Emigrantet largohen nga Shqiperia me besimin se do te behet me mire

Emigrantët largohen nga Shqipëria me besimin se do të bëhet më mirë
“Të dyja pikat kufitare punojnë me kapacitet maksimal, por janë procedurat e kontrollit që vonojnë disi lëvizjen e shpejt të automjeteve që hyjnë e largohen përmes këtij stacioni kufitar”, shprehet Elton Papa, shefi i stacionit kufitarë të Kakavijës, i cili edhe pse ka disa ditë që ka marrë “nën kontroll” administrimin e këtij vendkalimi kufitar, eksperienca e viteve të kaluara i ka sjellë rezultate në punë. Kjo argumentohet edhe me numrin e madh të emigrantëve që kanë vulosur dokumentet e tyre në këtë stacion.

Duke ju referuar shifrave zyrtare, qysh prej fillimit të aplikimit të qarkores së Ministrisë së Brendshme greke, deri tani kanë hyrë mbi 120 mijë emigrantë shqiptarë, ndërkohë janë larguar rreth 70 për qind e tyre drejt shtetit helenë.

“Të jemi realistë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Një fluks i tillë nuk është shënuar qysh prej vitit 1990 dhe sado të rritet numri i sporteleve nga të dyja anë të kufirit, radhët e gjata nuk i shmang dot”, të thotë me sinqeritet zoti Papa.

Kontrolli

Klidi Proko, një djalosh zeshkan, rreth të 30-ve, lindur në fshatin Çarçovë të rrethit të Përmetit, është “rekrutuar” prej disa vjetësh në radhët e Policisë së Shtetit. Eksperienca e tij në “guidimin” e kompjuterit ka detyruar drejtorin rajonal të kufirit dhe migracionit për qarkun e Gjirokastrës, nënkomisar Vasil Valera, ta “instalojë” pranë stacionit kufitar të Kakavijës, për të rritur shpejtësinë dhe cilësinë e kontrollit.

I qeshur dhe buzagaz Klidi është në gjendje të nxjerrë kokën nga kabina dhe me shenjë t’i thotë drejtuesit të automjetit të sjellë dokumentet e tij dhe të familjes. Brenda katër minutave, katër pasaportat ndërkombëtare janë kontrolluar nga kompjuteri dhe pasi ata kanë dalën “pa njollë” nga sistemi TIMS, brenda disa sekondave automjeti është larguar, duke ia lënë vendin të tjerëve.

“Nuk ke çfarë t’i bësh! Ka periudha ‘të arta’ ku mund të qëndrojë në punë pa verifikuar asnjë dokument, ka periudha të lodhshme ku je i detyruar të kontrollosh mbi 7 mijë dokumente, kjo në varësi të fluksit të emigrantëve”, shprehet duke kontrolluar pasaportën e një emigranti, kontrollori Klidi Proko.

Jonida

E ulur në sediljen e pasme të automjetit tip “Honda”, me targa greke, Jonida Xhaja, nëna e dy fëmijëve të mitur shikonte me habi kontrollorin kufitar, i cili i kërkonte bashkëshortit të vet të gjitha pasaportat e “pasagjerëve”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, gazetarët e medias lokale dhe qëndrore, i “sulen” automjetit për të “rrëmbyer” ndonjë intervistë. Në një çast, nëna e re, e gjendur disi e papërgatitur nga pyetja e një gazetari për kohën e qëndrimit në këtë vendkalim, mundohej “ta maskonte” hutimin e saj, duke shtrënguar pranë vetes foshnjën disamuajshe.

Megjithatë, gazetari nuk u dorëzuar përpara kësaj nëne të re, e cila ishte nisur nga qyteti i Lushnjës për në kryeqytetin e Greqisë, Athinë.

“Nuk kemi shumë që presim, pasi kontrollorët kanë vepruar shpejt dhe tashmë jemi gati të udhëtojmë edhe 6 orë të tjera disa për të mbërritur në Athinë”, shprehet Jonida, duke lëkundur sa andej-këndej foshnjën, për ta vënë në gjumë.

E larguar nga Shqipëria përpara 5 vjetëve, nëna e dy fëmijëve, shprehet se imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar dukshëm, duke filluar nga përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe në mënyrë e shërbimit në këtë pikë kufitare.

“Përpara 5 vjetëve punonjësi i policisë kufitar më ka kontrolluar pasaportën me ‘defter’, për të përfituar shpërblimin e tij, ndërsa tani gjithçka është kompjuterizuar dhe nuk lejon mitmarrje. Infrastruktura rrugore ishte përtokë dhe të them të drejtën, përveç rrugës Tepelenë-Ballsh, në akset e tjera rrugore kishe qejf të lëvizje”, shprehet Jonida Xhaja.

Sipas saj, toka mëmë kur lindi dhe u rrit, ka përmirësuar transformime të mëdha, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspektin e shërbimeve publike.

“Sot jeta është aktive dhe nuk ke kohë të humbasësh. Për të marrë pasaportën e re më janë dashur vetëm 3 ditë, ndërsa përpara 5 vjetësh... o Zot!”, dhe në këtë momente, Jonida “braktis”’ dorën nga foshnja dhe e vendos në kokë, duke lënë të kuptohet se ka vuajtur aq shumë për të marrë atë pasaportë.

Ndërkohë, ende pa hequr mikrofonin nga dritarja e makinës, vjen bashkëshorti i Jonidës, Ibrahimi, rreth të 35-tave, i cili ishte çliruar nga procedurat e kontrollit dhe nxitonte të ikte sa më shpejt, për të kapur doganën greke.

I qeshur në fytyrë, ai përshëndet në gjuhën e nënës gazetarët dhe kameramanin dhe sa hap e mbyll sytë ndez makinë, shkel pedalin e gazit dhe largohet nga vendi, duke lënë pas vetëm tymin e bardhë të makinës...

Projektuesit e pikës së kalimit kufitar nuk e kanë parashikuar

Kakavija pa WC shndërron lokalet në “fitimprurëse”

Arkitekti që ka projektuar pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, me siguri ka qenë ndonjë marsian, pasi nuk ka menduar fare për tokësorët, të cilët njëherë në ditë janë të detyruar t’i “falen” WC-së. Pavarësisht investimeve të kryera nga buxheti i shtetit, për të përmirësuar infrastrukturën në këtë stacion kufitar, për fat të keq emigrantët janë të detyruar të shtrëngohen kur vjen fjala për të kryer nevojat personale, pasi mungon një tualet publik në dispozicion të tyre.

Më të fituar nga kjo situatë janë lokalet që ndodhen pranë stacionit kufitar të Kakavijës. Nevojat biologjike, tashmë janë kthyer në një biznes fitimprurës. Të çlirohet nga shtrëngimi, duhej të porositësh një kafe ekspres dhe një bidon ujë, në rast të kundërt tualetit i ka humbur çelësi. Ndërsa, më fatlumët janë fëmijët e vegjël, të cilët ulen në gjunjë në një cep të objektit dhe “relaksohen” nga nevojat jetike.

Lidhur me këtë problem ka reaguar vetë drejtori rajonal i kufirit dhe migracionit për qarkun e Gjirokastër, Vasil Valera, i cili këtë “defekt” ai e ka zbuluar qysh në fillim të emërimit në këtë postë”.

Ky problem do të zgjidhet urgjentisht dhe shpresojmë që brenda një kohe shumë të shkurtër do të marri drejtim”, është shprehur nënkomisari Vasil Valera. 

EDI MOLLA : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama