Dokumentari/ Masakra e Munihut 72 nje nga pengjet u trodh para se te vritej

Dokumentari/ Masakra e Munihut '72, nje nga pengjet u trodh para se te vritej

Terroristët palestinezë, të cilët vranë sportistët izraelitë në Lojërat Olimpike të Munihut më 1972, i torturuan viktimat dhe njërin madje e trodhën, ndërsa të tjerët ishin të detyruar të shikonin.

Detajet e reja të tmerrshme të mizorisë mbi 11 atletët janë zbuluar nga Ankie Spitzer dhe Illna Romano, vejushat e dy prej burrave që u masakruan.

Por shkalla e vërtetë e tmerrit tani po bëhet publike nga një dokumentar i ri, “Munih 1972 e përtej”.

Të afërm të viktimave kanë gjetur detaje për vdekjen e tyre gjatë viteve ’90 dhe ia kanë dhënë filmit informacionet.

Yossef Romano ishte një nga pengjet i cili u vra në fazat e hershme të masakrës brutale.

Ajo ka treguar për New York Times: “Ata i prenë gjenitalet pa ia hequr rrobat dhe abuzuan me të. Të tjerët ishin të ulur rrotull e të detyruar të shihnin”.

11 sportistë u vranë nga grupi terrorist “Shtatori i zi”. Dy u vranë në fillim të pengmarrjes, nëntë të tjerë gjatë aksionit të dështuar për t’i liruar.

Sipas Ankie Spitzer, “grupi palestinez thoshte se i kishte marrë pengjet me synimin për të siguruar lirimin e shokëve të tyre nga burgu dhe i vrau pasi nisi aksioni i policisë gjermane. Kjo nuk është e vërtetë. Ata kishin ardhur për të vrarë”.

Spizter thotë se ajo dhe të afërmit e tjerë të viktimave ishin përpjekur shumë për informacione mbi ngjarjen, por autoritetet gjermane refuzonin, duke thënë se nuk kishte asgjë.

Më 1992 ajo foli në televizion, për 20-vjetorin e ngjarjes, duke treguar për zhgënjimin me policinë gjermane.

Pas transmetimit, u kontaktua nga një person anonim, i cili i tha se kishte 80 faqe në lidhje me ngjarjen.

Atëherë të gjithë ushtruan më tepër presion, çka solli në daljen e pamjeve tronditëse më pas.

Pas masakrës, qeveria izraelite ngarkoi shërbimin sekret, Mossad, për të gjetur autorët dhe një numër aktivistësh të “Shtatorit të Zi” u gjetën të vrarë nëpër Europë në vitet që pasuan. Më vonë, u mësua se operacioni i hakmarrjes ishte pagëzuar me emrin “Zemërimi i Zotit”.

Por ish-shefi i Mossadit, Zvi Zamir, ka deklaruar më pas se kjo nuk ishte hakmarrje. “Ne vepruam për t’u siguruar që të tilla ngjarje nuk do të ndodhnin më pas”, tha Zamir. “Nuk po them se ata që morën pjesë në masakër nuk ishin të dënuar me vdekje. Ata e meritonin të vdisnin. Por ne nuk po merreshim me të shkuarën, në mendje kishim të ardhmen”.

Më 2012, u zbulua se neo-nazistët gjermanë i kishin dhënë përkrahje logjistike celulës palestineze, për t’i ndihmuar gjatë sulmit.

Abu Daoud, i cili besohet si truri i masakrës, u takua me neo-nazistin Willi Pohl në Dortmund, sipas një dokumenti të policisë së qytetit, mbajtur sekret për 40 vjet.

Por edhe pse materiali iu kaluar agjencisë së zbulimit, nuk ka asnjë fakt që ata vepruan pas raportit me 2 mijë faqe.

Kjo mungesë aksioni lejoi që Daoud të udhëtoonte në Gjermani, të takonte neo-nazistët e të planifikonte sulmin.

Pohl, i cili tani është autor tregimesh me subjekte krimin, ka treguar për revistën Der Spiegel: “E brodha Abu Daoud me makinë përmes gjithë Republikës Federale, në qytete të ndryshme, ku ai u takua me palestinezë të tjerë”.

68-vjeçari, i cili këmbëngul se nuk e kishte idenë që grupi po përgatitej të bënte atë që bëri, pranon edhe se e ndihmoi palestinezin të siguronte pasaporta false dhe dokumenta të tjerë.

Dokumentari ri në pjesën më të madhe i dedikohet pikërisht paaftësisë së policisë gjermane për të vepruar siç duhet gjatë krizës së pengjeve, që përfundoi me masakër.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama