E drejta e Platonit

E drejta e Platonit

Në tribuna thuhet tjetër gjë nga ato që pëshpëriten pas ceremonialit me një gotë verë në dorë. Mësuam se për Ministrinë e Kulturës nuk është aq problemi i zgjidhjes së të drejtave të autorit mes trashëgimtarëve, se sa mospasje e ndonjë projekti për botim nga Kokalarët. Si mund të pritet projekt prej të afërmëve, kur hartimi i veprës së plotë të një autori nuk është çështje gjaku dhe farefisnie. Kemi parë vepra trashëgimtarësh botuar në mënyrën më diletante dhe më pak dinjitoze për autorë të njohur të letrave dhe të artit. Po ashtu kemi parë se si për autorë që provuan drejtpërdrejt dhunën e regjimit, deri në varje, janë krijuar mite pa u botuar vepra e tyre. Në këto raste sa më shumë provohet persekutimi i një autori aq më i talentuar paraqitet ai. Musine Kokalari është në gjysmën e kësaj të vërtetë. Ajo pak vepër që i është botuar është bërë shkas që nga shumë të kërkohet botimi i plotë.

Ishte për të ardhur keq që dje, mu në sy të ministrit të Kulturës (njohës i mirë i gjuhës angleze) paraqitej një botim me titullin "Vajza uragan - Musine Kokalari". Nuk është rasti për të komentuar librin, po për të treguar se sa pak duhet për të mos respektuar një emër si Musine Kokalari. Dëshira e mirë nuk mjafton, dhe më keqja është t'i qasesh një figure për të marrë nga hiri i saj.

Po i japim lexuesit vetëm pak fjali të kreut hyrës të librit të Novruz Xh. Shehut, tekst i shkruar anglisht (!), përmbajtja dhe anglishtja (nuk po i prekim gabimet) është kjo: "Musine Kokalari, an extraordinary women. Musine Kokalari is one of the most prominent albanian intellectual women. She is to be considered an emblem of Albania. She was born on February the 10th 1917. In 1921 she was chosen to be greet with bouquet of flowers the well known Zhysten Gotara while visiting Gjirokastra. At the age of 10 she started collecting and organizes old folk songs and tales".

Në radhën e karrigeve si gjithë pjesëmarrësit e tjerë rrinte Platon Kokalari, jo nip drejtpërdrejtë i Musinesë, biri i Salim Kokalarit xhaxhait të saj i cili u pushkatua nga Gjyqi i Deputetëve më 1947. Për të drejtat që ai ka mbi veprën e Musinesë na thotë që shkojmë dhe le të lexojmë botimin "Si u lind partia socialdemokrate" ku ka botuar letrën e amanetit të gruas për dorëshkrimet (botuar në numrin e djeshëm të "Shekullit". "Në vitin 2000 kur m'u dha mundësia ta botoj tekstin e librit, aq i vështirë për t'u kuptuar e kam radhitur vetë në makinë shkrimi. Katër vjet më vonë botuesi i "Faik Konicës" në Prishtinë, Nazmi Rrahmani, më kërkoi botimin e 3 vëllimeve të Musinesë. Ju më pyesni pse e bëra, sepse Ministria e Kulturës nuk po tregonte pikë interesi edhe pse projekti i Arian Lekës së "Naim Frashërit" ishte aty. Më vonë jam marrë me gjyqe pas gjyqesh për pronat." Botuesit nga Kosova e paguan gati 500 euro për të drejtën e autorit, shumë që Platon Kokalari e transferoi për Kryqin e Kuq të Kosovës. Për hir të këtij gjesit botuesit e shtuan edhe pak shpërblimin.

Platoni që vazhdon të jetojë në Kavajë në vendin e internimit, tregon se një pjesë të dorëshkrimeve Musineja ia kishte lënë para se gjendja e saj shëndetësore të keqësohej dhe të shtrohej në onkologjik, në vitin 1980. Ndërsa letrën e "amanetit" ia shkruan pak para vdekjes. Burri mohon një "fakt bashkëkohësish": ajo nuk ishte varrosur me duar të lidhura me tel. "Nuk është e vërtetë", thotë Platoni. "Edhe internim bëri pesë vjet, vitet e tjera i falën. Nuk i kam përfillur asnjëherë kërcënimet për të mos vizituar Musinenë, as atëherë kur më thirrën për të më rekrutuar spiun. E vizitoja sa herë mundesha në internim dhe në spital. Nuk e kam bërë për emrin që ajo kishte, e kam bërë prej dhimbshurisë. Sot them se nuk ia dorëzoj njeriu veprën e Musinesë."

Dikur kishin hapur fjalë se Platoni kishte shitur për sadaka edhe plaçkën që kish mbetur nga shtëpia në internim e gruas. Këto që Platoni i ruan në shtëpinë e vetë ishin dysheku dhe jorgani prej lecke, një gunë barinjsh që ajo e përdorte për dimër.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama