Depresioni mania dhe frika
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
Emërtimi depresion vjen nga fjala latine, “deprimere” që do të thotë, më shtyp, më goditë, më ndrydh, e rrëzuar diçka përdhe me goditje.
Definicioni - Depresionet janë çrregullime psikike afektive që shkojnë me humor të rënë. Me fjalë të tjera depresioni paraqet spostim, rënie, të instinkteve dhe të epsheve, të cilat paraqesin shtytje të brendshme për aktivitete dhe procese jetësore.
Kohëzgjatja - Depresionet e patrajtuara (të pashëruara) mund të zgjasin nga disa muaj deri në disa vite derisa ato kronifikohen.
Shpeshtësia- Rreth 20% e të të gjithë njerëzve së paku njëherë në jetën e tyre vuajnë nga depresionet
Prevalenca gjinore- Femrat vuajnë nga depresionet më shumë se meshkujt
Shkalla e depresioneve - Sipas rastit, depresionet mund të jenë të lehta, mesatare dhe të rënda
Llojet e depresioneve
Më i njohuri është depresioni bipolar, i cili përbëhet nga episodi depresiv që zgjatë dy-tre muaj dhe vazhdon si episod me mani, i cili po ashtu zgjatë dy-tre muaj. Episodet e tilla me depresion dhe mani ndërrohen në mënyrë alternative dhe si të patrajtuara mund të zgjasin për vite të tëra.
Depresioni neurotik shkaktohet nga faktorët e jashtëm rrethanorë, përfshirë këtu edhe ngarkesat psikike të cilat krijohen në mesin e anëtarëve të familjes, por edhe tek ata që vuajnë njëkohësisht nga sëmundjet psikike.
Shenjat e depresionit:
Shenjat kryesore të depresionit janë humbja e pjesshme ose e plotë e aftësisë për t`u gëzuar, për të dashur dhe për t’u pikëlluar
Shenjat dytësore të depresionit varën sipas shkallës dhe llojeve të depresioneve. Kështu depresivët sipas rastit vuajnë nga brengat, frikat dhe pasiguritë e tepruara lidhur me të ardhmen. Ndjehen të lënë, të braktisur, të pa ndihmuar, të pavlerë, të paaftë e të nënvleftësuar. Vuajnë nga lodhjet dhe pafuqitë trupore e shpirtërore, nga mungesa e koncentrimit dhe e vëmendjes, nga harresat, nga të menduarit e ngadalësuar, nga mendimet negative dhe pesimiste, nga paaftësia për të pasur vullnet dhe për menduar pozitivisht, për të dashur e për të bërë seks etj. Më tej ata vuajnë nga çrregullimet e gjumit, zgjimi i vështirë në mëngjes pa asnjë shpresë e vullnet.
Kështu është i njohur depresioni i thellë i mëngjesit dhe i paradites, i cili zakonisht përmirësohet gjatë pasditeve dhe mbrëmjeve. Edhe humbja e oreksit, marrja e pakët e ushqimit dhe humbja e peshës janë shenja të depresionit. Dhe së fundi pjesë e shenjave të depresionit janë edhe një seri simptomash trupore si p. sh: topitjet e kokës, ndjenja e kokës së tejmbushur ose zbrazur, pengesat në frymëmarrje (lëmshi topi në fyt apo në gjoks), pengesat e barkut (topi, lëmshi në lukth), dhimbjet e muskujve të qafës të shpatullave, të kurrizit etj.
Mania
Terminologjia -Emërtimi mani rrjedhë nga fjala greke “mania” që do të thotë shpërthim, zemërim, tërbim, çmenduri, marrëzi.
Definicioni - Mania si edhe depresioni paraqet një çrregullim afektiv me humor (disponim) dhe shtytje të brendshme (instinkte dhe epshe) të rritura mbi nivelin e zakonshëm të normalitetit.
Kohëzgjatja - Gjendjet me mani quhen episode me mani të cilat zgjasin dy-tre muaj. Te depresioni bipolar episodet me mani i vijnë pas episodeve me depresion
Shenjat e manisë:
Tejngacmueshmëria si pasojë e rritjes së shtytjeve të brendshme
Humori (disponimi) i rritur dhe intensiv
Rritja e vetëdijes dhe e kthjelltësisë mendore pa ndonjë arsye
Aktivitete trupore dhe mendore të vazhdueshme për pa gjetur qetësim
Ndjeshmëri e pakët deri e munguar në raport me nevojat e të tjerëve
Veprime dhe sjellje të guximshme të papenguara /të pakontrolluara/
Ardhja e vazhdueshme dhe e shpejtë e ideve të reja njëra pas tjetrës për shkak të asociacioneve të shumta
Gjatë bisedës ikje (shmangie) nga tema kryesore dhe marrje me tema dytësore pa u kthyer sërish te tema kryesore
Biseda e vazhdueshme pa pikë e pa presje (logorea) sa që tjetri e ka vështirë ta kuptojnë
Paranoja e madhështisë në formën e mendjemadhësisë (megalomanisë)
Rënie e vëmendjes në raport me ambientin për shkak të angazhimit intensiv me idetë vetjake
Rënie drastike e nevojës për të fjetur
Këshilla:
Të varurit nga depresioni duhet që me kohë ta kërkojnë shërimin e tyre nga personat profesionistë, te psikiatri dhe psikologu
Sipas rastit ata përveç psikoterapive duhet të marrin edhe antidepresivë
Çrregullimet e frikës
Aspekti i përgjithshëm:
Terminologjia - Fjala greke, “pfobos” do të thotë, frikë, trembje nga objektet e caktuara, p. sh: hidrofobia nënkupton frika nga uji, tanapfobia nënkupton frikën nga vdekja, klaustrofobia paraqet frikën nga ambientet e ngushta. Sipas objektit i cili shkakton frikë, fobitë janë të shumta
Çfarë është frika normale?
Jo çdo frikë paraqet çrregullim të frikës. Frika optimale paraqet një afekt emocional normal dhe të domosdoshëm, përkatësish një alarm të dobishëm në raport me kërcënimet dhe rreziqet reale që i kanosen njeriut.
Çfarë është frika patologjike ose frika e çrregulluar, e sëmurë?
Frika patologjike ose e sëmurë paraqet frikën e tepruar ose të pakësuar ndaj faktorëve kërcënues e rrezikues për shkak të çrregullimeve të frikës
Kur ndodh frika e çrregulluar?
Frika e çrregulluar/e sëmurë ose patologjike/ndodh sa herë që rrezikshmëria e një fenomeni real mbivlerësohet ose nënvlerësohet
Frika në formën e atakut panik ndodhë pa ndonjë rrezik real
Llojet e frikave
Llojet e frikave janë të shumta, por frikat kryesisht ndahen në:
- Në frika të përgjithshme ose jo specifike të cilat nuk kanë të bëjnë me frikat nga objekte dhe situata të veçanta e të caktuara
- Frika të veçanta ose specifike të cilat kanë të bëjnë me frikat nga objekte e situata të caktuara
Si shfaqet frika e çrregulluar
Kur frika i mbizotëron emocionet dhe sjelljet e të goditurve ajo paraqet çrregullim dhe diagnozë në vetvete, kurse kur ajo paraqitët në kuadër të çrregullimeve të tjera psikike, paraqet vetëm një simptomë të çrregullimeve të tilla
Ka pak çrregullime psikike që nuk e kanë simptomën e frikës
Aspekti specifik:
Duke pasur parasysh se të varurit nga frika të cilët vuajnë njëkohësisht edhe nga çrregullimet psikike, sipas rastit mund të bëjnë veprime kërcënuese dhe të rrezikshme ndaj të tjerëve dhe sipas rastit edhe ndaj vetes. Tek anëtarët e familjes dhe te të tjerët me të cilët jetojnë, ekziston frika se çfarë veprimi të papritur mund të ndërmarrin të varurit nga frika me çrregullime psikike në secilin moment të ardhshëm. Frika e tillë është e përgjithshme dhe jo specifike sepse nuk është fobi nga ndonjë objekt i caktuar. Me kalimin e kohës dhe sipas rastit te të varurit nga frika mund të paraqitën edhe fobi specifike që kanë të bëjnë me objekte të caktuara.