Dy artistë shqiptarë, Alketa Ramaj dhe Endri Dani marrin pjesë në Bienalen e Artit Bashkëkohor në Kili, “Bienal del Fin del Mundo”, krijuar si një pjesë e “Polit të Arteve, Shkencave, Turizmit dhe Ekologjisë”.
Kjo bienale zgjeron dhe konsolidon projektin e saj, që filloi 10 vjet më parë duke integruar Kilin dhe duke propozuar krijimin e selisë së saj të re në Valparaiso, e cila së bashku me Mar del Plata kthehen tashmë në një ngjarje ndërkontinentale, pa kufij dhe barriera, falë një propozimi ambicioz për zhvillim dhe integrim të artit bashkëkohor.
Ngjarja ndërkontinentale hulumton temat artistike, kulturore dhe ekologjike në mënyrë që të krijohen hapësira ndërdisiplinore për reflektimin e problemeve bashkëkohore, duke propozuar kërkime dhe kontribute artistike nën moton “Mendoni për fundin e botës, se një tjetër botë është e mundur”.
Në këtë edicion të katërt, Bienalja përqendrohet rreth krijimeve me temën e kontrasteve dhe utopive. Ky version i ri i Bienales prezantohet në Parkun Kulturor Valaparaiso, me pjesëmarrjen e mbi 60 artistëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë nga 25 vende në 5 kontinente.