Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga vetë kompania, por mediat amerikane dhe forumet në internet flasin për një vendim që pritet të merret brenda pak muajsh.
Përdoruesit e Windows Live Messenger do të udhëzohen automatikisht drejt përdorimit të Skype. Për këtë lëvizje, sipas specialistëve, Microsoft ka kohë që po punon nisur dhe nga rënia e përdoruesve të produktit të tij, megjithëse 80 përqind e mesazheve të drejtpërdrejtë të përdoruesve të Skype, menaxhohen nga Messenger.
“The Verge”, agjencia e informacioneve teknologjike online shkruan se vendimi për të shkrirë Windows Live Messenger brenda Skype lindi si një domosdoshmëri e Microsoft për t’i bërë ballë edhe konkurrencës së rrjeteve sociale, sidomos Facebook, edhe ky i pajisur me një shërbim të mesazheve të drejtpërdrejtë.
Skype ndodhet nën pronësinë e Bill Gates që e bleu atë për 8.5 miliard dollarë. Shkrirja e Windows Live Messenger me të do t’i jepte fund shërbimit të komunikimit online të krijuar më 22 korrik të 1999-ës. Versioni i tij i fundit (Windows Live Messenger 16.4) u hodh në treg vetëm një muaj më parë.