Drama shqipe duhet te evokoje realitetin e sotem

Drama shqipe duhet te evokoje realitetin e sotem

Pas Netëve të Leximit të Dramës Shqipe edhe një herë u kontestua se drama shqipe vazhdon të ketë problematika të theksuara, përderisa komunikimi i saj me publikun nuk po arrihet ende. Nisma e dy viteve të fundit që ishte ndërmarrë për t’u dhënë mundësinë dramaturgëve për të prezantuar dramën shqipe para publikut, duket sikur “dështoi”. Prandaj tanimë, pas rezultatit të këtyre netëve, ku nga nëntë drama që u lexuan është përzgjedhur për t’u prezantuar në skenë, (fillimisht në provë laboratorike), vetëm një prej tyre. Kjo na bën të mendojmë se kriza e koncepteve në dramën shqipe është e madhe. Prandaj parimet bazë për ta mbajtur gjallë dramaturgjinë, si një gjini të veçantë të letërsisë, apo dhe si pjesë të teatrit tonë do të jenë të vështira edhe përgjatë këtij sezoni.

Por si do të mbushet ky boshllëk i krijuar tanimë te publiku shqiptar? Përparim Kabo, një nga anëtarët e Bordit të Teatrit Kombëtar u shpreh për “Shekulli”-n se, pavarësisht përpjekjeve që u bënë, që drama shqipe të ngjitej në teatër, këtë vit nuk do të ketë premiera nga autorë shqiptarë. “Nga Netët e Leximit të Dramës Shqipe është përzgjedhur vetëm ‘Kompleksi i Edipit’ nga Ferdinand Hysi. Edhe kjo vepër do të kalojë në një ‘provë laboratorike’, pas së cilës do të shihet nëse është e denjë për t’u vënë në skenë apo jo”. Por përse ndodh kjo? A janë tema aktuale ato çka dramaturgët prezantuan për t’u lexuar? Sa e gjejnë veten njerëzit në këtë drama? “Përsa u takon dramaturgëve shqiptarë, të cilët kapen pas së shkuarës, pas komunizmit, pati edhe kritika”, shpjegon profesor Kabo.

Provën laboratorike do e kalojë edhe “Makbeth” me regji të Klejdi Kapexhiut, për veprën e të cilit bordi ka pasur debate, sepse një pjesë e shihnin, si tepër eksperimentale për skenën e TK-­së, edhe një pjesë jo. “Duhet mbajtur parasysh se në bord nuk kemi qenë në unitet, por kemi qenë shumë seriozë në gjykimin e veprave. Ne na dhemb shumë që rezultojë vetëm një. Do të kishim dëshirë që të kishte më tepër se një dramë, të ishin 2 apo 3, pse jo shumë të mira”. Më tej profesori tregon se, nuk eksiton asnjë paragjykim, që pjesët që do të jenë në repertorin e TK-së, të jenë të huaja, apo plotësisht të njohura, sepse japin garanci.

“Kemi mbajtur parasysh se çfarë fokusojnë. Me keqardhje vëmë re se edhe pena shumë të nderuara, priren më shumë nga e kaluara, sidomos nga e kaluara e para 25 vjetëve. Nuk them se këto modele njerëzore nuk përbëjnë objekt, që duhet rihulmutuar, edhe që duhet rivlerësuar edhe përmes artit. Por ndonjëherë, duke mbetur vetëm në arsyetime për një shoqëri të tejkaluar, ne lëmë pas dore problematikat e shoqërisë së sotme. E kaluara të jep më shumë garanci, sepse nëse e lëshon fjalën, apo nëse e tejkalon masën nuk ka kush të të mërzitet”, vazhdon Kabo.

E nëse historia ta jep këtë mundësi, profesori tregon se individët priren, sikurse edhe ai personalisht, nganjëherë nga një pikëpamje filozofike shumë e rëndësishme. Teksa citon shprehjen e Erich Fromm-it: “Njerëzit që nuk shikojnë nga e ardhmja, kanë frikë prej saj”, shpjegon më tej se ne na duhet një dramaturgji që evokon, që ironizon dhe që fut në laboratorin e ndërgjegjes, realitetin e sotëm shqiptar. “Realisht e kemi pasur shumë të vështirë, mund të ishte një qëndrim inekstrem, nëse nuk do të fusnim asnjë pjesë.

Kemi patur një diskutim jashtëzakonisht të gjatë”, tregon profesori. Sipas tij, as pjesa e dramaturgut Ferdinand Hysi nuk është e përsosur, por do të vazhdojë që të rishikohet. Këtë sugjerim e ka dhënë edhe kuratorja e pjesës, që të provohet në laborator, përpara se të shkojë në skenë. “Kishte disa elemente bazë që duhet t’i ketë një pjesë dramatike, duke nisur nga që idetë që evokonte, gjuha dramatike e të folurit, mëtimi i veprës dhe personazhet, që bëjnë që vepra të jetë e arrirë”.

Gjithashtu Kabo tregon se, për herë të parë në historinë e TK-së, regjisorët që prezantuan projektet, për të vënë një vepër në skenë, u paraqitën me platformat e tyre për shfaqjen edhe përpara bordit. “ U dorëzua dosja me materiale, por dosja mund të të gënjejë pozitivisht edhe negativisht. Ndërsa ballë për ballë, ata kishin emocione dhe një ndjenjë përgjegjësie. Secilin regjisor e kemi pritur nga 20 minuta, duke e pyetur: Pse do të vësh këtë vepër? Cilave problematika u referohet? Pse mendon që mund ta sjellësh në këto vite? Ç’lidhje ke me personazhet? Kush e ka përkthyer? A është gjuha e pastër edhe a i plotëson parimet?”, vazhdon të tregojë profesori, duke shprehur mendimin se TK, gjatë këtyre dy vjetëve është futur në një rrugë të mirë artistike.

Dramat që u lexuan në TK

Para një muaj nisi faza e tretë e aktivitetit "Netët e Leximit të Dramës Shqipe 2", ku veprat e përzgjedhura nga Komisioni i Leximit të Dramës Shqipe iu nënshtruan sistemit të leximit publik nga aktorë profesionistë të TK-së. Sivjet ishte viti i dytë radhazi, që netët e leximit, të njohura dhe shumë i përhapura në të gjithë botën, aplikohen edhe në edicionin e dytë të aktivitetit "Netët e Leximit të Dramës Shqipe 2".


Dramat që u lexuan ishin: “Kompleksi i Edipit” nga dramaturgu Ferdinand Hysi, "Nyjat" nga Refet Abazi, "Toka ime" e Ylldije Sulkas, "Sokaku i të marrëve" i Kiço Blushit, "Made in Albania" i Stefan Çapalikut, “Askushi”, me dramaturg Bashkim Hoxhën, "Zonë e kamufluar" e Jani Durit, të cilat u kuruan nga regjisorja Elma Doresi. Ndërsa vepra “Mallkimi” e Josif Papagjonit është kuruar nga Spiro Duni, ndërsa “Vajza e gjeneralit" nga Bashkim Kozeli u kurua nga Mihal Luarasi. Vepra e fundit që u prezantua në skenë ishte "Koha fajtore" e dramaturgut Ruzhdi Pulaha, që u kurua nga Alfred Trebicka.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama