagjinatës me anë të lëvizjeve të sinkronizuara me muzikën. Ngritjet e hovshme apo siç njihen me gjuhën teknike padieshkat, ishin të sinkronizuara me njëra-tjetrin. Në lartësi dukeshin qartë lëvizjet elegante të gjymtyrëve të Enadës, që edhe në tokë vështirë t`i realizojë kërcimtari.

Me performancën e tyre dominuan skenën

Pa kontraktimin më të vogël ndihej si një engjëll i mbrojtur nga partneri i saj, i cili me lehtësi e mjeshtri të admirueshme rrezatonte forcë dhe elegancë mashkullore. Ia arritën në të gjithë performancën e tyre të dominonin skenën, dhe të elektrizonin e të merrnin gjithë vëmendjen e publikut, i cili nuk përmbahej nga duartrokitjet dhe ovacionet e gjata kur drejtuesja e spektaklit Elisa Isoardit citoi: Etoile (Ylli) di danca di Tirana Enada Hoxha e Gerd Vaso. Ishte tepër emocionuese dhe për mua teksa dëgjoja titullin “Etoile” për solistët e TKOB-së sepse e meritonte vërtet. Gjithë ajo madhështi performance erdhi si rezultat i profesionalizmit e punës së tyre të përditshme e të palodhur. Ishte mbresëlënëse teksa i shihje mëngjeseve herët, duke u ushtruar profesionalisht në ballkonin e hotelit ku ishim akomoduar në Itali dhe kjo praktikë pune vazhdonte me orë të tëra në Teatrin e Sorrentos.

Etik, pasionant dhe gjithmonë në kërkim të sfidave të reja

Nuk mund të konceptohej asnjë ditë pa u ushtruar dhe asnjë orë e çuar dëm. Në fund të fundit vërtet për ta është një punë e lodhshme dhe një rrugëtim i gjatë për të arritur këtë profesionalizëm të vlerësuar tashmë dhe përtej kufijve, por kurrë nuk u ka munguar pasioni dhe dëshira për kërcimin, sepse në fund të fundit jeta s`është gjë tjetër për ta përveçse kërcim. Pasioni i tyre për artin e bukur të kërcimit gjen mbështetje te njëri-tjetri. Ato janë partnerë në jetë dhe në skenë. Duket se të dy formojnë një çift ideal. Është mbresëlënëse gjithë ajo kimi që ndodh midis tyre. Është bukur t`i njohësh nga afër Enadën dhe Gerdin. Janë njerëz që përcjellin emocion dhe janë në harmoni të plotë, si në skenë dhe në jetën e përditshme. Janë profesionalistë, etik e pasionant deri në ekstrem dhe gjithmonë në kërkim të sfidave të reja. Producentët e spektaklit “Una notte per Caruso” organizuan pas spektaklit një pritje për të nderuar e respektuar të gjithë pjesëmarrësit e kësaj nate. Në këtë ceremoni të organizuar në piazën “Marina Grande të Sorrentos”, krahas artistëve të mëdhenj që ishin: Patty Pravo, Manuela Villa, Attilio Fontana, Enzo Gragnaniello e Serena Rossi e shumë e shumë të tjerë të ftuar. Më ra në sy në mënyrë të veçantë pritja dhe puthja e dorës që i bënin adhuruesit Enada Hoxhës. Të pranishmit e pritën atë si një princeshë, duke i uruar përzemërsisht e duke i thënë se ishin qershia mbi tortë. Kjo e bëri dhe më emocionuese mbrëmjen për të gjithë ne shqiptarët.

Baleti shqiptar në skenat botërore

Është një fakt bindës që shkolla jonë e baletit e ka gdhendur emrin e saj në historinë e kërcimit brenda dhe jashtë vendit pasi ka rrëmbyer çmime e tituj vit pas viti. Kjo shkollë ka nxjerrë dhe vazhdon të formojë një galeri artistësh, balerinë që performojnë denjësisht në skenat e mëdha brenda dhe jashtë vendit. Po kaq denjësisht performuan në këtë mbrëmje dhe dy nxënëset e shkollës sonë Enxhi Shima dhe Aneda Lusha në trupën e Rai-t, të cilat ishin shembulli më i mirë për të besuar se shkolla e baletit shqiptar po pushton skenat botërore. Qëllimi i shkollës është formimi kulturor dhe profesional i të rinjve, që paraqesin të dhëna specifike për kërcimin, e cila krijon një bagazh për disiplinat koreografike, duke krijuar figura profesionale me baza shumë të mira për hyrjen në botën e spektaklit.

Brezat e rinj, pasardhës të mjeshtërve të kërcimit

Shkolla jonë ofron disiplinë, profesionalizëm dhe një klimë të ngrohtë bashkëpunimi mes palëve. Realizohet një punë voluminoze, e lodhshme dhe me orë të gjata ku humbet koncepti kohë dhe gjithë vëmendjen dhe përkushtimin e merr skalitja dhe punimi deri orët e vona të natës për të përsosur edhe detajin më të vogël. Shkolla e baletit, si një shkollë me dyer të hapura realizon herë pas here shkëmbime eksperiencash e përvojash me koreografë e pedagogë të huaj. Ajo është e hapur dhe mirëpret të gjithë ata nxënës që dëshirojnë të formohen si profesionistë të kërcimit dhe me cilësi të mira humane, artistike e intelektuale. Kjo shkollë si sfidë të saj ka formimin profesional e artistik të nxënësit, këto vlera të çmuara që i ka krijuar me pasion ndër vite. E gjithë kjo punë, pasion e dëshirë për artin shpaloset në dy mbrëmje gala që organizon shkolla jonë pranë TKOB-së çdo vit. Këtu shpalosin vlerat e tyre artistike, potencialin individual dhe bashkëpunues nxënës- pedagog dhe njëkohësisht i tregojmë dhe i bëjmë të matshme, të dukshme e të prekshme vlerat e pamata të shkollës sonë shqiptare.

Çdo mbrëmje GALA sjell prurje të reja, repertor të ri, si dhe një vazhdimësi të krijimit e formimit të brezave të rinj të cilët janë pasardhës dinjitoz të mjeshtërve më të mëdhenj të kërcimit. Në gjithë këtë mbrëmje tepër emocionuese dhe tepër të veçantë nuk mund të lë pa përmendur dhe pa shprehur mirënjohjen time dhe falënderime pa fund atyre që na bënë pjesë të spektaklit “Una notte per Caruso”: së pari koreografin, ideatorin e “Physical Dance”, Mvula Sungani, i cili do të zhvillojë shumë shpejt në Shqipëri seminare, work shop-e të ndryshme me nxënës dhe mësues të shkollës sonë, ku nga ky bashkëpunim dy palësh do të përzgjidhen maturantët më të mirë të cilët do të atashohen pranë kompanisë së tij, e cila mbulon eventet më të rëndësishme të televizionit italian “Rai Uno”, si dhe dy artistët e mëdhenj të botës së artit: Ardit Xho Fejzo dhe Lola Fejzo ish-soliste e TKOB –së, të cilët sot drejtojnë një shkollë kërcimi, e cila mban emrin “Nasko danza” për mendimin tim një nga shkollat më të suksesshme në Itali ku bëhet një punë e mirë teknike e profesionale për t`u admiruar dhe këtë e dëshmuan me pjesëmarrjen e nxënëses së tyre në mbrëmjen “ Una notte per Caruso” .


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama