Dy javet e fundit 120 mije vizitore nga vendet fqinje ne Shqiperi

Dy javët e fundit 120 mijë vizitorë nga vendet fqinje në Shqiperi
Në një rajon si Ballkani Perëndimor, që ka marrë trenin e integrimit në BE, lëvizja e lirë e qytetarëve, e kapitaleve dhe e kulturave i paraprin edhe rritjes së nivelit të marrëdhënieve dhe akordeve mes qeverive dhe shteteve të rajonit.

Rasti më i freskët është marrëveshja e liberalizimit të plotë të regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërise, e sapomiratuar në Parlamentin e Maqedonisë. Po edhe pa ratifikimin e saj qytetarë nga Shqipëria i kanë gjetur rrugët për të shkuar tek fqinjët maqedonas, që nga ana e tyre kanë vërshuar në Shqipëri për biznes, shkollim dhe zbuluar bregdetin, zakonet dhe kulturën e vendit.

E njëjta ka ndodhur edhe me qytetarët e vendeve të tjera fqinje me Shqipërinë: Kosovën,  Malin e Zi dhe Greqinë. Shenjat optimiste flasin se në një të ardhme jo të largët edhe vizitorët serbë do të jenë më të shumtë se deri tani.

Dukurinë pozitive e shprehin saktë shifrat që ka Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit, në Ministrine e Brendshme. Drejtori i saj, Krenar Muço, thotë se „fluksi më i madh mbetet në drejtim të kalimit të pikave kufitare me Greqinë sidomos Kakavije dhe në Kapshticë, pastaj në veri në atë të Qafë Morinës, dhe në kufirin me Maqedoninë, Qafë-Thanë dhe nga Muriqani me Malin e Zi.”

Krenar Muço thotë se brenda dy javëve të para të këtij muaji janë futur në Shqipëri 120 mijë qytetarë nga vendet e rajonit dhe rreth 150 mijë shqiptarë emigrantë, që jetojnë kryesisht në Greqi dhe në Itali.

Emigrantët që punojnë në Greqi largohen në ditët e fundit të gushtit dhe është bërë kronike vonesa në pikat e kalimit kufitar të Kakavies. Kreanar Muço thotë se qeveria e Tiranes u ka kërkuar autoriteteve të Athinës që ta shmangin përsëritjen edhe këtë vit dhe të marrin masa paraprake për hapjen e sporteleve të reja.

Qeveria e Tiranes e ka prioritet të saj rritjen e nivelit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor me vendet e rajonit. Një nga fushat më interesante mbetet turizmi dhe njohja e ndërsjelltë e kulturave.
 

Ani Ruci / Tiranë : DW
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama