Historiani që i përket një brezi relativisht të ri studiuesish, flet në SHQIP në një bisedë ekskluzive me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë, gjerësisht mbi debatin që në këto 20 vjetët e fundit thuajse ka përfshirë të gjitha nivelet intelektuale të vendit...
Duket se e përkrah plotësisht idenë për përfshirjen e të huajve në grupin e punës për rivlerësimin e historisë, por kjo – sipas tij -nuk mjafton, duke kërkuar më shumë gjithëpërfshirje, pasi “kështu, puna në grup bëhet më e larmishme dhe mundësia e arritjes së një përfundimi të pjekur historik, është më e madhe”. Dr. Marenglen Kasmi, historiani që i përket një brezi relativisht të ri studiuesish, flet në SHQIP në një bisedë ekskluzive me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë, gjerësisht mbi debatin që në këto 20 vitet e fundit thuajse ka përfshirë të gjitha nivelet intelektuale të vendit, duke e cilësuar atë si “një proces krejtësisht normal dhe të nevojshëm në shkencat historike, jo vetëm në Shqipëri”. Si arsye kryesore të këtij revizionimi të tejskajshëm të historisë së luftës, sipas tij, është ajo “se natyra e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit ngatërrohet, ose më saktë njehsohet me natyrën e lidershipit të kësaj lufte ose forcës politike që e drejtoi atë”. U përgjigjet një sërë pyetjeve mbi rolin e atyre që njihen si kolaboracionistë, pohon se këta të fundit, megjithatë nuk ishin një ndihmë ideologjike për fuqitë e boshtit, sheh të përbashkëta dhe veçori mes synimeve të gjermanëve e atyre të italianëve, trajtimit që ata i kanë bërë “shtetit shqiptar”, rolit të anglezëve e aleatëve në fitoren e shqiptarëve në luftë dhe sjelljen e tendencat diktatoriale të lidershipit të ri shqiptar, me Enver Hoxhën në krye, që do të sillte fundi i luftës, pa ia mohuar atyre vlerat në luftë. Profesor Kasmi pohon me këtë rast edhe kontribute të mohuara për nacionalistë të kalibrit të Gani Kryeziut, e flet edhe për shumëçka tjetër, ndërsa e përmbyll intervistën e tij me fjalët: “Enver Hoxha do të mbahet mend si njeriu që erdhi në pushtet si fitues i luftës dhe që për më se 40 vjet sundoi si diktator dhe e përdori pushtetin për të asgjësuar kundërshtarët e tij, shumica e të cilëve vinin njësoj si ai, nga radhët e luftës”.
***
Rishkrimi i historisë së Shqipërisë i është mirëbesuar për ta rishkruar dy historianëve të huaj. Si historian i ri jeni të bindur se ne s’mund ta bëjmë dot vetë këtë punë?
Mendoj se përfshirja e dy historianëve të huaj në këtë proces është pozitive dhe do t’i shërbejë qëllimit. Por njëherazi, besoj se ky proces nuk mund të jetë një sfidë vetëm e një grupi të vogël studiuesish. Rishikimi i historisë duhet të organizohet mbi baza gjithëpërfshirëse. Ky duhet të jetë një proces bashkëpunimi më i gjerë historianësh, vendas e të huaj dhe jo punë e një personi të vetëm. Në këto grupe pune, duhet të përfshihen jo vetëm përfaqësues të gjithë brezave të historianëve, por po ashtu edhe historianë që ndajnë pikëpamje të ndryshme. Kështu, puna në grup bëhet më e larmishme dhe mundësia e arritjes së një përfundimi të pjekur historik është më e madhe.
Debatet e zjarrta lidhur me Luftën e Dytë Botërore, por dhe me figurat e saj më së shumti të herës janë debate jo konstruktive aspak produktive dhe tepër armiqësore. Pse është ende i ndezur ky diskurs dhe lëndon gjithmonë sa herë mes nesh ka përvjetorë të saj?
Tashmë është i njohur fakti se në këto 20 vitet e fundit thuajse të gjitha nivelet intelektuale të vendit janë përfshirë në një debat të gjerë për rivlerësimin e historisë. Rivlerësimi i historisë është një proces krejtësisht normal dhe i nevojshëm në shkencat historike dhe nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Po ashtu, edhe fenomeni i revizionimit të historisë - ç’ka mjaft shqiptarë e shikojnë si një përmbysje të historisë, pra ajo që deri dje ishte e bardhë, tash është e zezë dhe anasjelltas, nuk është një fenomen veç shqiptar. Ajo çka është shqiptare është politizimi dhe radikalizmi i tejskajshëm i trajtesave historike dhe deformimi i historisë.
Një nga arsyet kryesore të këtij revizionimi të tejskajshëm të historisë së luftës, është se natyra e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit ngatërrohet, ose më saktë njehsohet me natyrën e lidershipit të kësaj lufte ose forcës politike që e drejtoi atë. Unë mendoj se këto dy fenomene duhen ndarë nga njëra-tjetra. Nëse flasim me shifra, nga viti 1941 deri në vitin 1944, numri i komunistëve në Lëvizjen Nacionalçlirimtare varionte nga 2400 deri në 3600 anëtarë partie, pra rreth 4-6% të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kështu që kjo nuk mund të ishte një luftë vetëm e komunistëve, por një luftë e gjithë popullit shqiptar kundër pushtuesit, siç ishte edhe lufta e shumë popujve të tjerë.
Po ashtu, kjo periudhë duhet të studiohet në të gjitha dimensionet e saj, sepse deri në vitin 1990, shumë gjëra janë interpretuar njëanësisht, sipas interesit të Partisë-Shtet, çka nuk do të thotë që duhet bërë një përmbysje e gjithë historisë së shkruar. Madje mund të themi, se me hapjen e arkivave të huaja, aspekte të caktuara të kësaj lufte, siç është për shembull bashkëpunimi me pushtuesit, jo vetëm që nuk mund të vihet në dyshim, por përkundrazi është më se i faktuar historikisht, gjë që e ngarkon me përgjegjësi politike krahun nacionalist për politikën e dështuar që ndoqën gjatë luftës.
Po ashtu, nuk mund të vihet në dyshim se në raste të caktuara, e kryesisht në fund të luftës, lufta u përdor nga komunistët edhe politikisht, duke goditur ndonjë nacionalist, si p.sh. Gani Kryeziu, i cili nuk pranoi të bashkëpunonte me ta. Pa hyrë në detaje të tjera, mendoj se një trajtim i ftohtë dhe profesional i kësaj periudhe do të arrihet vetëm atëherë kur historiografia të mos jetë më e ndikuar politikisht.
Sot historianë të ndryshëm ndahen në pjesën e pas nëntorit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, atëherë dhe kur ka nisur një tjetër luftë mes forcave politike në Shqipëri, pas marrëveshjes së Mukjes, një luftë civile. Ju çfarë mendimi keni për të?
Nëse vlerësojmë zhvillimet politiko-ushtarake të Shqipërisë në këtë periudhë, arrijmë në përfundimin se lufta e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një luftë antifashiste, e drejtuar kundër pushtuesve të huaj, por që në fazën e fundit të saj shfaqen hera-herës edhe elemente të një lufte civile, apo lufte për pushtet. Nisur nga përkufizimi i luftës civile, mund të thuhet se në një vend të pushtuar nuk mund të ketë luftë civile, e sidomos atëherë kur njëra palë pjesëmarrëse në konflikt, bashkëpunon dhe mbron interesat e pushtuesit.
Pas pushtimit gjerman, antagonizmi në rritje ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste u bë një nga faktorët kyç për politikën gjermane në Shqipëri. Të dyja këto rryma politike kërkonin me çdo kusht të vinin në pushtet pas lufte. Premtimet e gjermanëve, që pushtimi ishte një pasojë e pastër e nevojave ushtarake, lidhur me garancinë e një Shqipërie të pavarur, zgjonte te nacionalistët shqiptarë shpresën për realizimin e një politike të brendshme dhe të jashtme relativisht të pavarur. Edhe besimi se gjermanët do të shkatërronin lëvizjen komuniste – çka ata për hir të së vërtetës thuajse e arritën në dimrin 1943-1944 - ishte një arsye jo e paktë e nacionalistëve shqiptarë për ta pranuar këtë realitet.
Jo më kot në këtë periudhë pason edhe bashkëpunimi në masë i Ballit Kombëtar me pushtuesit gjermanë. Nga taktika e njohur e “kërbaçit dhe kulaçit” përfituan para së gjithash komunistët, sepse sapo gjermanët arrinin të bënin për vete një grupim politik nacionalist, aq më tepër e favorshme bëhej situata politike për Enver Hoxhën. Në fund të vitit 1943, Lëvizja e drejtuar nga komunistët përbënte edhe nga pikëpamja ushtarake një grupim të mirorganizuar. Por ata ende nuk mund të asgjësonin pa shkak grupimet e tjera politike, pra ballistët, zogistët dhe bajraktarët, ose t’i mënjanonin këta të fundit nga synimi i tyre për të marrë pushtetin pas luftës.
Kur gjermanët arritën përfundimisht t’i lidhnin këta të fundit pas tyre dhe siguruan bashkëpunimin e tyre të plotë ushtarak, si mbështetja ashtu edhe besimi i popullit te këto grupime nacionaliste pësoi një rënie të ndjeshme. Me rritjen e kolaboracionit, këto grupime politike u zhvleftësuan në sytë e popullit dhe jo vetëm që humbën të drejtën e tyre për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit pas luftës, por po ashtu u legjitimua edhe asgjësimi i tyre politiko-ushtarak. Elementët e luftës civile duhen kërkuar në përgjithësimin si bashkëpunëtorë të pushtuesve që do të bëhej në luftën kundër elementëve nacionalistë gjatë dhe pas luftës.
Siç ndodhi edhe në vende të tjera, si p.sh. në Francë, ku pas lufte u arrestuan dhe u vranë pa gjyq mbi 10.000 francezë, që kishin bashkëpunuar ose që mendohej se kishin bashkëpunuar me gjermanët, për fat të keq edhe në Shqipëri do të ndiqej një praktikë e tillë.
Cili është përfundimi juaj, prej kërkimeve: deri në ç’shkallë ka pasur kolaboracionizëm në Shqipëri me fuqitë e boshtit nazifashist? A ka ekzistuar vërtet një “bashkim personal“ i Shqipërisë me Italinë dhe një “neutralitet relativ“ i saj me Reich-un e tretë?
Kolaboracionizmi ka qenë një fenomen mjaft i përhapur thuajse në të gjitha vendet që u pushtuan nga boshti nazifashist gjatë luftës, siç ishte për shembull edhe ai i pushtimit gjerman të Danimarkës në vitin 1940, që përbën edhe formën më të veçantë të një pushtimi të huaj gjatë kësaj lufte. Edhe në Shqipëri ky fenomen u shfaq dukshëm.
Pas pushtimit italian, formalisht Shqipëria duhej të kthehej fashiste dhe duhej të ruhej fiksioni i një Shqipërie të pavarur. Në fakt, Shqipëria u shndërrua në një koloni italiane. Gjithë pushteti u përqendrua në duart e mbretit, i cili përfaqësohej nga mëkëmbësi i tij. Qeveria marionetë shqiptare qëndronte poshtë tij.
Kjo ishte mënyra qeverisëse, e cila në shkencat juridike konsiderohej si prototip i një “Rregulli të ri shtetëror”, të cilin diktatorët europianë e aplikuan në shtetet e pushtuara. Pra, gjithë pushteti politik përqendrohej në duart e diktatorit. Ndërkohë që Statuti Themeltar, përcaktonte një monarki konstitucionale, në të vërtetë u krijua një diktaturë fashiste ushtarake, autoritare, tepër e centralizuar dhe antidemokratike. Parë në këtë këndvështrim, një pjesë e rëndësishme e realizimit të kësaj strategjie, ishin edhe bashkëpunëtorët shqiptarë.
