“Njohja” ime me Gjergj Kastriotin Skënderbeun është e hershme. U thellua gjatë përgatitjes së serialit dokumentar televiziv, shtatë episode, për arbëreshët e Italisë, më 1976, me mbititullin “Rrembi i këputur thahet”. Parashikimin që sjell kjo formulë e morëm nga drama “Nita” e autorit nga Arbneshi i Zarës, J. V. Rela dhe e përjetuam intenzivisht gjatë xhirimeve në ambientet e Kalabrisë.
Edhe mërgimi i tyre para pesë shekujve, edhe jeta e djeshme dhe e ta shme, gjithçka lidhej me fi gurën e Skënderbeut dhe me “Motin e Madh” të tij. Prandaj ishte aq e domosdoshme njohja e mirë me Gjergj Kastriotin.
Lasgush Poradeci thotë që vlerën e një kombi e bën tradita e tij. Kjo traditë vjen deri te ne me hallka të trasha të një zinxhiri të madh. Si hallkë të parë thekson pellazgët, hallkë të dytë ilirët dhe gjuhën shqipe që trashëguam prej tyre, “hallka e tretë”, më i madhi ndër gjeneralët e botës, Gjergj Kastrioti, dhe pas kësaj, thotë, “vjen ajo hallka tjetër- e fortë dhe e shkëlqyer-Rilindja! Rilindja, ajo e bëri Shqipërinë!” Rilindja si lëvizje kulturore
dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishin aq të ndërlidhura ndërmjet veti. Kryeheroi ynë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u jepte shpirt të dyjave. Madje Lidhja e Prizrenit, 1878, ishte si një përsëritje e Lidhjes së Lezhës, 1444. Te Lidhja e Prizrenit mungonte fizikisht Skënderbeu, por ishte aty shpirtërisht, madhështor e i pakontestueshëm, protagonist qendror thuaja në gjithë veprat e Rilindjes, nga De Rada te Naimi e gjithë të tjerët.
Në 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit bëmë 13 emisione dokumentare njëorëshe, të lidhura mirë me njëri-tjetrin, deri te i fundit, me titullin “Duam lirinë dhe vetqeverimin!”. Titulli u shkëput nga thirrja për kryengritjen antiosmane të vitit 1912. Edhe se në rrethana në dukje liberale të Jugosllavisë së vitit 1978, emisionet u ndaluan dhe më vonë autori i tyre u dënua.
Për përgatitjen e emisoneve duhej njohur atë tharmin kombëtar që mishëron fi gura dhe epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Sepse, dihet që, siç shkruan Abas Ermenji në librin për Gjergj Kastriotin “Skënderbeu është figura qendrore që lidh të dy pjesët e historisë shqiptare: vjetërsinë klasike dhe kohët moderne. Figura e Skënderbeut ka lozur një rol kryesor edhe në kohët e pastajme të kombit shqiptar. Ajo i ka sunduar rrjedhimet e kësaj historie deri në ditët tona”.
Revistën mujore “Ekskluzive” e udhëhoqa nja tri vjet. Gjatë kësaj kohe dolën 32 numra. Në shumicën e numrave kishim dokumente e shkrime për Skënderbeun. Numri 20 i revistës doli me një shtojcë speciale për Gjergj Kastriotin, e përgatitur prej meje me rastin
e vendosjes së monumentit të tij në Prishtinë, në vjeshtë të vitit 2001. Kjo e tashmja është hera e katërt që po përqendrohem në Gjergj Skënderbeun dhe në epokën e tij të madhe. E filluam në 600 vjetorin e lindjes. Në “Hyrje” të këtij libri është shpjegimi si ndodhi kjo.
Dhe mbas shumë leximesh e shënimesh të lodhshme, kisha ndjenjën se u hodha midis oqeanit. Me keqardhjen për vetveten, më shtohej keqardhja për historianët, për borxhin që e kanë ta shpjegojnë drejt atë epokë luanësh dhe t’i korrigjojnë defektet e shumta të shkencës së tyre. Sidoqoftë, pa ta zor se do të ishte i këtillë ky botim, prandaj i falënderoj për ndihmën e shumëfishtë që më kanë dhënë përmes veprave të tyre. Por, nëse qëmton
kaq shumë këso defektesh një publicist i zakonshëm si unë, duhet të bëjnë një mal me to hulumtuesit e historianët që do të vijnë paskëtaj. Dhe ndoshta të vënë pikën në çështje aq të diskutueshme. Më në fund, edhe historianët e Skënderbeut, që nga Aleks Buda, Ali Hadri, Kristo Frashëri, Kasem Biçoku, Jahja Drançolli e të tjerët, kanë punuar e shkruar nën kufizimet e sistemit e të pamundësive për hulumtime më të thelluara nëpër arkiva.
Edhe Fan S. Noli, në vitin 1921, konkludon: “Më në fund kemi arshivat e Vatikanit,
të Republikave të Venetisë e të Raguzës, të mbretërive të Napolit e të Hungarisë, dhe
të dukatëve të Millanit e të Burgonjës, me të cilat kishte marrëdhënie diplomatike Shqipëria në kohën e Kastriotëve. Historia kritike e Skënderbeut s’ mund të shkruhet gjersa të shoshiten plotërisht këto arshiva”. Një si rezultat i punës rreth këtij libri
është që një ekzemplar autentik, në mos fort i posaçëm, i botimit të parë të veprës së Marin Barlecit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, Princit të Epirotëve”,
Romë 1508-1510, u soll në Prishtinë dhe është pronë e familjes Pacolli. Më në fund, një pyetje, përgjegjja e së cilës kërkon këto që thotë Noli më sipër - a ishte Skënderbeu “shpirti i shoqërisë në kalë”, siç shprehet Hegeli për Napoleonin, a diçka më ndryshe e diçka më tjetër. Lëvizjet e Gjergj Kastriotit nuk ishin as aq të largëta, as me aso synimesh
si të Napoleonit. Përherë mund ta arrinte lehtë qendrën e vet administrative-ushtarake,
kryeqytetin Krujë. Hulumtues të tashëm pohojnë që njihen madje deri në 13 shkresa e dokumente të ndryshme që kanë dalë brenda një dite nga kancelaria e Skënderbeut. Pos atyre që u përmendën më sipër, le të mbështetemi sërish në M.Barlecin: “Asnjëherë gjatë gjithë ditëve, qëkurse u hap lajmi se kryetrimi Skënderbej ishte nisur kundër armikut, që prej agimit të diellit e gjer në perëndim, nuk u largua kush, që prej parisë së qytetit nga pallati dhe nga zyrat, që populli nga pazari”.
Po, historianët kanë shumë punë. Afatet e tejkaluara të marrëveshjes me BKUK për bashkëpunim rreth këtij botimi, m’i kanë lënë jashtë këtij libri aq shumë shënime, besoj të dobishme, rreth Skënderbeut dhe skënderbegasve, siç i quan Marin Barleci aq shpesh ushtarët arbëror kah fundi i veprës së tij monumentale “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princit të epirotëve”. Ndoshta një (ri)botim pa ngutje, sjell më shumë sistem, i mbledh brenda gjithë këto shënime dhe e bën librin më të dobishëm. Mbetem me kësi obligimi të shumëfishtë.
Për Skënderbeun, biografi i tij Marin Barleci në vepër përdor shumë emra: Gjergji, Kastrioti, Gjergj Kastrioti, Epiroti, Skënderbeu, Gjergj Skënderbeu, i Krishteri, Kapedani, Arbërori, Princi i Arbërit…Autorit, gjithë këta emra ndoshta as nuk i mjaftonin për madhështinë si Skënderbeu. Këtu, në libër, janë përfshirë mendime e fragmente që nga bashkëkohësit e Gjergj Kastriotit, nga autorë, krijues e personalitete të shquara botërore e shqiptare, e deri te Rezoluta e Kongresit Amerikan, e vitit 2005, me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Ajo fi llon me formulimin:
“Në nderim të 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), burrështetasit, diplomatit dhe gjeniut ushtarak, për rolin e tij në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi otoman”. Librat për të e kryejnë misionin e vet, në qoftë se sadopak u ndihmojnë shqiptarëve, “të bëhen të denjë për Skënderbeun!.” “Scanderbeccu i pa faan”?!
“Scanderbeccu i pafaan”, siç i thonin De Rada e arbëreshët, për nga rrjedhojat e pastajme, a ishte njëmend i pafat. E quaj për nder që edhe te kjo pyetje të kërkoj ndihmën e Ismail Kadaresë, kur thotë:„Personazhi i Gjergj Kastriotit, përpara se të rimerrej prej shqiptarëve, u krijua ashtu si iliriciteti, në Evropë.
Hero i një epoke të tërë, si rrallëkush, ai u kthye në një ikonë, në fillim në kontinent, e pastaj në një pjesë të botës, Amerikë, Rusi, e gjer në Japoni. Mbi një mijë libra, e po aq vepra artistike, u krijuan e vazhdojnë të krijohen për të në dhjetëra gjuhë e në dhjetëra vende: biografi , studime, botime arkivore, poema, romane, drama, portrete, shtatore, vepra muzikore, nga Lope de Vega te Vivaldi e dhjetëra autorë të shquar. Cili është kyçi për të shpjeguar dukurinë e tij? Heronj me shpatë e me kalë, ka pasur me tepricë në gadishullin tonë epik.
As shpata, as kali, por tjetër gjë e shpjegon të fshehtën e famës së Skënderbeut. Përpara se të ishte kordhëtar, ai ishte ideatori, programuesi i një orientimi të ri për shqiptarët dhe krejt ballkanasit: orientimi drejt perëndimit. Prej arbëreshëve ai u pagëzua me cilësorin „i pafat“, ngaqë bëri një luftë fatalisht të humbur. Por, ndërsa lufta e tij përfundoi me humbje, ideja që themeloi, programi i tij, ngadhënjeu. Sot, në shekullin 21, kur Shqipëria bashkë me fqinjët e saj të Ballkanit perëndimor, bëhet gati për të hyrë në Evropë, programi i tij mbetet i vetmi për të gjithë. Ai është i vetmi prijës shqiptar që komandoi
trupa të bashkuara shqiptare e evropiane kundër shtetit osman. Ndaj, më natyrshëm se kurrë rri sot shtatorja e tij në dy kryeqytetet Tiranë dhe Pri sh tinë, përbri shenjave shqiptare dhe evropiano-atlantike, që më mirë se atij, s’i shkojnë askujt.“
Depërtimi osman në Ballkan
“Historia po më bëhet çdo ditë e më e vlefshme. Këtë javë kam lexuar një histori të luftës tridhjetëvjeçare dhe koka më është ende e nxehtë nga kjo. Që epoka e mjerimit më të lartë të një kombi njëkohësisht na qenkësh edhe epoka më e ndritur e forcës njerëzore! Sa njerëz të mëdhenj dolën nga kjo natë!Desha, që për dhjetë vjet rresht, të mos kisha tudiuar asgjë tjetër përveç historisë. Besoj se do të isha një burrë krejt tjetër.”
F. Schiller
Kosova 1389, Fusha e disfatës evropiane
Hamit Kokalari, librin e tij „Kosova, djepi i shqiptarizmit“, botuar në Tiranë në vitin 1943, me të cilin e bën betejën e vet për këtë pjesë të atdheut, e fillon pikërisht me Betejën e Kosovës. Beteja e Kosovës, që u zhvillua më 28 qershor 1389, ishte ngjarja vendimtare për mbarë gadishullin tonë, në të pesë shekujt pasues. Madje edhe për sot e tutje. Posaçëm për ne shqiptarët.
Përsa i përket rëndësisë së betejës, siç shkruan Noel Malcolm, shumë historianë besojnë se fitorja më e hershme turke buzë lumit Marica, në Bullgari, më 1371 ka pasur pasoja shumë më të mëdha sesa Beteja e Kosovës: pikërisht në Maricë, u hap rruga për pushtimin e përgjithshëm osman të Ballkanit.
Në fakt, e tërë historia e ekspansionit turk në Ballkan deri në atë kohë, (1389), ish te një histori e bashkëpunimit të tyre me sundimtarë të krishterë. Ushtarët e parë turq, që kaluan në Evropë erdhën me ftesën e një komandanti katalanas, më 1305. disa vjet më pas, pasi i prishën marrëdhëniet me katalonasit, ata hynë në shërbim të mbretit serb, Millutin, i cili shpresonte t’i përdorte në ekspeditën e tij ushtarake kundër ushtrisë bizantine; rrjedhimisht, ai i vendosi turqit në territorin serb, konkludon historiani britanik Malcolm.
Ndërsa, beteja tjetër fatale për Ballkanin u zhvillua në Fushë - Kosovë. Zgjati ag e terr. Emërtimi Kosovë nuk duket të jetë vetëm sllav. Kjo betejë ishte një aleancë e gjerë e llojit të kryqëzatës antiosmane. Në të ishin bashkuar serbët, hungarezët, shqiptarët, boshnjakët, rumunët, polakët etj. Thuaja asnjë historian
i mirëfilltë nuk e mohon pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në të. Morën pjesë Gjergji II Balsha, Dhimitër Jonima, Teodor Muzaka, e përmendin edhe gjyshin e Skënderbeut, e të tjerë. Ata në betejë morën pjesë me forca të mëdha. Vetë kronistët osmanë shkruajnë se midis shtatë krerëve të koalicionit, „midis shtatë djajve të skëterrës“, dy ishin shqiptarë – Gjergji II Balsha dhe Dhimitër Jonima. Madje Dh. Jonimën e përshkruaj në si një trim më të tmerrshëm se Herkuli, „një trim i mallkuar i cili vetëm mund t’u bënte ballë 10 mijë vetëve“, shkruan Neshriu. Luan Malltezi përmend një letër që ve të Bajaziti e dërgoi mbas betejës në Brusë, ku thotë se shqiptarët gjerësisht morën pjesë në betejë dhe se “ata mbushnin edhe radhët e shigjetarëve të koalicionit dhe qenë të parët që filluan betejën”.
Historianët, që i nxjerrin këto të dhëna, besoj që duan të thonë se këta princër me shqiptarët e tyre aty luftuan e ranë për dheun e vet. Vendin e betejës nuk e kanë zgjedhur serbët, po turqit. Qendra e sundimit serb ishte në Krushevac, e më vonë në Rascia, Rashka e sotme në Serbi. Sundimtar aty ishte knjaz Llazari. Ai nuk ishte as kral, as mbret, siç e gabojnë edhe historianët shqiptarë (Noli, Kokalari, K. Frashëri.), po vetëm knjaz, që në sllavisht do të thotë princ, sundimtar. Dubrovnikasi Mauro Orbini, në veprën e tij kapitale „Mbretëria e sllavëve“, 1601, na thotë se Vuk Brankoviqi dhe Millosh Obiliqi ishin dhëndurë të knjaz Llazarit. Orbini shkruan se Milloshi ishte nga Tjentishta e Novi - Pazarit.
Të bijat e Llazarit grinden e shtyhen cila e ka burrin më të otin e grindja bartet edhe te këta të dy. Më i lig, siç ishte, Vuk Brankoviqi intrigon te knjazi kundër Milloshit për ndonjë tradhti të mundshme. Kur e merr vesh këtë, në gostinë që shtron knjazi për prijësit e ushtrive, Milloshi i drejtohet “Princi im Llazar... nuk është tash koha e mohimit me fjalë, sepse armiku tashmë i ka radhitur forcat e veta. Nesër do ta dëshmoj me vepër që denoncuesi im është rrenc“.
Ka historianë që Millosh Kobiliqin e nxjerrin shqiptar, dhe thuaja të gjithë e thonë se pikërisht ky e vrau Muratin. Murati i turqve nuk ishte sulltan, por vetëm emir, nga arabishtja princ, sundimtar. F. Schevil, te “Historia e Ballkanit”, shkruan se sundimtarët turq vetëm nga Murati II e tutje titulloheshin sulltan, që në arabishte do të thotë perandor. Kthejini edhe një herë fjalët e Mi lloshit në darkën te knjazi..”se armiku ta shmë i ka radhitur forcat e veta”.
M. Orbini serbët i quan “Ra shani”. Autorë të huaj, shumë të hershëm, thonë se beteja u zhvillua “në Albanie”. Për shqiptarët veçanërisht, kjo betejë ishte tragjikisht vendimtare. Bullgarët ishin nënshtruar shumë para këtij viti, serbët këtu e tutje bëhen vasalë dhe vriten nëpër beteja përkrah turqve, edhe grekët e të tjerët po ashtu, përfshirë edhe ndonjë nga princat shqiptarë. Kryeheroi i epikës serbe, Kraleviq Marko, në Fushë – Kosovë luftoi me turqit kundër serbëve.
Më vonë e la kokën si pjesëtar i fushatave osmane. Si vasalë që ishin, sundimtarët serbë me shumë ushtarë shkonin në luftëra përbri osmanëve, si në atë të Bajazitit kundër Timur Lengut më 1402, në rrethimin dhe pushtimin e Konstantinopojës përkrah Mehmetit II Pushtuesit më 1453 etj. Në Konstantinopojë, ndër të parët që kapërceu muret dhe u fut në qytet, ishte shqiptari Ballaban Pasha, që luftoi aq rreptë edhe kundër Skënderbeut. Po japim një përkthim të lirë të vargjeve:
Dhe u vërsul Musa shqiptari Dhe xhaxhai i Stefan Musiqit Bashkë me të dhe shqiptarët e sertë Dhe me turqit u prenë e u vranë. Në betejë të ashpër të gjithë ranë. Atë ditë, te tyrbja e Muratit dhe te monumenti i betejës, ishim së bashku me historianët K. Biçoku, O. Schmitt e D. Egro. Të gjithë mendonin se Musa Shqiptari i këngës serbe duhet të jetë Muzaka, bujari shqiptar Teodor Muzaka.
Në plojën dhe rrëmujën e betejës së 28 qershorit 1389, i biri i Muratit, Bajaziti, i quajtur “Rrufeja”, vret knjaz Llazarin e pastaj edhe të vëllain, Jakupin. Nga shkaku i grindjeve të brendshme, e veja e knjazit të vrarë e fton Bajazitin për ndihmë dhe ia jep edhe vajzën Milevën për grua. Më 1402 të dy mbarojnë tragjikisht. Pas disfatës së tmerrshme osmane, bien robër të Timur Lengut. Ky, Bajazitin mburracak e mbyll në kafaz, kurse Milevën të zhveshur e detyron t’u shërbejë komandantëve të vet në gostinë e organizuar për fitoren.
Për krenarinë e Bajazitit kjo bëhet e tepërt dhe ai vret veten duke përplasur kokën për hekurash. Edhe Mileva vdes shumë shpejt pas kësaj. Kulmi i fuqisë perandorake osmane ishte arritur në kohën e sulltan Muratit II dhe të të birit sulltan Mehmetit II. Sundimtari serb Gjuragj Brankoviqi marrëdhëniet e prishura me sulltanin plak Muratin II i ndreq duke ia dhënë për grua të bijën Hierina ( a ndoshta Jerina). Sulltani i madh, Mehmeti II Ngadhënjimtari ishte i biri i Muratit II dhe i Hierinës serbe.
Shkaku i kryqëzatave të hershme dhe të tjerave që përgatiteshin kundër turqve nga Papati dhe nga Evropa katolike, dhe që t’i përdorte kundërshtitë e ashpra në mes të dy kishave, sulltan Mehmeti II dinakërisht e favorizonte kishën ortodokse dhe besimtarët e saj. Sa e pu shtoi Konstantinopojën, Stambollin e pastajmë, patriarkun e atyshëm ortodoks e titulloi pashë dhe ia caktoi shumë privilegje.
Sidoqoftë, në aso rrethanash, me natyrën e vet kryengritëse, dhe të lidhur me Papatin e me Evropën, sidomos në kohën e Skënderbeut, shqiptarët e pësuan në të gjithë shekujt e pushtimit e të përplasjeve me Perandorinë Osmane. Bashkë me hungarezët, sidomos në shek. XV, e mbajtën thuaj krejt barrën e rezistencës ndaj fuqisë më të madhe të botës.
Le të shënojmë një karakteristikë të këtyre përplasjeve. Sipas kronikanëve të kohës: “Në tregjet e skllevërve në Turqi nuk kishte për të blerë shqiptarë as hungarezë, sepse këta nuk mund t’i vinin në punë dhe ishin tepër të rrezikshëm për zotërit e tyre”. Edhe turkofili Kritobuli shkruan kështu për shqiptarët: ”Sa të binin në duart e turqve, ata hidheshin nga shkëmbinjtë në greminë, duke dashur më fort vdekjen se skllavërimin.
” Edhe ngjarjet si ajo e vitit 1448 në Fushë - Kosovë besoj thonë diçka. Aty duhet të takoheshin Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe komandanti i famshëm hungarez për një betejë të madhe kundër Muratit II. Skënderbeu, që të mos bëjë luftë në shumë fronte, ndalet kur ia zë rrugën vjehërri i Muratit II, sundimtari serb Gjuragj Brankoviqi.
Jo vetëm kaq, por Janosh Huniadin e thyer Brankoviqi e kap rob dhe e mban në burg në kështjellën e Smederevës. Më 1912, kur Shqipëria e lodhur po dilte „më vete dhe e mosvarme“ nga tuneli i errët e i gjatë i robërisë, „me të drejtën historike” dhe me të drejtën e shfarosjes së “turqve” shqiptarë, Serbia, bashkë me fqinjët tjerë, e copëtuan egërsisht atë. Argumentet e tashme propagandistike për shqiptarët si talebanë dhe ardhja e knjazit serb në fushën e disfatës, në përvjetorin e betejës tragjike, me aq shumë skenografi religjioze, duan t’i çojnë Perëndimit porosinë e tyre tashmë të leckosur se cilët na qenkan pjesëtarët e cilët kundërshtarët natyrorë të atij qytetërimi. Historia nuk është vetëm pësim, po edhe
mësim. Perëndimi gjithsesi, po edhe na diçka po mësojmë. Në qoftë se më 28 qershor 1389 edhe shqiptarët ishin pjesë e disfatës fatkeqe të kësaj aleance kryqtare antiosmane,
nëse në shënimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës ishin tmerrësisht të shkelur, teatri i sivjetmë serb i përkujtimit të kësaj ngjarjeje, (2006), me aq shumë skenografi religjioze, shqiptarët i ktheu në spektatorë shpërfillës dhe epërsisht triumfues.
(fragment nga libri, Kapitulli V)
Marre nga : Koha Jone