Edukimi shkollor mbi trashegimine kulturore nxit interesin e nxenesve te kryeqytetit

TIRANË, 14 Nëntor / ATSH / Klajdi Musabelliu / Projekti "Edukimi shkollor mbi trashëgiminë kulturore" paralelisht edhe projekti "Edukimi përmes artit" ka shkëputur nga bankat shkollore mjaft fëmijë dhe të rinj të shkollave të kryeqytetit, të cilët përgjatë ditëve të fundit i kemi hasur nëpër rrugët e kryeqytetit nën drejtimin e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave.

Vizita të shumta në ambiente si Muzeu Historik Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, por edhe në mjaft objekte apo monumente kulturore, natyrore dhe trashëgime si psh Mozaiku i Tiranës etj, janë realizuar nga zbatimi i projekteve që Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit kanë ndërmarrë si nisma të cilat synojnë afrimin, njohjen dhe edukimin e brezave të rinj me kulturën, historinë dhe vlerat.

Nën drejtimin e specialistëve të Kulturës, këto vizita zhvillohen në kuadër të edukimit shkollor mbi trashëgiminë kulturore, i cili plotësohet edhe nga programi i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, mbi programin "Edukimin përmes trashëgimisë".

Ishin nxënësit e shkollës "Jeronim de Rada" në Tiranë, që provuan të ishin arkeologë për një ditë në Muzeun Historik Kombëtar.

Fëmijët, pasi bënë një vizitë në pavionin e arkeologjisë dhe u prezantuan me objektet më të veçanta dhe origjinale që ndodhen në muze vijuan me "gërmimet" e tyre për të gjetur objektet e fshehura.

Pasi i zbuluan, disa prej fëmijëve pikturuan objektet që kishin gjetur ndërsa të tjerë shprehën përjetimet e tyre rreth këtij aktiviteti.

Ky aktivitet është pjesë e projektit "Arkeologu i vogël" që Muzeu Historik Kombëtar organizon me fëmijë të moshave 7-11 vjeç.

Ndërsa Mozaiku i Tiranës, një nga monumentet e pakta të trashëgimisë sonë arkeologjike në Tiranë, vazhdon të vizitohet nga fëmijët e të rinjtë e shkollave të kryeqytetit.

Këto vizita zhvillohen në kuadër të edukimit shkollor mbi trashëgiminë kulturore, i cili plotësohet nga programi i DRKK, mbi edukimin përmes trashëgimisë.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama