Elhaida Dani do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision Song Contest 2015” jo me këngën “Diell” që fitoi Festivalin në RTSH, por një këngë të re që është duke u përgatitur.
Ka qenë vetë këngëtarja ajo që e ka njoftuar si fillim lajmin në faqen e saj në “Facebook”, e më pas mediat.
Kënga “Diell” do të zëvendësohet nga një këngë e re, e titulluar “I’m alive”, e kënduar po nga Elhaida Dani. Lajmi është i konfirmuar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka.
Shkak i kësaj është bërë tërheqja nga gara e Eurosong e kompozitorit të këngës Aldo Shllaku, siç duket pas kritikave të shumta të këngës.
Mësohet që Shllaku ka prishur kontratën me RTSH. Por, Shqipëria do të shkojë gjithsesi në Eurosong. Ndryshe nga ç’mund të mendohej, nuk do të jetë kënga që mori çmimin e dytë, ajo që do të shkojë në Festivalin Europian, por një këngë e re do të kompozohet për fituesen e vendit të parë. Edhe pse kënga që shkon në Eurosong del nga Festivali i RTSH-së, drejtuesit e këtij të fundit po ndjekin një rrugë tjetër.
Mësohet se pas kontaktimit të disa kompozitorëve, krijimi i këngës së re iu besua Zzap & Chriss nga Kosova.
Njoftimi i Elhaidës:
“Mendoj se është e drejtë t’ju komunikoj personalisht vendimin e marrë dhe më është komunikuar se fundmi. Këtë vit do ta përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision me një këngë tjetër nga ajo me të cilën u shpalla fituese e Festivalit të Këngës… në dhjetor të vitit të kaluar. Ky lajm do të bëhet publik dhe zyrtar së shpejti, por dëshiroja që të isha unë ajo që jua komunikoj për herë të parë.
Autori i këngës ‘Diell’, për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka vendosur të tërheqë këngën nga ai e kompozuar dhe do jetë për fat të keq e pamundur të këndohet nga unë në “Eurovision Song Contest 2015”.
Duke respektuar këtë zgjedhje të tijën personale, dhe në dakordësi me RTSH-në, e mbi të gjitha duke respektuar rregullat e vendosura nga ESC, më është komunikuar që si fituese e Festivalit të Këngës, unë duhet ta përfaqësoj vendin tim në Vjenë me një këngë të re. Urimi dhe dëshira ime është qe ky vendim i papritur që më është bërë i ditur të mos sjelli pakënaqësi dhe polemika.
Qëllimi mbetet ai që Shqipëria të ndahet me një rezultat sa më të mirë dhe të gjithë do të punojmë sa më shumë për ta arritur”.
Kënga e re është në përpunim e sipër dhe në dy ditët e ardhshme pritet të përfundojë, për shkuar më tej në realizimin e klipit.