Për këtë gjë, italianët grumbulluan rreth vetes përfaqësues të elitës tradicionale shqiptare, shumica e të cilëve ishin armiq të Mbretit Zog. Këta shqiptarë kuptuan të ofronin bashkëpunimin në këmbim të përfitimeve personale. Sigurisht, se një pjesë e kësaj elite ishte italofile sepse, ose kishte studiuar në Itali, ose bënte tregti me të. Bashkëpunimi i tyre nuk kishte një prapaskenë doktrinore, pra Shqipëria nuk ofronte një partner ideologjik për fashizmin, siç ishte rasti i Rumanisë apo Kroacisë. Bashkëpunimi i kësaj shtrese të shqiptarëve bazohej mbi filozofinë e okupimit. Si pasojë, ata nuk dallonin ngjyrime të tradhtisë kombëtare në sjelljen e tyre.
Ndërsa gjermanët u shprehën qartë që në fillim të pushtimit se, arsyeja e pushtimit të Shqipërisë ishte e diktuar, si pasojë e kapitullimit të Italisë nga lufta. Synimi kryesor ishte organizimi i mbrojtjes ndaj ndonjë zbarkimi aleat në Ballkan, çka e kishin siguruar deri në këtë kohë italianët. Për të arritur këtë synim me sa më pak forca dhe për të pasur krahët e mbrojtur nga lëvizja partizane, gjermanët, po ashtu si italianët, u kujdesën të ofrojnë pas vetes bashkëpunëtorë shqiptarë, të cilët duhej të krijonin një qeveri që u shërbente së pari interesave gjermane.
Në ndryshim nga italianët, ata u kujdesën që bashkëpunimi mos të ngelej vetëm në nivel qeveritar, por të lidhnin pas vetes edhe formacione joqeveritare, të cilët do t’i ndihmonin ata në luftë kundër lëvizjes partizane. Për ta arritur këtë synim, ata ishin të gatshëm të bënin edhe disa tolerime ndaj shqiptarëve, siç ishte edhe njohja e “neutralitetit relativ” apo “sovranitetit relativ” të Shqipërisë gjatë luftës. Pra, në rrethana të caktuara, politika gjermane e përkrahte idenë e një Shqipërie të pavarur, por qeveria shqiptare duhej të siguronte furnizimin dhe financimin e trupave gjermane që ndodheshin në Shqipëri dhe të vendoste në postet drejtuese shtetërore, vetëm persona, besnikëria e të cilëve ndaj gjermanëve ishte e provuar në shumë raste.
Gjermanët nuk mund të shpreheshin më qartë për rëndësinë që kishte për ta krijimi i shtetit shqiptar. Ky interes kufizohej vetëm mbi realizimin e synimeve të tyre ushtarake. E përbashkëta e të dyja pushtimeve është se pushtuesit u ndihmuan për të realizuar synimet e tyre edhe nga një grup i caktuar shqiptarësh. Në të dy pushtimet, nuk ka pasur një bashkëpunim ideologjik me pushtuesit. Nëse gjatë pushtimit italian mund të flasim më tepër për një bashkëpunim në rrafshin personal, gjatë pushtimit gjerman, këtij aspekti iu shtua edhe dimensioni politik.
Synimi kryesor i tyre ishte që nëpërmjet bashkëpunimit të siguronin ardhjen në pushtet, pas largimit të parashikueshëm të gjermanëve. Përvoja tregoi se si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet e tjera të pushtuara nga gjermanët, bashkëpunimi me pushtuesit nuk rezultoi si strategjia më efikase për të realizuar këtë synim politik. Ky dështim politik vetëm e lehtësoi ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet.
