Emigrantet shtojne dergesat bien investimet e huaja dhe eksportet

Emigrantet shtojne dergesat, bien investimet e huaja dhe eksportet

Rriten dërgesat e emigrantëve duke i dhënë oksigjen ekonomisë në fund të vitit 2014, kur investimet e huaja direkte shënojnë rënie dhe eksportet po rriten me ritme të ulëta. Sipas raportit të djeshëm të Bankës së Shqipërisë (BSH) për politikën monetare, për tremujorin e tretë 2014, është regjistruar një rritje prej rreth 3.0% e të ardhurave dytësore, ku vlen të theksohet rritja vjetore e dërgesave prej emigrantëve me rreth 1.9%. Flukset hyrëse neto në llogarinë kapitale u rritën në 20.7 milionë euro, nga 15 milionë euro që ishin gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Duke ndjekur një prirje zgjeruese për të katërtin tremujor radhazi, deficiti shënoi rritje vjetore me 66.2%, për shkak të përkeqësimit të deficiteve në bilancin tregtar. Ndërsa, flukset në llogarinë financiare u dyfishuan krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, duke financuar 44.5% të deficitit të llogarisë korrente. Investimet e huaja direkte neto këtë tremujor u zvogëluan me rreth 38.5%. Në anën tjetër, investimet e tjera neto u vlerësuan në zgjerim të detyrimeve me rreth 91.6 milionë euro, si rrjedhojë e rritjes së detyrimeve në formë borxhi të qeverisë.

Kredia dhe depozitat

Kredia për ekonominë u rrit me 3.8% në fund të muajit nëntor, nga 1.6% që shënonte në fund të tremujorit të tretë të vitit. Zhvillim pozitiv dhe i qëndrueshëm është rritja e dukshme e kreditimit në lekë, kundrejt një ecurie të dobët të atij në valutë. Kredia në lekë u rrit me 9.3% në terma vjetorë në muajin nëntor, ndërkohë që kredia në valutë është tkurrur me 0.9% kundrejt vitit të kaluar. Ndërkaq, depozitat bankare shënuan një rritje mesatare vjetore prej 1.0% në muajt tetor dhe nëntor. Në këta dy muaj, depozitat në lekë u rritën me rreth 5 miliardë lekë, të ndikuara nga rritja e depozitave kryesisht pa afat të bizneseve. Depozitat në valutë u tkurrën me 5.5 miliardë lekë.

Kursi i këmbimit

Monedha kombëtare është e vetmja në Europë që ka treguar stabilitet ndaj euros dhe valutave të tjera. Në terma realë, monedha vendase vazhdoi të shfaqë vlera mbiçmuese (0.3%), si rrjedhojë e rënies më të shpejtë të inflacionit në vendet partnere tregtare të Eurozonës.

Çmimet në tregun e banesave

Indeksi i Çmimeve të Banesave ka shënuar rritje të lehtë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014. Ndërkohë, Indeksi i Qirasë, pas rënies së theksuar që shënoi në tremujorin e tretë, u rrit me 4.9% në këtë tremujor.

Rritja ekonomike

“Rritja ekonomike për tremujorin e tretë dhe tendenca e tremujorit të fundit kanë qenë në kahun e sipërm të pritjeve tona”, thekon raporti i BSH-së. “Megjithatë, parashikimet tona janë më poshtë se ato të FMN-së dhe BB-së”, deklaroi një zyrtar i BSH. Objektivi zyrtar për rritjen e PBB është 2.1%. Nga ana tjetër, për vitin 2015 e më tutje, sipas BSH, aktiviteti ekonomik pritet të shënojë përmirësime.

Papunësia

Sipas BSH, shkalla e papunësisë u reduktua me rreth 0.3 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 17.4%. Megjithatë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve mbetet nën normën mesatare historike dhe shkalla e papunësisë vijon të ruajë nivele të larta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama