Shqipëria ka marrëveshje taksimi me shumicën e vendeve kryesore ku kanë emigruar shqiptarët. Kjo do të thotë se ata emigrantë që punojnë në tregun formal dhe që i kanë paguar taksat në vendet e tyre të emigrimit, nuk paguajnë taksa shtesë kur deklarojnë në Shqipëri. Por kjo masë mund të krijojë një tjetër problem. Një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë punojnë në tregun joformal, dhe nuk mund të dokumentojnë të ardhurat e tyre.
Qeveria përmes ligjit të amnistisë i ka dhënë mundësi, që emigrantët ti deklarojnë të ardhurat e tyre të pataksuara në vendet ku punojnë, kundrejt një takes prej 3 për qind të vlerës. Pasi afati i amnistisë të përfundojë, çdo emigrant që deklaron të ardhura, për të cilat nuk ka paguar taksa në vendin e emigrimit do paguajë 10 përqind në Shqipëri. Për momentin realizimi i kësaj mase duket i vështirë. Por në të ardhmen, nëse qeveria rrit kontrollin dhe masat repressive, taksimi i emigrantëve mund të tkurrë kapitalin që ata sjellin në Shqipëri. Një ligj të ngajshëm ka miratuar edhe qeveria italiane që i takson emigrantët e huaj edhe për pasuritë që ata kanë në vendin e tyre, duke e bërë edhe më të vështirë marrëdhenien e tyre me oragnet fiskale.











