Diversantet nxjerrin genjeshtrat e nacionalisteve per Kosoven

Diversantet nxjerrin genjeshtrat e nacionalisteve per Kosoven
Edhe për shumë kohë, falë ngërçit politik të historiografisë sonë, duket se do e kemi të vështirë të hedhim dritë mbi historinë tonë, të periudhës para por më shumë pas Luftës së Dytë Botërore. Në rastin tonë, duke marrë shkas nga procesi i bujshëm i vitit 1950, kundër katër diversantëve të njohur, hidhet dritë dhe për një nga qëndrimet e nacionalistëve shqiptarë (tashmë të degdisur nga komunistët në arrati), ndaj Kosovës. Duket se qëndrimi ndaj saj tregon dhe shqiptarët e vërtetë patriotë, që duhet thënë se, me kalimin e kohës, rezultojnë se janë gjithnjë pak e fare më pak... Të paktën botimi i fundit i “Vllamasit”, kushtuar procesit të diversantëve të ’50-ës, hedh dritë mbi këtë...

“Procesi i Tiranës”, botimi i fundit i Vllamasit, ndoshta mund të duket si një libër i thjeshtë dokumentar i kohës, por nëse do të futesh në dëshmitë e diversantëve, që dëshmojnë para togave të zeza komuniste, do të kuptosh shumë nga qëndrimi i individëve të kategorive të ndryshme politike-sociale shqiptare ndaj shumë problemeve. Mbase, kjo është merita e botuesit, që duke pasur një punë të kualifikuar të studiuesit dhe përkthyesit Vladimir Bregu, ka hedhur indirekt dritë mbi shumë çështje. Në fakt, argumenti ynë do të ndalet vetëm për Kosovën. Nuk ka forcë politike në Shqipëri dhe, kuptohet, në Kosovë, të mos tregojë të amplifikuara meritat e saj për çlirimin e Kosovës. Kinse dhe pseudo dhe më të heshtur të vërtetët, të gjithë i drejtohen Kosovës. Deri në ditët tona, madje edhe në valën e Luftës së Kosovës, kishte dy ushtri për Kosovën, njëra që bënte ekspoze veshjesh në Tiranë dhe tjetra që rropatej maleve; ishte një takëm politikanësh të Tiranës që sot vlerësohen në Kosovë dhe që i konsideronte gati hajna luftëtarët e lirisë dhe një tjetër që iu dha gjithçka.

Por, argumenti ynë shkon kohë më parë. Në momentet e fundit të jetës, dy diversantët e kapur nga forcat komuniste shqiptare, do rrëfejnë shumë në procesin e bujshëm, të njohur si “Procesi i Tiranës”. Ethem Çako, kreu i grupit, një emër famëkeq që ka ndërruar disa duar padronësh dhe në Shqipëri ka bërë shumë të këqija, eksponent i Ballit Kombëtar, dhe Llukman Lutfiu, tetovar, larguar nga RFJ, thjesht t’i shpëtojë ndëshkimit serb.

Mbase nuk është vendi për të folur për kontributin e tyre, sepse antikomunizmi i tyre, sidomos i Çakos, duket i kotë me atë dosje të turpshme skandalesh që mbart. I veçantë është perceptimi për Kosovën, që ata e artikulojnë para togave të zeza shqiptare. Ata vijnë nga komuniteti i nacionalistëve, që tashmë janë jashtë dhe që në vuajtjet e tyre nga kampi në kamp dhe në zdërhalljet e shefave të tyre (atë kanë bërë dhe gjatë kohës së okupimit të Shqipërisë) të gjithë flasin për çlirimin e Kosovës. Në realitet, të gjithë presin se çfarë do të bëjnë Fuqitë e Mëdha dhe për hir të së vërtetës, ajo që është vendosur për Kosovën duket qartë: Ajo do të mbetet nën autoritetin e ish-Jugosllavisë. Megjithatë, edhe në këtë katrahurë ku gjenden, individë të thjeshtë nuk mund ta pranojnë këtë.

Për Ethem Çakon, kjo vërtetë s’përbën ndonjë habi. E ka sterrë të shkuarën dhe, në ditët kur e pret misioni vrastar në Shqipëri, është strukur dhe mat mirë hapat e tij. Ndërkohë i duhet të mendojë për të ardhmen, e cila nuk është aspak e qetë. Megjithatë edhe situata në Ballkan është e trishtë. Çuditërisht, këta armiq të ish-Jugosllavisë dhe Enverit gëzohen pafund kur Tito kthen faqen dhe i kundërvihet kampit socialist. Shqipërisë, në llogarinë e tyre pragmatiste, i mbyllet dhe një portë dhe e ardhmja është ajo që thuhet në kamp: “U gëzuam dhe u mbushëm me shpresa të reja, sepse e kuptonim se Shqipëria ishte e izoluar. Ne shpresonim shumë në ndihmën e Jugosllavisë për të përmbysur Pushtetin Popullor në Shqipëri. Filluam të mendonim për një aktivitet më të gjerë kundër qeverisë së Tiranës, nga ana e Greqisë dhe Jugosllavisë”.

Çako e artikulon qartë para gjykatës shqiptare këtë. Megjithatë, këta kinse patriotë e dinë se edhe Greqia mezi po pret të okupojë Jugun e Shqipërisë. Dhe dëshmia vijuese e Çakos është sërish aspak mbresëlënëse për komunitetin tonë jashtë vendit. Krerët e tyre, sipas Çakos, mendonin se amerikanët, Korçën dhe Gjirokastrën do t’ia jepnin Greqisë dhe përderisa ishte mendimi i tyre, ne nuk na mbetej veçse të bindeshim… Por krerët këto gjëra nuk mund t’i shfaqin haptazi. Ashtu si në Luftën e Dytë Botërore, veprojnë me dy regjistra, duke parë më shumë përfitimet.

Kjo bën që nacionalistë të thjeshtë të maten me kujdes. Një ide amnistie u rri mbi kokë. Nga Tirana vinë sinjale pozitive. Si mund të ndodhë kështu, kur këta nacionalistë e dinë mirë se Serbët dhe Grekët mbeten armiq, si do që të vijë puna. Do mbetet mbase proverbale, kur vetë Mbretit Zog në mërgim iu kërkua që të veprojë me grekët, në këmbim të territorit shqiptar. Ai do përgjigjet (të paktën nga ato që ka lënë adjutanti i vet në kujtime): më mirë Enver Hoxha që është shqiptar sesa grekët. E gjithë situata e fund viteve ’40-të të shekullit të shkuar është e sikletshme. Vetë nacionalistët  janë të ndarë në kampe dhe bëhen pjesë e pazareve të turpshme që bëjnë shefat e tyre, që, as më shumë e as më pak, vijojnë me privilegjet e shkuara.

Dhe, përgjigjen e parë e bëjnë kosovarët, që janë nëpër kampe. Shumë prej tyre nuk pranojnë asfare të punojnë me partitë shqiptare të emigracionit dhe për ta Legaliteti dhe Balli janë të njëjtë: Fjalë dhe aspak patriotizëm. Llukman Lutfiu do të shprehet në gjyq se:”Përpara tradhtisë së Titos, Balli thoshte se Kosova ishte jona dhe se amerikanët do na e jepnin. Por, pas kthesës së Titos, ata nuk thoshin më asgjë. E njëjta gjë ndodhte dhe me Legalitetin. Për këtë arsye, të gjithë ne kosovarët, me përjashtim të ndonjërit, qëndruam më vete dhe nuk frekuentonim asnjë nga këto parti; në fakt asnjë nga ata nuk na siguroi që do të merrnim Kosovën. Gjatë kohës së qëndrimit tim në Itali asnjë kosovar nuk ka marrë pjesë në asnjë nga këto parti. Për sa i përket Çamërisë, nuk thuhej më asgjë”.

Dhe, i ndjeri Lutfiu e di mirë këtë, sepse para se të vijë në Shqipëri bën një luftë të madhe dhe shikon të hetojë se çfarë kanë ndërmend të bëjnë grupet e partive shqiptare dhe ajo që i rezulton është e frikshme: ato nuk flasin fare për këtë. Zhgënjimi është tejet i madh.

Një paralele mund të hiqet me kohën e mëvonshme dhe me njerëzit e shumtë që sot proklamojnë se bënë luftën e Kosovës dhe ndërkohë janë harruar ata që nisën luftën për çlirimin e saj vite e vite më parë. Mbase është ky një nga gurët më të rëndë që mbajnë sot supet e Kosovës dhe shumë njerëz, që kanë pushtet, po ia lënë për të ngritur historinë e tyre. Në dëshminë e “Procesit të Tiranës” (me këtë emër u botua edhe në Itali historia e gjyqit të këtyre burrave),  janë dhe minitemëza të tjera për studiuesit, kurse janë ende të pahapura arkiva dhe dosjet hetimore dhe operative të këtij procesi, që ende nuk kanë dalë në dritë dhe që mund të thellojnë ende më shumë atë që s’thuhet për mercenarizmin e frikshëm të shqiptarëve.

Epilogu i diversantëve ishte fatkeq. Në fakt, nga ajo që lexon, nuk ka ndonjë keqardhje të madhe për Ethem Çakon. Të paktën nga ajo që shkruhet në procesverbal, tregohet se ka marrë para, ka vrarë dhe ka dëmtuar pafund të pafajshëm etj. Vendimi është akut për diversantët, por shpëton Ethem Çako, që duket se ka ditur dhe këtë herë të shërbejë më mirë. Kosova, për fat, edhe pa kontributin e tyre ose pseudove të tjerë u çlirua në fund të shekullit...

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama