Do te hash dru!

Do te hash dru!
“Më shajnë gabel, pederast. Më rrahin...”...E. R., shtatë vjeçar, s’ka çfarë të thotë më. E thotë me një zë të njëtrajtshëm dhe duket se është mësuar ta përsërisë këtë. Një tjetër, i po kësaj moshe B. G., thotë se Mësuesja e ka lënë për gjysmë ore “me një këmbë dhe pa e vënë dorën fare te tabela”.

 Të dy janë në një nga shkollat fillore të Lagjes “Ali Demi” në kryeqytet. Dy fëmijët kanë humbur shoqërinë, sepse njëri është shumë i varfër, ndërsa tjetri pretendohet se ka zhvillim pak të vonuar mendor. E pak orë më vonë, në kuadër të një dokumentari, kur do pyesim mësuesen, del se gjërat janë krejt të qeta?! Madje, njërit nga djemtë, që na ka folur, ajo gati e përkëdhel me sy dhe na thotë se e ndihmon veçmas. Ai, vetë, që na ka treguar me detaje tani rri si i tulatur, ndryshe nga djali që kemi folur në shtëpi. Mësuesja, tepër e sjellshme e klasës së dytë, na shpjegon sesi mundohet të punojë, sesi diferencon më të dobëtit dhe si punon me klasën e mbingarkuar, por kur e pyesim për format e dhunës e hedh poshtë kategorikisht. Njësoj dhe eprorja e saj! Prindi s’ndjehet më. I di pasojat.

Vetëm pak qindra metra më tutje, në një shtëpi gati përdhese, ku e ëma e djalit na ka treguar historinë e dhunës ndaj të birit, ngjarjet zhvillohen njësoj. Nëna rome e tre fëmijëve, me asistencë bashkë me të shoqin na ka treguar për fëmijët e saj dhe sesi djali është sëmurur herët. Shkaku dihet: prej varfërisë dhe problemeve mal të romëve të vegjël. Sikur të mos mjaftojë kjo, e kanë keqtrajtuar të vogël dhe askush nuk denjon të luajë më nga shokët e tij. I shoqi, as do t’ia dijë ndërsa vetë ai dikur ka qenë përdorues narkotikësh.

Djali ka marrë të gjithë kërcënimet me përcjelljen në bodrum, për ta lënë me minjtë dhe me një këmbë, e në fund kujdes se mos i thuaj kujt: as gëk as mëk. Ndryshe! “I shkova mësueses dhe i thashë, por ajo ma mohoi”, na thotë nëna. E pyesim për emrin. “Nuk e mbaj mënd”. Njësoj dhe djali tjetër që është tek një shkollë mes Qytetit Studenti. Kur i kërkojmë emrat, hesht. Nuk beson. As edhe fëmija nuk beson sot. Fëmijët më kanë thënë të njëjtën: Që rrihen dhe që i shajnë. Po kush? Kush-i nuk del.

Si është dhuna në vend

Ajo është e fshehur dhe në shumicën e rasteve fëmijët mund t’ja pohojnë vetëm prindërve. Çuditërisht këta disa herë janë të kënaqur, tek e fundit druri ka dalë nga xheneti! Situata është e ngarkuar se ndërsa në një shkollë i lënë me një këmbë, tek tjetra i trembin me minjtë, tek tjetra me ndonjë lloj tjetër, kurse dikush vjen që nga shtëpia i traumatizuar nga ulërimat e prindërve dhe të komshinjve. Veç të rrahurës kërcënimi e tepron me gjithçka. Prindërit shpesh duket se “e justifikojnë”, atë që fëmijët marrin nga mësuesit e tyre.

Kryefjala është varfëria. Sërish mundohemi, që njërën nga gratë që këlthet më shumë për fëmijën, t’i kërkojmë sesi ka vepruar në këtë rast. Na thotë diçka, pastaj na e ngatërron dhe na përçon drejt një kohe, e cila e tejkalon edhe vetë kohën e përrallave mesjetare. Një nga gratë, që e bindim me vështirësi, përpos ankimit të saj natyral të romëve, e gjej të veshur pastër dhe me sens dhe si me predispozitë për të folur. I ka bërtitur mësueses, por kur i them për emrin e saj hesht. Jo dhe jo. Kamera e tremb dhe më shumë. Ashtu si dy fëmijë të tjerë afër shkollës të Qytetit Studenti. I tregoj rastin, kur pak ditë më parë, Televizioni jep një rast flagrant ku prindërit ankohen për trajtimin e fëmijëve të tyre në një shkollë në Korçë. Edhe ai s’bën punë.

Ndërsa rasti i një fëmijë tjetër është edhe më i hapur. E. R. lirohet kur nga dhoma i del e ëma: “Po me mësuesin keq..Më dënojnë me një këmbë dhe më thonë se do të fusim brenda te baraka te minjtë. Është te shkolla, lart. Ka dhe barakë këtu...Më rrahin vetëm mua më dënojnë dhe në klasën e parë më dënoshin me një këmbë. Unë s’bëja asgjë rrisha me një këmbë te tabela dhe s’mbahesha fare...Më mbashin ashtu...”. Fëmija ka lënë shkollën më pas, ndërsa tashmë nuk di të shkruaj as emrin e tij. Shkruan vetëm tre germa, ndërsa mezi e kandis të shkruaj deri në dhjetë, por me ndihmën tonë.

 Por dhuna shpesh është jo vetëm e duruar por edhe e respektuar: Në një raport të pak kohëve më parë, kam lexuar dy prononcime kur dhuna justifikohet: “Mua më kanë rrahur prindërit, prandaj jam ky që jam. Këtë mendim nuk ma ndryshon asgjë. Edhe unë i rrah fëmijët e mi se kështu jam i sigurt që, edhe ata, do të bëhen të mirë”, thotë një baba në Vlorë “Aty ku duhet, le të përdoret. Kur kam pasur gabim dhe më ka rrahur mami, s’jam mërzitur se e kam merituar, mirë ma ka bërë. Jam dakord që kur gabojmë, të na rrahin, mirë të na e bëjnë se e meritojmë, ndryshe s’marrim vesh ne”, shprehej një vajzë 14 vjeç në Korçë.

Realiteti

Asnjëherë s’ka qenë institucional, vëzhgimi mbi fëmijët, deri sa katër vjet më parë një studim i titulluar “Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri ”është bërë në kontekstin e një studimi global mbi dhunën ndaj fëmijëve nën patronazhin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara nga UNICEF. Gjurmët fizike, emocionale dhe psikologjike të dhunës treguan se ishin të larta dhe paralajmëruan se ato mund të kishin pasoja të rënda për zhvillimin, shëndetin dhe aftësinë e fëmijëve shqiptarë për të mësuar, por edhe për tu përgatitur për jetën, u shprehën atëkohë specialistët.

Që atëherë, pothuaj asnjë studim s’ka mundur të ngrihet në lartësinë e problematikës të prezantuar prej tij, që konkludoi se duhej: të ndalohej ndëshkimi trupor në shkolla dhe të vendoseshin mekanizma për ta përforcuar këtë vendim; të krijoheshin mekanizma që siguronin një vend të sigurt, konfidencial ku të kishin akses fëmijët dhe familjet e tyre kur raportohet për raste dhune; të adoptoheshin mënyra disiplinore të cilat nuk bazoheshin mbi frikën, kërcënimin, nënshtrimin ose forcën fizike; të krijoheshin programe që i adresoheshin të gjithë ambientit shkollor, përfshirë këtu edhe zgjidhjen e konflikteve në rruge paqësore.

Që atëherë pak ka ndryshuar, ndërsa dhuna në shkolla është shumë e përhapur, por shumë pak e referuar. Mjafton të ndjekësh kronikat e referuara nga media dhe do të provosh këtë realitet. Ajo që e konfuzon problemin është se në shumicën e rasteve heshtet frikshëm. Nuk flasin dot fëmijët sepse ndëshkohen, paçka se mundësia për të folur është disi më e madhe tani dhe prej ekzistencës së një Qendre Ndihme për fëmijët. Kanë frikë nga prindërit dhe kanë frikë dhe mes vete. Tashmë po përpiqen që problemi të shihet ndryshe...

A ka zgjidhje

Kjo përballje me problemin është qëllimi i fundit i angazhimit të shumë strukturave, ku përfshihet kryesisht UNICEF dhe pak organizata të tjera, ndërsa ka disi edhe një ndërgjegjësim më të madh të anëve qeveritare. “Në mbështetje të reformës dhe përmirësimit cilësor të shërbimit arsimor, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, si një institucion në varësi të Ministrisë së Arsimit është përfshirë në marrëveshje bashkëpunimi me UNICEF për hartimin dhe promovimin e manualit për Shkollat miqësore për Fëmijë. Ky manual do japë një panoramë më të gjerë të mënyrës si shkollat mund të kthehen në ambiente gjithëpërfshirëse, të shëndetshme, efektive dhe bashkëpunuese për fëmijët, dhe në fund të projektit me UNICEF-it Instituti parashikon ta propozoje këtë si synim normativ për politikat e Ministrisë së Arsimit”, thotë Tidita Ahmetaga(Abdurrahmani), Drejtore IZHA(Instituti i Zhvillimit të Arsimit)”.

Në fakt problemi me gjithë fjalët e bukura është më i gjerë. Duhet bërë përmirësimi i këtij materiali, ndërsa nga ana tjetër duhet rishikimi i statusit të punonjësit social nëpër shkolla, që duket evaziv dhe shpesh i pamundur të kryejë detyrën e tij. Por më shumë akoma është që vetë prindërit duhet të jenë më sensitivë dhe nga ana tjetër të jenë më afër subjekteve që mund të bëjnë diçka.

Kur ndahemi me fëmijët, gjendja e tyre të jep përshtypjen se edhe ne do t’i gënjejmë sepse nuk besojnë më, tek njerëz që mund të bëjnë diçka ndryshe. Në më të shumtën e herës, dhuna kundër fëmijëve është sa e keqe dhe shumë e fshehtë. Dhe ajo ndodhet ‘larg’ syve të njerëzve, bash tek ata që beson më shumë: prindërit, anëtarët e familjes, mësuesit, kujdestarët, shokët. Gjurmët e kësaj dhune kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve dhe shkaktimi i kësaj dhune e bën të qenësishme këtë si veprim te vetë fëmija.

Fëmija, që kemi takuar të parin, gati është relaksuar i gjithë. Buzëqesh dhe duket i lumtur... “Në rastet kur raportohet dhunë në Linjën e Telefonit për Fëmijë, në varësi të problematikës që sjell rasti, nëpërmjet një sistemi të dhënash për shërbimet që operojnë në vend, Qendra vihet në kontakt me shërbimin përkatës dhe referohet rastin duke e shoqëruar me të dhënat dhe vlerësimin paraprak që është bërë nga këshilluesi që pret telefonatën”, thonë nga Qendra. Por, ajo s’punon gjithë ditën, ndërsa Shqipëria ka jetë në 24 orë dhe po kaq dhunim. Kemi frikë se shumë prej fëmijëve as nuk e dinë fare këtë dhe ndoshta vetëm shpirti i mirë i ruan shumë syresh prej tyre. Vjeshtë 2010.

Materialet referuar nga studimi i UNICEF-it

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama