Dr. Gjelpera - Romani i (pa)perfuduar i Konices

Dr. Gjelpera - Romani i (pa)perfuduar i Konices

Kjo vepër satirike nisi në një seri shkrimesh në "Dielli" më 1924, por u ndërpre pasi Konica u rendit me Zogun (nënviz. ynë)".

Në këtë vlerësim të Panaritit, sipas të gjitha gjasave, i ka rrënjët pohimi, i cili vijon i pandërprerë e i përforcuar për gjysmë shekulli deri më sot, se "Dr. Gjëlpëra" është një vepër e papërfunduar. Ajo është cilësuar jo vetëm gjithmonë e papërfunduar, por në disa raste e saponisur, pasi merr përsipër të na zbulojë rrënjët e dramës së Mamurrasit, ndërkohë që në fragmentin që njohim kjo dramë s‘ka filluar ende të përmendet.

E ndërprerë "për shkak të kthesës politike të Konicës krah Zogut" "Dr. Gjëlpëra" është vlerësuar si një ndër provat më bindëse "të oportunizmit" e "të moskoherencës" së tij.

Ndërprerja e "Dr. Gjëlpërës", të cilën të gjithë e vlerësojnë si kryeveprën letrare të Konicës, ka rënduar më së shumti në gjykimin pothuaj unanim se Konica "nuk na ka lënë qoftë dhe një vepër të përfunduar", rrjedhojë kjo e "pavullnetit të tij" dhe "e padëshirës për t‘u shkuar punëve deri në fund".

Mospërfundimi i veprës ka peshën e vet në mospajtimet lidhur me përkatësinë e saj zhanrore: është cilësuar prozë satirike, prozë e gjatë, roman i papërfunduar, roman i saponisur, novelë, novelë satirike, novelë e llojit etologjik, diçka midis romanit dhe pamfletit.

Për shkak të këtij mospajtimi të madh "Dr. Gjëlpëra" nuk është përfillur asnjëherë si e sa duhet në shqyrtimet sintetizuese mbi procesin e evoluimit të gjinive e llojeve në letërsinë shqipe.

Krahas pohimeve për vlera të padyshimta "Dr. Gjëlpërës" i janë nënvizuar një varg mangësish, ndër të cilat "mospërfundimi" vetë dhe ato që burojnë prej tij janë kryesoret. Është thënë se vepra më fort se e papërfunduar mund të cilësohet strukturisht e ndarë, se motivimi psikologjik i veprimeve dhe i evoluimit të personazhit në pjesën e dytë është i dobët, e në disa raste mungon krejt, se një varg fragmentesh mund të lexohen si trajtesa eseistike për çështje të ndryshme që më fort kanë lidhje me frymëzimin enciklopedik të autorit se sa me strukturën e veprës, se lidhjet midis episodeve nuk janë fort logjike, por të sajuara nga autori, për t‘i dhënë rrugë zhvillimit të subjektit, se veprës i mungon një unitet i plotë artistik, se pjesa e dytë ka karakter fragmentar dhe anekdotik, disproporcione si dhe përsëritje të shpeshta të shprehjeve të veçanta te ndonjë nga personazhet, se duke e stërzgjatur e shkapërderdhur rrëfimin e tij, Konica arrin në një pikë, që vazhdimi i mëvonshëm aq fort ndërlikohet e ngatërrohet, saqë harron premtimin për të arritur në qëllimin e titullit të tij, në zbulimin e rrënjëve të "dramës" së Mamurrasit etj.

Rëndësia mbiproporcionalisht e madhe që bart në këtë rast një fakt, përndryshe i rëndomtë, siç është mospërfundimi i një vepre, si dhe jehona paralajmëruese e një vërejtjeje të Lasgush Poradecit, sipas të cilit, në lëmë të botimeve të shqipes jo rrallë "gabohen përsëri gabimet e gabuara e shtohen të tjera gabime", na shtynë të ndërmarrim një ekskursion hulumtues në rrënjët e "Dr. Gjëlpërës". Kemi arritur në disa përfundime:

1. Botimi i veprës "Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit" nuk është ndërprerë më 24 dhjetor 1924, siç është thënë gjithmonë, as më 20, madje asfare në dhjetor, por as në fund të nëntorit… Ne mund ta mbajmë hovin të qetë në numrin e datës 1 nëntor 1924.