A ka qenë e sinqertë ndihma dhe mbështetja e krahut perëndimor të aleancës së madhe antifashiste ndaj Shqipërisë?
Qeveria britanike nuk arriti gjatë Luftës së Dytë Botërore të kristalizonte një koncept të qartë për politikën që duhej të ndiqej ndaj Shqipërisë. Një politikë ndaj Shqipërisë artikulohej në rastin më të mirë, vetëm në lidhje me konceptet politike të gjithë rajonit të Ballkanit ku, duhet theksuar se, qendra e rëndesës e politikës britanike qëndronte mbi Greqinë dhe Jugosllavinë, dhe Shqipëria kishte në të gjitha pikëpamjet një rol dytësor.
Edhe në Shqipëri, politika britanike nuk do të bënte asnjë përjashtim: do të mbështetej dhe ndihmohej cilido që i shkaktonte dëmtime Wehrmacht-it gjerman. Si rezultat i kësaj politike, prej prillit të vitit 1943 në Shqipëri vepronin misione ushtarake britanike. Mbështetja që britanikët i dhanë FNÇ-së ushtarakisht u konsiderua tepër e suksesshme, sepse luftoheshin gjermanët, por politikisht pati një impakt negativ, sepse në horizont po shfaqej tashmë imazhi i drejtimit komunist të vendit, fill pas luftës. Po ashtu në takimin e Moskës ndërmjet Stalinit dhe Churchill-it në tetor 1944, Shqipëria “do të harrohej” dhe nuk do të përfshihej në të mirënjohurën “half-sheet of paper”, ku u propozua se çfarë drejtimi dhe varësie ideologjike duhej të merrte Ballkani.
Përfundimisht mund të theksohet se, Shqipëria ishte i vetmi vend europian që nuk do të kapej dhe çlirohej drejtpërdrejt nga aleatët, por as nuk do të përdorej si rrugë kalimi prej tyre. Si pasojë, fati i vendit mbeti në dorë të tyre, të cilët qenë në gjendje të organizonin një qëndresë dhe forcë të armatosur e të organizuar më mirë dhe të madhe në numër ndaj pushtuesve. Për rrjedhojë, është logjike të vlerësohet se, mendimi i disa oficerëve britanikë se, komunistët shqiptarë e siguruan ardhjen e tyre në pushtet me armët britanike, nuk mund të konsiderohet tërësisht i drejtë dhe i gjetur.
Siç ka shkruar vetë R. Hibbert, ish-misionari i njohur anglez në Shqipëri gjatë LANÇ-it, ndihmat britanike ishin tepër të nevojshme në situatën e vështirë që kalonin partizanët, por këto furnizime, duke u bazuar në numrin e vogël të tyre, nuk mund të konsiderohen si faktori vendimtar i marrjes së pushtetit nga komunistët.
A mund të jetë Enver Hoxha një fenomen i pashmangshëm i Luftës së Dytë Botërore?
Fenomeni Enver Hoxha lidhet ngushtë me Luftën e Dytë Botërore, sepse është një produkt i kësaj lufte. Përvoja historike tregoi se gjithë drejtuesit e shtetit që dolën nga kjo luftë dominuan për një kohë të gjatë jetën e popujve të tyre, pavarësisht ideologjisë që ata përkrahën. Për fat të keq, Shqipëria do të përjetonte një nga format më agresive të shfaqjes së ideologjisë komuniste, duke e përshkallëzuar këtë ideologji, madje në një formë edhe më agresive sesa ajo u shfaq në vendlindjen e saj, në Bashkimin Sovjetik. Enver Hoxha do të mbahet mend si njeriu që erdhi në pushtet si fitues i luftës dhe që për më se 40 vjet sundoi si diktator dhe e përdori pushtetin për të asgjësuar kundërshtarët e tij, shumica e të cilëve vinin njësoj si ai, nga radhët e luftës.
Intervistoi: Monika Shoshori Stafa,
Tiranë më 26.11.2014