Ditet e Mios 18 piktore nga vendi dhe bota ne nje ekspozite peizazhi per vepren e piktorit te madh

-Aktivitet në 58 vjetorin e ndarjes nga jeta të piktorit Vangjush Mio-

KORÇË, 30 Tetor / ATSH / - Në nderim të jetës dhe veprës së Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, në qytetin e Korçës po organizohet gjatë këtyre ditëve aktiviteti i titulluar "Ditët e Mios".

Për të tetin vit rradhazi në qytetin e Korçës, aktiviteti "Ditët e Mios" i cilësuar si një nga veprimtaritë kryesore artistike të vitit për artet figurative, bëri bashkë një koloni artistësh, 18 piktorë nga vende si Shqipëria, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia Kosova etj, të cilët kanë çelur një ekspozitë me vepra nga peizazhet që dikur i ka pikturuar piktori i njohur, Vangjush Mio.

"Një ndër aktivitetet më të veçanta që është shndërruar në një traditë për qytetin e Korçës", është cilësuar nga Bashkia e Korçës ekspozita e piktorëve e cila për kryebashkiakun Sotiraq Filo është edhe një aktivitet që ka disa dimensione, si ai i artit dhe kulturës, por dhe rëndësia dhe vlerat që i jepen qytetit përmes aktivitetit.

Punimet e 18 piktorëve të cilat u ekspozuan në ambjentet e Teatrit Andon Zako Çajupi të Korçës, u vizituan nga banorët e qytetit, por edhe mjaft personalitete të artit të cilët rrugëtuan drejt Korçës për të nderuar dhe kujtuar jetën dhe veprën e Artistit të Popullit.

Piktori korçar, Vangjush Mio, i njohur për pikturat e realizuara përgjatë 50 viteve dhe veçanërisht për peisazhet e veçanta, hapi në vitin 1920 në Korçë ekspozitën e parë personale, për të cilën kontribuoi poeti i njohur kombëtar, Gjergj Fishta, i cili mori pjesë dhe vetë me disa punime në akuarel.

Mio lindi më 3 mars 1891 në Korçë. Në vitin 1908 bashkë me vëllanë të largohet për në Bukuresht.

Mio ishte anëtar aktiv i kolonisë së artistëve shqiptarë në kryeqytetin e Rumanisë dhe në vitin 1915 filloi studimet për Arte të Bukura në Universiteti Kombëtar të Arteve në Bukuresht.

Në vitin 1919 mbaron studimet me sukses dhe në të njëjtin vit hap ekspozitën e parë personale në Bukuresht.

Në vitin 1920, ai u kthye për disa muaj në vendlindjen e tij ku ekzpozi edhe punimet e tij.

Kjo ishte ekspozita e parë artistike për publikun në gjithë Shqipërinë. Në shtator të po të njëjtit vit ai u largua për në Romë.

Si admirues i madh i impresionizmit italian të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX, ai u regjistrua në Akademinë mbretërore të Shën Llukës (San Luca).

Pas u rikthye në Korçë, ai u punësua si mësues arti në Liceun Francez.

Falë një burse shtetërore, ai mundi të rivazhdojë studimet në Romë të cilat i përfundoi më 1924. Pas kësaj Mio u kthye në vendlindjen e tij në Korçë, e cila në atë kohë qe kryeqëndra kulturore e vendit.

Ekspozita e fundit e organizuar prej tij, ishte një retrospektive e punimeve e cila u zhvillua në nëntor 1957 në Tiranë.

Në nder të veprës së tij, Qëndrës kulturore të Korçës iu vu emri i tij.

Që prej vitit 2007, çdo vit në fund të tetorit në Korçë zhvillohet Festivali Ditët e Mios. ku për katër ditë me rradhë artdashësit mund të vijnë dhe të admirojnë piktura nga artistë shqiptarë dhe të huaj.

Ditën e fundit, në Qendrën Kultutrore Korçë zhvillohet ekspozitë me punimet e të gjithë piktorëve.

Që prej disa vitesh fituesit t konkursit mbarëkombëtar të Arteve të Bukura nderohen me Çmimin Vangjush Mio.

Artisti i popullit u nda nga jeta në 30 dhjetor të vitit 1957.

/k.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama