Dokumentet per transferimin e studenteve

Dokumentet per transferimin e studenteve

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar ditën e djeshme udhëzimin, i cili shpjegon procedurën e transferimit të studentëve nga universitetet private të penalizuara me heqje licence në institucione të tjera të arsimit të lartë. Udhëzimi përcakton me detaje të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që duhet të plotësojnë studentët si edhe afatet kohore për këtë. Aty jepen si detyrimet që universitete e penalizuara janë ndaj studentëve, ashtu edhe ato që kanë ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Studentët duhet të përgatisin edhe dokumentacionin për shkollën e mesme.

UDHËZIM

"PROCEDURAT QË DO TË NDIQEN PËR ORGANIZIMIN E PROCESIT TË TRANSFERIMIT TË STUDENTËVE NGA INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË TË CILËVE IU ËSHTË HEQUR LICENCA"

Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës, ligjit nr.9741, datë 21.05.2007 "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar; të Vendimit nr. 539, datë 06.08.2014, të Këshillit të Ministrave "Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë", UDHËZOJ:

 

1. Studentët që në vitin 2013-2014 kanë ndjekur studimet në një nga institucionet e arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca me Vendimin nr. 539, datë 06.08.2014, të Këshillit të Ministrave "Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë", mund të transferojnë studimet e tyre në programe studimi të njëjta apo të ngjashme të të njëjtit cikël studimi në një universitet publik ose privat të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit.

2. IAL-të, të cilave u është hequr licenca, të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimoreshkencore për vitin akademik 2013- 2014, në të gjitha ciklet e studimit ku ata ushtrojnë veprimtarinë dhe për të gjitha programet e studimit të ofruara dhe brezat e studentëve që kanë filluar studimet pas miratimit të aktit të hapjes së programit të studimit. IALtë të organizojnë sesione të jashtëzakonshme provimesh dhe mbrojtje të temave të diplomës, për studentët që nuk kanë arritur të shlyejnë detyrimet e vitit akademik 2013-2014. IAL-ja përcakton një plan të qartë me data dhe objektiva konkrete, të cilin ia vë në dispozicion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit brenda datës 13 gusht 2014 në formë shkresore, si dhe elektronike në adresën: vkl@arsimi.gov.al

3. Për të gjithë studentët të cilët kanë përfunduar studimet dhe mbrojtjen e temës së diplomës, të cilët rezultojnë të regjistruar në një program studimi pas datës së miratimit të hapjes së tij nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, dhe kur programi i studimit që kanë ndjekur është akredituar në Republikën e Shqipërisë, institucioni i arsimit të lartë   të cilit i është hequr licenca, të marrë të gjitha masat për të lëshuar diplomën dhe suplementin përkatës, konform të gjitha akteve ligjore e nënligjore në fuqi, brenda datës 1 shtator 2014.

4. Institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca, kanë detyrimin të përgatisin dosjen me dokumentacionin e nevojshëm për çdo student brenda datës 1 shtator 2014, dhe t'ia vënë atë në dispozicion çdo studenti pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e studentit.

5. Dosja e studentit të përmbajë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të mundësuar çregjistrimin nga kjo IAL dhe regjistrimin në një IAL tjetër, si më poshtë:

a) Dokumenti i çregjistrimit;

b) Plani i plote i programit të studimi;

c) Lista e lëndëve të shlyera me notat dhe kreditet përkatëse;

d) Lista e notave dhe kreditet e fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, e cila do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur;

e) Kopje e kontratës së lidhur në kohën e regjistrimit të studentit në IAL përkatëse dhe kopje e dokumentit që dëshmon zgjidhjen e kontratës;

f) Diplomat e cikleve të mëparshme të studimit dhe/ose të shkollës së mesme të kryer nga studenti (institucioni mban një fotokopje të vulosur nga vetë institucioni), si dhe kopje te dosjes së regjistrimit fillestar të studentit në këtë IAL.

6. Dokumenti i çregjistrimit të jetë origjinal dhe individual, dhe të përmbajë elementet e mëposhtëm:

a) Emri, Atësia, Mbiemri;

b) Datëlindja;

c) Vendlindja;

q) Shtetësia;

d) Numri i matrikullimit;

dh) Emri i shkollës së mesme/IAL-së së kryer përpara ndjekjes së këtij programi studimi;

e) ID e Maturës Shtetërore/nr. Regj. të veçantë; ë) Numri personal i identitetit;

f) Data e regjistrimit në programin e studimit të ofruar nga IAL-ja;

g) Emërtimi i programit të studimit dhe Fakultetit përkatës;

gj) Cikli dhe forma e studimit

h) Data e ndërprerjes së studimeve.

7. Plani i plotë i programit të studimit, pjesë e dosjes së studentit, është plani i dorëzuar nga IAL-ja në kërkesën për licencimin/hapjen e programit të studimit ose ai i ndryshuar dhe miratuar më pas sipas procedurave të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Në këtë dokument të shënohen kreditet (ECTS) për çdo lëndë/syllabus.

8. Studentët, brenda datës 20 shtator 2014 kanë të drejtë të aplikojnë për transferimin e studimeve në institucionet publike dhe private të arsimit    të hartë. Për të aplikuar, studentët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

a. Dosjen e studentit, që përmban sa parashikohet në pikën 5 të këtij Udhëzimi;

b. Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese/ diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barazvlefshme me të në Shqipëri dhe të njohur nga komisioni i posaçëm për njohjen e diplomave të arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për shlyerjen eventuale të provimeve me zgjedhje. Në rastet kur dokumenti është lëshuar nga një institucion i huaj ai duhet legalizuar në vendin ku ndodhet institucioni që e ka lëshuar dhe duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe;

c. Për studentët që aplikojnë për transferim të studimeve në programe studimi të ciklit të dytë, fotokopje të noterizuar e diplomës/diplomave të ciklit/ cikleve të mëparshëm të studimit të arsimit të lartë së bashku me certifikatën e notave dhe suplementin e diplomës/ diplomave përkatëse. Në rastet kur dokumenti është lëshuar nga një institucion i huaj ai duhet legalizuar në vendin ku ndodhet institucioni që e ka lëshuar dhe duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe, si dhe i njohur në Republikën e Shqipërisë nga Komisioni i Njohjes së diplomave të arsimit të lartë në MAS. Në qoftë se kandidati nuk ka diplomë të maturës shtetërore apo dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit;

d. Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit;

e. Dy fotografi;

f. Deklaratë e kandidatit që ai nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi në institucione të tjera të arsimit të lartë, dhe që nuk do të ndjekë njëkohësisht një program tjetër studimi, deri në përfundimin e programit të studimit ku ai po aplikon;

g. Autorizimin për trajtimin e të dhënave personale sipas shtojcës I të këtij Udhëzimi. Institucionet pritëse ngrenë në nivel njësie kryesore komisionin e vlerësimit, njohjes dhe ekuivalentimit të krediteve të grumbulluara nga studenti si dhe të periudhave të studimit. Ky komision ngrihet me vendim senati akademik mbi bazën e propozimeve të ardhura nga njësitë kryesore përkatëse. Në rastin e institucioneve private të arsimit të lartë, senati përcakton dhe numrin      maksimal të studentëve që do të pranohen në zbatim të këtij vendimi në çdo program studimi, në mënyrë që respektohen standardet e cilësisë të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

9. Komisioni i vlerësimit, njohjes dhe ekuivalentimit, i ngritur në IALtë pritëse, mblidhet brenda datës 25 shtator 2014. Ai kryen renditjen e studentëve aplikantë mbi bazën e një sistemi pikëzimi të vendosur me vendim të senatit akademik. Sistemi i pikëzimit konsiston të paktën në notën mesatare të studimeve të shkollës së mesme, studimeve universitare pararendëse dhe performancës (ritmit) së shlyerjeve të detyrimeve akademike në IAL-të paraardhëse. Në përfundim të vlerësimit dhe renditjes së aplikantëve, Komisioni përcakton listën e kandidatëve që do të pranohen, në rastin e IAL-ve publike duke u bazuar në numrin e kuotave të parashikuara për transferimet, ndërsa në rastin e IAL-ve private duke u bazuar në numrin maksimal të studentëve për program studimi të përcaktuar me vendim të senatit akademik.

10. Lista e kandidatëve, e përcaktuar sipas parashikimeve në pikën 9 të këtij udhëzimi, i përcillet dekanatit përkatës brenda datës 6 Tetor 2014. Institucioni hap procedurat për regjistrimet e kandidatëve nga data 7 tetor 2014 deri në orën 12.00 të datës 10 tetor 2014. IAL-ja shpall listat e kandidatëve të regjistruar për program studimi brenda orës 16.00 të datës 10 tetor 2014 në vende të dukshme si dhe ia përcjell ato Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në formë elektronike në adresën vkl@arsimi.gov. al brenda po të njëjtës datë. Në rast të mos plotësimit të kuotave të miratuara, IAL-ja hap fazën e dytë të regjistrimeve, nga data 13 tetor 2014 deri në orën 12.00 të datës 16 tetor 2014, për kandidatët sipas renditjes zbritëse në listën e përcaktuar nga Komisioni i vlerësimit. IAL-ja shpall listat përfundimtare të kandidatëve të regjistruar për program studimi brenda orës 16.00 të datës 16 tetor 2014 në vende të dukshme.

11. Lista përfundimtare e kandidatëve të regjistruar i dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e shoqëruar me argumentimin mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, brenda datës 16 Tetor 2014, në formë shkresore dhe elektronike në adresën vkl@arsimi.gov. a1. Një kopje e listës i dërgohet Agjencisë Kombëtare të Provimeve për gjenerimin e numrave të matrikullimit.

12. Listat e kandidatëve që i përcillen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në zbatim të pikës 10 dhe 11 të këtij Udhëzimi të përmbajnë të dhënat sipas shtojcës 2 bashkëlidhur dhe të përcillet sipas specifikimeve më sipër në formë shkresore dhe /ose elektronike sipas rastit. Përcjellja në formë elektronike duhet të bëhet në format excel.   

13. Për verifikimin e procedurave të mësipërme si dhe menaxhimin e të gjithë procesit në vijim të hyrjes në fuqi të vendimit nr. 539 datë 06.08.2014, të Këshillit të Ministrave, "Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë", pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, ngrihet një Komision i Posaçëm me këto kompetenca:

a) Të kërkojë informacion dhe të verifikojë procedurat e ndjekura për transferimin e studimeve nga institucionet e arsimit të lartë të cilave iu është hequr licenca si dhe institucionet pritëse; b) Të mbikëqyrë procedurat e ndjekura nga komisionet e vlerësimit, njohjes dhe ekuivalentimit të ngritura pranë IAL-ve pritëse;

c) Të monitorojë zbatimin e sa parashikohet në Vendimin nr. 539 datë 06.08.2014, të Këshillit të Ministrave "Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të larte";

d) Te informojë Ministrin e Arsimit dhe Sportit brenda ditës për shkeljet, parregullsitë dhe abuzimet e konstatuara;

e) Të organizojë veprimtari informuese, në bashkëpunim me zyrën e marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për kuadrin ligjor dhe procedurat që duhen ndjekur nga studentët që do të transferojnë studimet.

14. Komisioni i Posaçëm brenda datës 20 Tetor 2014 harton raportin përfundimtar mbi ecurinë e procedurave të transferimit të studentëve.

15. Institucionet e arsimit të lartë, të cilave u hiqet licenca, nuk kanë të drejtë të kryejnë asnjë veprim financiar apo lëvizje në llogaritë bankare të institucionit, përveç atyre që kanë lidhje me kthimin e pagesave të kryera nga studentët për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj studentit.

16. IAL-ve që u është hequr licenca të kryejnë likuidimin e studentëve sipas parashikimeve të Vendimit nr.539 të Këshillit të Ministrave "Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë" dhe këtij Udhëzimi.

17. Ngarkohen për zbatimin e këtij Udhëzimi zëvendësministri për Arsimin e Lartë, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.

Ky Udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren Zyrtare". 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama