Vrasja ndodhi në rrugën “Skënder Shtylla”, pranë një kompleksi banimi ku Selimi jetonte prej pak kohësh në zonën e njohur me emrin ish-serat. Selimi mësohet se ka marrë së paku katër plagë me armë zjarri në trup, të cilat i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve, ai mori dy plagë në gjoks, një në qafë në dorë. Po ashtu ka mbetur i plagosur rëndë edhe Klevis Kola, një kalimtar, i cili ndodhej rastësisht rreth 10 metra larg vendit ku ndodhej Selimi.
Burimet thanë se dy personat që kryen ekzekutimin kanë derdhur në vendin e ngjarjes më tepër se 15 plumba nga arma e tyre automatike ndërsa mendohet se u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Një dëshmitar, i cili kishte parë Selimin vetëm pak momente pasi ishte qëlluar nga personat e panjohur, tha për “Shekullin” se menjëherë sapo personat u larguan ai u afrua dhe vuri re se personi i gjakosur në fytyrë dhe në trup, nuk jepte shenja jete.
“Menjëherë sapo e qëlluan ai u shemb në tokë. Personat ishin larguar me shpejtësi dhe nuk kuptova se nga e qëlluan apo nga u larguan. Menjëherë iu afrova dhe e pashë aty të larë në gjak. Nuk kishte asnjë shenjë jete nuk e preka, por vetëm u largova”,- tregon një djalë i ri rreth të 25- ve, ndërsa shton se personi i shtrirë në terren dhe i gjakosur, ishte me flokë të rënë, i veshur në mënyrë sportive, me një palë pantallona tre çerekshe me një palë atlete dhe një bluzë ngjyrë gri me jakë të lartë. “Ishte i gjakosur në trup fare pak, por në fytyrë ishte tërësisht i gjakosur dhe nuk kuptohej se nga e kishte marrë plagën”,- tregon dëshmitari që refuzon të identifikohet.
Burimet e policisë thonë se Selmi, është qëlluar nga një distancë e afërt 5- 6 metrash. Ekspertët në vendin e ngjarjes administruan një sasi prej rreth 15 gëzhojash të kalibrit 7.62 mm, që sipas ekspertëve mendohet se i përkasin një arme automatike “Kallashnikov”.
Ndërsa të shtënat i morën jetën në mënyrë të menjëhershme Selimit, vetëm pak metra më tej mbeti i plagosur Klevis Kola, një person 19 vjeçar, i cili sipas burimeve banonte në vendin e ngjarjes. Fillimisht dyshimet e policisë ishin se i plagosuri kishte qenë duke ecur me Selimin në momentin e plagosjes, por më pas u sqarua se ai ishte duke ecur pranë pallatit ku ndodhi ngjarja, me destinacion tjetër nga ai i Selimit. Në pak minuta në vendin e ngjarjes mbërritën një grup ekspertësh dhe specialistësh të policisë së komisariatit nr.2, të cilët më pas u munduan t’i jepnin ndihmën e parë Selimit, por ai kishte ndërruar jetë disa minuta përpara mbërritjes së policisë.
Mekanizmi i ngjarjes
Menjëherë pas kryerjes së veprimeve të para në vendin e ngjarjes, ekspertët dhe hetuesit e policisë kanë mundur të ngrenë mekanizmin e ngjarjes, falë këqyrjes së kryer dhe marrjes së dëshmive. Për këtë qëllim në drejtorinë e Policisë së Tiranës u shoqëruan më tepër se 13 persona, të cilët, sipas burimeve të policisë mund të ndihmonin hetimin me deklarime dhe dëshmi të vlefshme që mund të identifikonin autorët e dyshuar. Selimi në kohën që është qëlluar mësohet se ishte drejtuar në këmbë, duke ecur nga blloku i apartamenteve ku ai banonte në rrugën “Skënder Shtylla”, drejt rrugës “Stavri Themeli”. Pikërisht rreth 20 metra nga rruga “Stavri Themeli”, Selimi, u qëllua në pritë duke mbetur i vdekur në vend