Është e vërtetë se në mbyllje të fragmentit të kësaj date do të gjejmë shënimin "vijon në një numër të arthmë", por tani ne jemi të paktën krejt të sigurt se ndërprerja e "Dr. Gjëlpërës" nuk ndodhi kur Konica "u kthye" me Zogun.

2. Krijimi dhe botimi i "Dr. Gjëlpërës" janë po aq sa reaksion ndaj Zogut, klikës, politikës dhe mentalitetit të tij, edhe reaksion ndaj situatës së pas 20 qershorit 1924, madje shumë më tepër se kaq, reaksion ndaj gjendjes së përgjithshme të botës shqiptare, dhe jo vetëm të atëhershme: "Nëpër gjithë ngjarjet e kohëve të fundit, ku elementet konservative u çdukën dhe erdhi në fuqi e dashura Guverna jonë borgjeze, kemi përgjuar me kujdes të math për një shenjë mendimesh të përgjithshme, për një kuptim makar të vogël të problemeve të Rilindjes së këtij populli. Po përgjuam më kot ("Dielli", 29 korrik 1924, f. 5)"; "Në Shqipëri u bë vetëm një ndryshim kabineti, veç se u bë me armë: është më tepër një pronunciamento se sa një revolucje. [...] Jemi shumë lark nga një revolucje e vërtetë. ("Dielli", 2 gusht 1924, f. 5) ; "Po. S‘ka dyshim se politikanët - turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim - kanë zënë t‘i vënë kazmën Shqipërisë". ("Dielli", 11 nëntor 1924, f. 5); "Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime të përgjithëshme; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: - ato janë dy fakte që duhet t‘i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e shvillimeve në të katër vjetët e fundit". ("Dielli", 11 nëntor 1924, f. 5)

3. Botimin e "Dr. Gjëlpërës" mund ta quajmë të ndërprerë, por veprën s‘kemi të drejtë ta konsiderojmë të papërfunduar.

Në "Diellin" e 29 korrikut botohet ky shënim i redaksisë: "Doktor Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit". Me titullin e mësipërm Faik Konica, tre muaj më parë shkruajti një prallë të cilën pastaj nuk e pa të nevojshme ta botojë. Disa vatranë që e panë i këshilluan përsëri e përsëri ta japë në shtyp. Zoti Konica vendosi t‘u bëjë qejfin atyre vatranëve dhe do ta nisë ta botojë prallën në numër të afërm të Diellit". ("Dielli", 29 korrik 1924, f. 8). Sipas këtij shënimi del që vepra të ketë qenë e përfunduar rreth fundit të prillit 1924. Ngjarja e Mamurrasit, vrasja e turistëve amerikanë Robert Lewis dhe George B. De Long ka ndodhur më 6 prill 1924. Shënimin e parë "Dielli" e jep më 8 prill, ndërkohë që Konica boton shkrimin e tij të parë në serinë e gjatë të shkrimeve mbi dramën e Mamurrasit më 16 prill (Drama e Mamurrasit dhe Qeveria shqiptare). Del pra që "Dr. Gjëlpëra" të jetë konceptuar e shkruar në një hark kohor prej dy-tri javësh.

4. Konica - ky përfundim është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e të mësipërmit - nuk i ka botuar fragmentet e "Dr. Gjëlpërës" "nën trysninë e rrotativës së një organi periodik", siç është thënë. Përkundrazi, vepra ka nisur të botohet duke qenë e përfunduar.

E përfunduar mirë, por në ç‘përmasa? Pasi Konica në 70-90 faqet që njohim "nuk ka hyrë akoma në temë", nuk e ka zënë në gojë qoftë edhe një herë "dramën e Mamurrasit".

Kemi në këto kushte, dy mundës zgjedhjeje: ose të supozojmë që në gjithë-gjithë 15-20 ditë Konica të ketë shkruar të themi 150 a 200 faqe, më e pakta, ose të pranojmë se diçka me dramën e Mamurrasit nuk shkon.

Mundësia e parë, parashikon një rekord shpejtësie të shkrimit, të paimagjinueshëm në rastin e Konicës: "[...] përkujdesja që Faik bej Konica i kushtonte hartimit të artikujve të vet dhe ngadalësia e tij karakteristike bëheshin shkak që revista e tij të dilte gjithmonë me shumë vonesë. Më 1904, nuk dolën veçse numrat e 1902-shit, dhe, më 1907, dilnin rregullisht numrat e 1904-ës". - na kujton, ndër të tjerë, Apolineri.

Mbetet atëherë të pranojmë mundësinë e dytë: se diçka me dramën e Mamurrasit nuk shkon. Në të vërtetë me dramën e Mamurrasit nuk shkon shumëçka. Dhe këtu vijmë në përfundimin e pestë të hulumtimit: "Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit" nuk ka të bëjë fare me dramën e Mamurrasit. Po radhisim një varg argumentesh në mbështetje të kësaj hipoteze:

Argumenti i parë: Pohimi i lartformuluar duket absurd, pasi titulli a nuk premton veç ndriçim të dramës së Mamurrasit? Natyrisht që jo. Titulli premton ndriçimin e rrënjëve të dramës. Dhe rrënjët, në kuptimin e parmë e në kuptimet e bartura të fjalës, vijnë në kohë gjithmonë para trungut, degëve, aq më fort fryteve, qofshin këto të ëmbla a të tharta - komedi, qofshin të helmëta - tragjedi, qofshin të hidhura - drama. Jemi pra në kohën e rrënjëve; në të zhvillohen ngjarjet, me to premton të merret e merret Konica.

Argumenti i dytë: Një veçori e organizimit narratologjik të veprës nuk ka tërhequr vëmendjen e studiuesve: Te "Dr. Gjëlpëra" fillimi i subjektit është fundi i fabulës. Vepra nis pra me një anticipim, me vizatimin e tablosë pothuaj idilike të shtëpisë së përfunduar të dr. Gjëlpërës dhe të marrëdhënieve të tij pothuaj të shkëlqyera me vendasit. Përfundimi që do të hiqej? Ndonjë hallkë e fabulës mund të mungojë, por stratagjema narratologjike na siguron se asnjë tragjedi apo dramë nuk mund të ketë ndodhur.

Argumenti i tretë: Konica përtall ata që merren, të rritur e ushqyer në mesin e mentalitetit mitik zotërues në Shqipërinë e kohës së vet, me simptomën, me pasojën, me shenjën. Dhe bën thirrje se shërimi vjen përkundër duke trajtuar përmes arsyes dhe mjeteve që ka prodhuar ajo, sëmundjen, shkakun, realen. Si mund të bënte Konica lajthimin kapital (të merrej me një simptomë, si "e famshmja" dramë e Mamurrasit) pikërisht në veprën që i kushtohet satirizmit të atij lajthimi?

Argumenti i katërt: Mënyra se si përfundon vepra është në pajtim të plotë me matricën strukturore të saj, që mund të formulohej si ndeshje e dy botëve: e botës së diferencimit funksional të shoqërisë evropiane të pas Iluminizmit, me botën shqiptare, një sintezë kjo e botës së diferencimit segmentar që ka zotëruar në shoqëritë arkaike me botën e diferencimit shtresëzor (social), tipik ky për epokën e Mesjetës evropiane. Vepra përfundon me skenën shumë të gjatë të vizitës që i bëjnë Dr. Emrullahu dhe Dr. Protagoras Dhalla Dr. Gjëlpërës. Jo vetëm kjo skenë, në vështrim të parë, nuk përfundon, por nuk përfundon as sekuenca e fundit e saj, madje as mikrosekuenca e fundit e sekuencës së fundit. Vepra mbyllet me një pyetje të shqiptuar nga Dr. Gjëlpëra: "Po kush mund të thotë se ai djalë i popullit nuk ishte frymëzuar nga një zë i fshehtë i natyrës?"

Kemi të bëjmë pra, të paktën në pikëpamje formale, me një mospërfundim të trefishtë: të skenës, të sekuencës, të mikrosekuencës. Por ky është një kinse mospërfundim, siç është një kinse pyetje, fjalia e fundit.

Vepra mbyllet me një pyetje retorike të Dr. Gjëlpërës, të mbetur pa përgjigje, shenjë e vogël, por simbolike kjo e triumfit të tij ndaj përfaqësuesve të botës kundërshtare. Si mund të mbyllej ndryshe dhe më mirë një vepër që tematizon ndeshjen dramatike të dy botëve kaq rrënjësisht të ndryshme nga njëra-tjetra? Padyshim kështu, me "një përparim të ngadaltë por të sigurtë" - sintagmë e Konicës kjo - të botës së re mbi botën e vjetër.

Argumenti i pestë: Rrethimi hipertekstual publicistik i veprës, pothuaj në kuptimin modern të këtij termi - dhjetëra artikujt të Konicës kushtuar pikërisht dramës së Mamurrasit, botuar po në "Dielli" dhe pothuaj në të njëjtën kohë me "Dr. Gjëlpërën" - ia "pamundësojnë" veprës letrare, për shkak të specifikës së saj si dhe të nevojës së domosdoshme për vetidentifikim në sfondin e hipertekstit, të trajtojë të njëjtën gjë e në të njëjtën mënyrë me të. Pohimet e tipit "Dr. Gjëlpëra është një vepër letrare e shkruar me synimin për të zbuluar se kush i vrau dy turistët amerikanë në Mamurras", dëshmojnë për një moskuptim dramatik të natyrës së veprës së artit. Drama e Mamurrasit është një ngjarje reale, jo një ngjarje fiksionale. Që kur funksioni i fiksionit qenkërka të ndriçojë si ka ndodhur realisht realja?

Argumenti i gjashtë: Ideja se Konica nuk shqetësohet aq dhe në radhë të parë për vrasjen e Mamurrasit se sa kryesisht e mbi të gjitha për "mekanizmin" që e ka prodhuar atë shprehet në mënyrë të përsëritur në shkrimet e tij. Prej këtyre shkrimeve del gati e formuluar shprehimisht pamundësia që ai të mund t‘i përqendronte energjitë e veta krijuese mbi dramën a "pusinë e Mamurrasit" në vetvete: "Po t‘ish se, që më 1913, kur Shqipëria u-bë më vete, po t‘ish se të paktën që në Kongres të Lushnjës e tëhu, të gjitha elementet të vetëthëna "të përparuara" të kishin bërë një propagandë të nxehtë dhe të papushuar për të zgjuar ndërgjegjjen e popullit, për të përhapur në mes të popullit ndjenjën e respektit për jetën e njeriut dhe kuptimin e poshtërsisë së gjakderdhjes, ahere ose pusia e Mamurrasit ndoshta nukë ngrihej, ose kriminalëve do t‘u kish dredhur dorën zëri i ndërgjegjjes së re. Një propagand‘ e atillë jo vetëm nuk është bërë, po nga tërë shvillimi i historisë në të dhjetë vjetët e fundit ka rrjedhur një mësim i çuditshëm për popullin: që vrasja është trimëri, dhe që trimëria sjell nder, fitim, dhe lartësim. "Patriotëve" t‘anë u pëlqen të shohin një Shqipëri të përparuar; po mendimi i tyre duket të jetë se përparimi nukë munt të bëhet pa "qëruar" me kobure njerësit e liq, të cilët natyrisht janë njerësit që mendojnë ndryshe. Nga kjo pikëpamje, truri i vrasësve të Mamurrasit dhe truri i "patriotëve" janë më një shkallë: për njërin tru si për tjatërin, vrasja është një mjet i ndershëm. Sa kohë të mbetet e pandruar kjo mëndësi e erët, Shqipëria do të mbetet një nisi afrikane në mes t‘Evropës". ("Dielli", 18 dhjetor 1924, f. 4)

Argumenti i shtatë dhe i fundit lidhet me raportin kohë e ngjarjes - kohë e rrëfimit. Në më shumë se tri të katërtat e tekstit përshkruhen ngjarje të ndodhura në një segment kohor që nuk kap më tepër se disa javë të vitit 1920. Me këtë raport mes kohës së ngjarjes e kohës së rrëfimit dhe me këtë ritëm sa do t‘i duhej rrëfimtarit të "Dr. Gjëlpërës" për të mbërritur në prillin e 1924-s?

Por, nëse vepra në gjendjen që njohim është e përfunduar, si do të shpjegohej atëherë shënimi në fund të fragmentit të fundit, atij të 1 nëntorit 1924, "vijon në një numër të arthmë"?

Pikërisht në ditët kur përfundon (siç kemi bindjen) apo "ndalet" botimi i "Dr. Gjëlpërës", rihapet në Tiranë gjyqi për organizuesit dhe vrasësit e Mamurrasit. Konica rifillon të shkruajë për "dramën", madje boton në disa numra të "Diellit", në dhjetor 1924, "Raportin zyrtar të hetimeve mi ngjarjen e Mamurrasit". Mos vallë Konica ka pasur idenë që gjithçka e shkruar prej tij rreth kësaj teme dhe vetë ky raport do të duhej të konceptoheshin në njëfarë mënyre si të lidhur me veprën, në mos po si pjesë të saj?

Por këtu jemi në kufijtë e supozimit të mirëfilltë. Të përpiqemi të përfytyrojmë arsye më të ngjashme që do të mund të përligjnin tezën tonë se, edhe përkundër shënimit "vijon në një numër të arthmë", kemi të bëjmë me një vepër, nga pikëpamja autoriale, të përfunduar. Dhe mundësitë janë disa:

Shënimi në fund të fragmentit të fundit është një lajthitje e redaktorit apo e rradhitësit, ndryshe e lexuesve të parë të tij, pasi, siç e pamë, në vetvete dhe nga një vështrimi i përciptë, ai nuk ka kurrnjëfarë natyrë përmbyllëse; shënimi është pjesë e tekstit, e menduar nga autori, i cili, përmes këtij vijimi virtual të veprës, mund të ketë dashur t‘i bëjë me dije lexuesit, se një aksion qytetërues, siç është ai i Dr. Gjëlpërës nuk mund dhe nuk duhet të "përfundojë".

Shënimi është një provokim elegant që Konica mund të ketë pasur trillin t‘i bëjë horizontit të pritjes të publikut.

Shënimi lajmëron vërtet një fragment vijues dhe më përmbyllës të veprës, por i cili - e Konica mund të ketë arritur në këtë përfundim pas daljes së numrit të 1 nëntorit - do ta mediokrizonte në një farë kuptimi veprën.

Nëse gjithë kjo që u tha deri më tash provohet në thelb si e paqortueshme, si mund të shpjegohet një gabim i gabuar kaq herë? Ka, sipas nesh, dy arsye, një të përgjithshme e një konkrete.

Arsyeja e përgjithshme është, ndër të tjera, rrjedhojë e atij që ne e kemi emërtuar kompleks i superioritetit të mendjes metaletrare ndaj mendjes letrare shqiptare, të cilit i rri pranë një tjetër kompleks, ai i superioritetit të mendjes së sotme ndaj mendjes shqiptare të mëhershme.

Arsyeja, apo më mirë përligjja konkrete, e gabimit të gabuar kaq herë lidhet me një ndryshim radikal të perspektivës së receptimit: lexuesi historik di pothuaj gjithçka për dramën e Mamurrasit, por thuajse asgjë për rrënjët e saj, në kuptimin e shkaqeve të thella historike, politike, psikologjike etj. që e ushqyen, ashtu siç kanë ushqyer dhe vazhdojnë t‘i ushqejnë me qindra e mijëra dramat e vogla e të mëdha shqiptare. Ndërkohë, lexuesi i sotëm di pothuaj gjithçka për këto rrënjë, por thuajse asgjë për "dramën" e përveçme të Mamurrasit. Është e natyrshme, në këto rrethana, që lexuesi historik të mos presë gjë për këtë dramë, ndërkohë që lexuesi i sotëm të kërkojë të mësojë nga vepra pothuaj vetëm për të. Me fjalë të tjera: për lexuesin historik drama e Mamurrasit është e pranishme në paratekst (titull), e papranishme në tekst dhe e gjithëpranishme në kontekst. Për lexuesin e mëvonshëm e të sotëm drama e Mamurrasit është e pranishme në paratekst, e papranishme në tekst dhe aq më fort e papranishme në kontekst. Në këtë mosprani të dyfishtë tekstuale e kontekstuale e ka burimin edhe kërkesa e ngulmët e lexuesit dhe e studiuesit të sotëm, i cili pret me domosdo "shfaqjen" e Mamurrasit në vepër.

Le të lemë mënjanë tezën e Michel Buttor-it, pas të cilit mospërfundimi nuk është veçori e një a disa veprave të dhëna, por tipar inkoherent i veprës letrare moderne. Le të pranojmë si plotësisht të mirëqenë edhe mitin a gjysmë të vërtetën se F. Konica na ka lënë vetëm vepra të papërfunduara. Një fakt nuk mund assesi të mohohet: Tekstet koniciane, edhe ato "të papërfunduarat", apo ato vërtet të tilla, janë paradoksalisht elementë të një makroteksti të përfunduar. E kemi fjalën në radhë të parë te koherenca në kohë e botëvështrimit të përgjithshëm të Konicës. Ky pohim yni - jemi të vetëdijshëm - është në kundërshtim flagrant me opinionin zotërues, i cili nënvizon pikërisht moskoherencën si një ndër tiparet themelore të autorit të "Dr. Gjëlpërës". Të kuptohemi: Konica demonstron moskoherencë magjistrale, veçse, dhe kjo është thelbësore, në çështje të dorës së dytë e të tretë. Në çështjet e dorës së parë, dhe kjo vlen për ne të përfillet, koherenca e tij mund t‘i ketë të rralla shoqet në historinë moderne të Shqipërisë. Cilët janë ata personalitete shqiptare që mund të "mburren" se kanë ngulmuar në mënyrë të përsëritur e të palëkundur, për kaq e kaq vjet a dekada të rrënjosin në botën shqiptare një të njëjtë ide?: "E kam thënë njëzet e tetë vjet me radhë dhe e përsëris dhe një herë: Shqipëria ka nevojë për një revolucje morale për një ndrim të çeteleve, për një kuptim të ri të së mirës e të së ligës, një kuptim jo vetëm të ri, por më të fortë, më të thellë, më të gjallë". ("Dielli", 19 korrik 1924, f. 4). Nga perspektiva e kësaj koherence themelore të botëvështrimit, mund të thuhet pa teprim, se gjatë jetës së vet Konica njëmendësoi, si rrallëkush në botën kulturore shqiptare, në vija të përgjithshme, një vepër të vetme, një korpus (me një koherencë të brendshme të fortë) pjesësh, të cilat i lidhin me njëra-tjetrën e të tërën raporte ndë tekstore të dendura. Për të cikur veç ndonjë shembull: "Lulia e malit", "pralla" e shkruar rreth tri dekada para "Dr. Gjëlpërës", ka në thelb të njëjtën strukturë fabulore me të, është një lloj arkiteksti i saj, siç ka me "Dr. Gjëlpërën" - dhe kjo është vërejtur - lidhje të forta "Një ambasadë e Zulluve në Paris" e po ashtu "Shqipëria si m‘u duk". Konica kujdeset ta përmbyllë veprën e vet të vetme letrare-jetësore madje tekstualisht, me "Testamentin", i cili, po ashtu, bën fjalë për një kthim - siç kthehet, me një mision qytetërues, Toskua ("Lulia e malit"), siç kthehet Plugu ("Një ambasadë e Zulluve në Paris"), siç kthehet Dr. Gjëlpëra - tash kthehet ati i tyre vetë dhe përfundimisht. Është shenjë gjenialiteti padyshim jo aq fort përmbyllja e ngurtë e pjesëve, sesa përmbyllja e hapur e së tërës, pjesët e së cilës shfaqen si variante të gjeneruara prej një matrice të vetme thelbësore.

Koherenca bazale e së tërës, nga një anë, ia ka mundësuar Konicës "luksin" të mos shqetësohet shumë për t‘i "përfunduar" punët, nga ana tjetër kjo koherencë ka aftësinë, në një kuptim, "t‘i përfundojë" edhe "të papërfunduarat". Duke u mbështetur edhe në përfundimet e mësipërme, dy fjalë tani lidhur me vendin e Konicës e të aksionit të tij në kontekstin e së tërës shqiptare. Në krye të herës, ia vlen të shohim ç‘është e tëra, a tërësia shqiptare për vetë Konicën: "Inglizët kanë një fjalë popullore, që njeriu i cili ndodhet në mes të një pylli nuk e sheh dot pyllin po sheh vetëm ca lisa. Fjal‘ e drejtë. Pyllin munt t‘a shohin vetëm ata që qëndrojnë jashtë pyllit. Vëzhgonjës si i nënëshkruari, të cilët rojnë lark Shqipërisë, munt të lajthiten në ‘details‘ lokale përmi Hasanin ose Gjergjin, po shohin shumë më mirë e më kulluar se të brendëshmit tërësinë (l‘ensemble). E dini si duket Shqipëria nga jashtë? Duket si një vent i turbull e i trazuar e i erët, pa dritë udhëheqëse, pa qëllime të caktuara, ku sicilido lëfton për kockën e tij, ku interesat lëftojnë kundr‘ interesave, dhe ku poshtrësia dhe balta bërtasin se janë të larta [...]. Ashtu duket Shqipëria nga jashtë. Dhe në qoftë se s‘jam i verbër, ashtu është. Një tragjedi pa emër". ("Dielli", 29 korrik 1924, f. 5)

Po, e vërtetë, thënë ndryshe, një varkë e shkalafitur. Veçse këtu Konica lajthit. Lajthit, pasi Shqipëria nuk është vetëm kjo që "është". Shqipëria është edhe ajo që ka qenë; pos kësaj Shqipëria është, për shembull, edhe Konica.

Shqipëria nuk është, pra, veç varka e shkalafitur. Shqipëria është varka e shkalafitur, e cila - nuk dihet sesi - i qëndron një tallazi dy-tre a kushedi sa mijëvjeçar, dhe të cilën - prapë nuk dihet sesi - një fill i hollë, por i pashkëputshëm e mban lidhur me shkëmbin më të epërm të qytetërimit. Kjo është Shqipëria, e trefishtë: shkalafitje, qëndresë, orientim. Shkalafitje e skajshme, qëndresë e paçbëshme, orientim epror.

E sikur të mos mjaftonte kjo, një individ, një ide, një aksion në botën shqiptare, jo rrallë, për të mos thënë shpesh, i ndih njëherësh edhe shkalafitjes, edhe qëndresës, edhe orientimit.

Në këto kushte mbetet të përcaktohet, edhe pse nuk është e lehtë, se cili është funksioni dominant i individit, i idesë, i aksionit në këtë botë të trefishtë dhe të ngatërruar shqiptare. Natyrisht, jo i funksionit të idesë, individit, aksionit në vetvete, pasi funksion në vetvete nuk ka, madje as i funksionit të pjesës në raport me pjesën, se ky e tregon të deformuar tablonë, por i funksionit të tyre në të tërën.

Konica, dhe kjo është një ndër të veçantat e tij, është partizan jo i sinkretizmit, por i diferencimit të funksioneve. Funksioni i tij është ai më i vështiri, funksioni i orientimit, i fillit të pashkëputshëm, që e mban varkën e shkalafitur që reziston, lidhur fort me shkëmbin më të epërm të qytetërimit.

"Dhe Faiku faqe ndron"- po, e vërtetë; "Dije shante, sot lëvdon"- kështu ka qenë; "fryn bulçitë e trumbeton / se katrani sbardhëllon." - po s‘e luan as topi. Të gjitha të vërteta. Çështja është se këto janë të vërteta më fort emocionale se racionale, që pjesa ia thotë pjesës, sot për sot, brenda varkës së shkalafitur që mbijeton e që përpiqet të orientohet.

Mjafton ta zgjerojmë horizontin, të dalim nga varka e shkalafitur, t‘i largohemi asaj, ta rrokim të plotë së largu e së larti pamjen e Shqipërisë së trefishtë, e Shqipërisë-në-botë-dhe-në-kohë, dhe atëherë do të kuptojmë, se në optikën e kësaj të tëre Konica nuk është thjesht një personalitet, qoftë dhe "një nga më të shkëlqyerit bij të Shqipërisë", me përkufizimin e Nolit; ai është një përbërës a më mirë një dimension i botës dhe i qytetërimit shqiptar. Pa të Shqipëria e gjysmës së parë të shek. XX është kryesisht shkalafitje dhe qëndresë. Jo vetëm me të, por në radhë të parë me të, Shqipëria e gjysmës së parë të shek. XX është shkalafitje, qëndresë, orientim. Varka e shkalafitur që tallazitet doemos e ndeh, e tund, e tërheq, e vërtit sa në një anë në tjetrën fillin që e lidh atë me shkëmbin më të epërm të qytetërimit; mund ndoshta ta këpusë. Përderisa filli ka zgjedhur pozicionin e qëndrueshmërisë së palëkundshme, përderisa ai nuk do dhe nuk mund të epet, ai do t‘i përjetojë në mënyrë të natyrshme të gjitha këto tensione.

Pjesa më e madhe e kompleksit të pafund të veseve, të mëkateve, të gabimeve që i vishen Konicës, parë jo nga një vështrim psikologjik-vetjak, se kjo nuk na thotë gjë, por nga një vështrim sistemik i së tërës shqiptare, nuk është gjë tjetër veçse kundërpesha e pashmangshme e pozicionit të tij të qëndrueshmërisë së palëkundur, idesë së tij të vetme, i ëndrrës së tij të jetës, i funksionit të veprës së tij, të cilat qëlluan të jenë jo thjesht ëndrra e tij, vepra e tij, ideja e tij, por një përmasë e botës shqiptare. U përpoqëm të vërtetojmë thuktas se "Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit" në pikëpamje fabulore nuk ka të bëjë fare me dramën e Mamurrasit, se e ashtuquajtura ndërprerje e saj nuk ka ndodhur më 24 dhjetor 1924, por dy muaj më parë, se ky fakt nuk ka kurrfarë lidhje me të ashtuquajturin ndërrim të kursit politik të Konicës e renditjen e tij krah Zogut, se, përderisa vepra tre muaj para se të nisë botimi e për një varg arsyesh të tjera letrare e jashtëletrare dëshmohet e përfunduar, ajo nuk ka se si dhe pse të quhet e papërfunduar, se në vështrim të përkatësisë zhanrore - ne nuk u ndalëm në këtë pikë - vepra nuk duhet të vlerësohet në mënyrë të ngurtë, pasi është një shembullim i shkëlqyer i dinamikës dhe i kompleksitetit të evolucionit të sistemit të gjinive në letërsinë shqipe, se të gjithë përbërësit e veprës, në të tërë nivelet shqyrtimi i thelluar do të mund t‘i dëshmojë organikisht funksionalë, se të ashtuquajturat të meta të rënda të Konicës dalin të rëndësishme vetëm nëse shqyrtohen përmes një optike jo të rëndësishme, se "Dr. Gjëlpëra", ashtu si gjithë aksioni i Konicës në botën shqiptare, më në fund e thënë përmbledhtas, nuk është një vepër e pakryer, por e kryer, madje diç më shumë, e përkryer. Kjo fjalë e fundit na sjell ndër mend edhe njëherë Qerim Panaritin, njeriun që e nisi i pari atë historinë e gabimit të përsëritur të gabimit të gabuar, dhe i cili, si për ta shlyer atë mëkat, na ka lënë cilësimin më lapidar që i është bërë ndonjëherë atit të Dr. Gjëlpërës, shqiptarit më të përkryer", Faik Konica.

Per te lexuar me teper per Faik Konicen klikoni ketu

Marre nga : Gazeta Shqip



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama