Dushaj fliste ne FB me vajzen e viktimes se tij

Dushaj fliste ne FB me vajzen e viktimes se tij

Viti i ri nisi me një vrasje shokuese në Shkodër. Lidhja e parealizuar mes një djali dhe një vajze çoi në një vrasje të dyfishtë.

Esat Dushaj vrau babain e vajzës që dashuronte dhe xhaxhanë e saj, pasi i akuzonte se e kishin penguar që të martohej me vajzën e vetme të Skënder Shkambit.

Skënderi dhe familja e tij kishte 15 vite që jetonte në Angli.

Edhe pse e vogël, vajza e tij Z.Sh, ishte një vajzë çapkëne dhe e bukur, thonë banorët e fshatit Drisht.

Sipas Panoramës, këtë gjë e ka ngulur në mendjen e tij 31-vjeçari Dushaj.

Ai nuk e ka harruar vajzën e fshatit të tij.

Kur ajo u rrit dhe hodhi shtat, Dushaj gjeti një mënyrë për të komunikuar me të.

Burime pranë familjes thonë se ata flisnin herë pas herë në rrjetin social, Facebook.

Komunikimi mes tyre duket se ka nisur dhe është mbyllur aty.

Dushaj ishte aktiv në rrjetet sociale dhe ditën e fundit të krimit ka postuar një foto nga një prej kafeneve të Shkodrës.

Ajo që mbetet mister është nëse vetë vajza ka qenë pro apo kundër lidhjes me Dushajn.

Viktimat dhe vrasësi i tyre janë fqinj, pasi banesat e tyre i ndajnë vetëm pak metra.

Sapo babai i vajzës, Skënderi, erdhi nga Anglia për festat e fundvitit, Esat Dushaj ka pasur një komunikim telefonik me të, ku ka marrë përgjigjen e prerë se familja e vajzës nuk do e bëjë dhëndër të familjes.

Kaq ka mjaftuar dhe Dushaj ka rrëmbyer një automatik, duke qëlluar në drejtim të Skënderit dhe vëllait e tij, duke i lënë të vdekur në vend.

Dushaj u arrestua një ditë më parë në Tiranë. Ai njihej në fshat si tip problematik, pasi ishte burgosur për vjedhje.

Ai dihej që mbante armë dhe ky profil duket se e ka stepur familjen Shkambi për t’i dhënë vajzën për nuse.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama