Drama Duke pritur te henen ne QNK dhe ne Kosove

Drama:  Duke pritur të hënën , në QNK dhe në Kosovë

Së shpejti te sallat e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, do të fillojë të jepet drama “Duke pritur të hënën”, nën regjinë e Adonis Filipit dhe interpretimin e shkëlqyer të aktorëve si Minella Borova (i vjetri), Roland Saro (i riu), dhe Klara Shehu (Syri).

Është një bashkëpunim i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, Shtëpisë së Kulturës “Lasgush Poradeci” dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Autori Carlos Maria Alsina, është një dramaturg argjentinas, personaliteti i të cilit është i njohur edhe në Evropë. Me dramën “Duke pritur të hënën”, ai sjell në kohë jetën e sotme. Universaliteti i saj qëndron në zbërthimin e brendshëm të kësaj jete me personazhet e plakut dhe të të riut. Ai konflikton me ndërthurjen e brendshme njerëzore që arrin dalëngadalë deri në një tragjedi, ku është edhe mesazhi kryesor i veprës.

Përkthimin e veprës e solli Minella Borova, i cili është edhe protagonisti kryesor i kësaj drame. Shfaqja është vënë në skenë nga regjisori Adonis Filipi. Forma artistike dhe trajtimi si një komedi e zezë e kësaj drame nga regjisori, ka bërë që ajo të komunikojë me spektatorin.

Është kjo formë moderne e konceptuar nga ai, e cila bëri që të ndiqet me sukses edhe jashtë kufijve, si në Festivalin Ndërkombëtar në Podgoricë (Mal të Zi).

Gazetat më prestigjioze të Malit të Zi si “Republika”, “Kultura”, “Art” etj., kanë shkruar për këtë aktivitet artistik që është shfaqur nga aktorët shqiptar. Premiera “Duke pritur të hënën” ka startuar në qytetin e Pogradecit në datat 30-31 gusht 2007, ku së shpjeti do të fillojë turin e vet nëpër qytetet e tjera brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Subjekti i dramës “Duke pritur të hënën”

Një 22-vjeçar vjen të studiojë psikologji në Buones Aires. Në një park takon jo aksidentalisht një plak të vetmuar.

Që në takimin e parë nis një marrëdhënie e ndërsjellë midis tyre, e cila rezulton si një nevojë reciproke, ndjenjës së boshllëkut në jetën e secilit.

Ata takohen çdo të hënë dhe çdo takim ka ngjarjet e veta të dy karaktereve të deprimuar përmes humorit, ndodhive të lumtura, dramës së fortë me idetë, fantazitë e realitetit, falsitetit dhe së vërtetës.

Pas disa javëve, plaku me karakterin e tij bëhet e vetmja shpresë e besimit të të riut, hidhëruar nga jeta, nga një dashuri e plasaritur.

Fatkeqësisht, ky raport besimi i ekzistencës së plakut thelloi zhgënjimin e djalit dhe e çoi atë në vetëvrasje. Vetëvrasja e të riut ish shumë e rëndë dhe e papërballueshme për plakun, që edhe ky të kryejë të njëjtin veprim për të harruar andrallat dhe problemet e botës. Subjekti dramatik i veprës “Duke pritur të hënën” përcillet si një përrallë e trishtë me nota poetike e dramatike e herë-herë duke provokuar ndjesi të komedisë së zezë nën interpretimin e Minella Borovës, Roland Saro e Klara Shehu.

Dramaturgu argjentinas Carlo Maria Alsina

Carlo Maria Alsina, dramaturg, regjisor dhe pedagog argjentinas (Tukuman, 1958), është autori i mjaft teksteve si: “Duke pritur të hënën”, “Hajduti”, “Leh, Che”. Si regjisor ka përcjellë përshtatje nga Molieri, Mishima, Dario Fo, Jean Cloud Carriere, Sanchis Sinisterra. Mauricio Kartun dhe Antonio Skarmeta etj. Ka punuar në Itali me Dario Fo dhe Gjermani, në Berlin Ansambël. Veprat janë prezent në teatro të ndryshëm si Gjermania, Brazil, Kubë, Ekuador, Spanjë, Itali, Zvicër. Ka themeluar teatrin “El Galpon” , “Teatro o sotëm Tukuman”, Laboratorin Teknik të aktorëve në Milano dhe drejton shkollën e teatrit “Kraharori”. Vepra “Wnder e palëvizshme” ka fituar çmimin “Casa” të Amerikës më 1997.

Regjisori Adonis Filipi

Ideator dhe Drejtor Artistik që nga 1999 i IX edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ Bashkëkohor “Skampa”, Elbasan, Albania.

Drejtor i Asosacionit Teatror Bashkëkohor-ATK, pedagog pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, dhe Universitetit “A. Xhuvani” Elbasan.

Numëron mbi 33 vepra skenike si regjisor me dramaturgë të njohur shqiptarë si: A. Çajupi, R Pulaha, K Floqi, R. Shabani, etj., dhe pena të njohura të dramaturgjisë botërore si A. Çehov, Molier, D. Mamet, D. Motoc, W. Allen.

Kontributi skenik prek jo vetëm trupa profesioniste shqiptare, por dhe me gjerë si Rumani, Maqedoni, Itali.

Vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare si në Shqipëri, Rumani, Maqedoni, Rusi.

Marre nga : Gazeta Metropol

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama