Elsie nje liber per te mbushur hendekun per fiset e Veriut

Elsie, nje liber per te mbushur hendekun per fiset e Veriut

Fisi i Kastratëve, Bogëve, Shkrelëve, Fisi Lohja, Fisi Kiri e Suma, Fisi Drishti, dhe të tjera fise bëjnë pjesë në librin e shkrimtarit të njohur Robert Elsie,“The Tribes of Albania”, një përmbledhje me historinë, fenë, zakonet dhe tradita e 69 fiseve dhe bajraqeve të Veriut të Shqipërisë, si edhe përshtypje të udhëtarëve dhe eksploratorëve që janë aventuruar në malet e vendit

 

Një shoqëri fisnore në Europë?! Po, është një, ose të paktën ka ende gjurmë të dukshme të saj në malet e Veriut të Shqipërisë…Kështu shkruan albanologu kanadez, Robert Elsie, ndërsa ka lajmëruar botimin e librit të tij më të ri “The Tribes of Albania”, një përmbledhje me historinë, fenë, zakonet dhe traditat e 69 fiseve dhe bajraqeve të Veriut të Shqipërisë, si edhe përshtypje të udhëtarëve dhe eksploratorëve që janë aventuruar në malet e vendit.

“Sapo doli edhe një libër nga unë, këtë herë për fiset dhe bajraqet e Veriut të Shqipërisë, ku përmenden gjithsej 69 fise dhe bajraqe, me informacion për historinë, fenë, zakonet dhe traditat të tyre, si dhe me vëzhgime të udhëtarëve të huaj të hershëm për ata”.

Fisi i Kastratëve, Bogëve, Shkrelëve, Fisi Lohja, Fisi Kiri e Suma, Fisi Drishti, dhe të tjera fise bëjnë pjesë në librin e shkrimtarit të njohur Robert Elsie.

Kjo shoqëri dhe kulturë unike lulëzonte deri në vitet e para të shekullit 12 dhe ka mbetur ende mjaft e pacenuar kur regjimi komunist vendosi pushtetin në Shqipëri më 1944-n. Njihen si shembulli i vetëm i vërtetë i shoqërisë fisnore që ka mbijetuar në Europë edhe pas mesit të shekullit të 16-të.

“Shumë nga strukturat e kësaj shoqërie tradicionale u dobësuan apo u çrrënjosen në gjysmën e shekullit të sundimit stalinist në Shqipëri (1944-1990), por veriu i vendit ende mbetet një vend shumë i ndryshëm nga jugu i përparuar i Shqipërisë dhe nga gjithë pjesa tjetër e botës. Pse kjo relike dhe çfarë dimë rreth saj?”, – shkruan Elsie, duke shtuar se sot ka një hendek njohurie dhe informacioni akademik rreth fiseve të Veriut të Shqipërisë.

Ky vëllim, sqaron ai, është një përpjekje për të mbushur hendekun dhe për të siguruar informacion bazik rreth fiseve më të mëdha të Shqipërisë, të paktën aq sa mund të gjendet informacion në materialet burimore dhe që ende mund të mblidhet nga memoria kolektive e njerëzve të rajonit.

Secilit fis autori i ka kushtuar nga një kapitull të librit, që përfshin informacion të vendndodhjes së tyre gjeografike, referencat e hershme historike, përkatësitë fetare gjatë kohës dhe statistikat e popullsisë.

“Pjesa e dytë e secilit kapitull synon të sigurojë informacion, atëherë kur është i disponueshëm, mbi legjendat dhe prejardhjen fisnore, në veçanti fiset monofiletike (me një paraardhës), si edhe shënime, sigurisht jo të plota –mbi historinë fisit në fjalë”.

Shpesh ndiqet nga një seksion që përmban përshtypje udhëtimesh si për shembull tekste të udhëtarëve të shekullit 19 apo të fillim shekullit 20 dhe eksploratorëve nga jashtë që aventuroheshin në malet e veriut të Shqipërisë dhe regjistronin çfarë kishin parë. Kapitujt përmbyllen në shumë raste me një prezantim të shkurtët të përfaqësuesve të njohur historikë të fiseve, si edhe me një glosat dhe bibliografi për t’i ardhur në ndihmë lexuesit të interesuar për kërkime të mëtejshme.

Fiset e Veriut të Shqipërisë është një koleksion i larmishëm informacioni dhe tekste me shumë boshllëqe për të cilat autori është i vetëdijshëm.

“Megjithatë është për t’u shpresuar që ky prezantim do të nxisë interes të mëtejshëm në këtë shoqëri të veçantë e unike europiane dhe në historinë dhe kulturën e veriut të Shqipërisë” –është i mendimit autori.

I njohur për eksplorimin e tij të gjuhës dhe letërsisë shqipe duke mos lënë anash as kultivimin e fotografisë, Elsie e ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1978. Prej atij viti ka pasur mundësinë të vijë edhe disa herë të tjera në kuadrin e takimeve shkencore mes Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet 90-të deri ne fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama