Deklarata e shpallur ne Elbasan ne 25 nentor 1912

Deklarata e shpallur ne Elbasan, ne 25 nentor 1912
Deri vonë, studimet për këtë ngjarje të rëndësishme i referoheshin shtypit të kohës dhe arkivit të atdhetarit të njohur Lef Nosi, të cilat saktësojnë vetëm datën e mbledhjes dhe emrat e nënshkruesve të deklaratës, pa përmendur asgjë rreth përmbajtjes së dokumentit të shpallur publikisht. Falë përkujdesjes së prefekturës së Elbasanit, më në fund, arkivave shqiptare u shtohet dhe një dokument i rëndësishëm.

Mbledhja historike

Më 25 nëntor 1912, qyteti i Elbasanit përjetoi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së tij. Sipas traditës së zonës, në sheshin përpara ndërtesave qeveritare të kohës, u mblodhën qindra e mijëra qytetarë, pleq e të rinj, burra e gra, muhamedanë e të krishterë, priftërinj e hoxhallarë, të pasur e të vobektë, me shkollë e pa shkollë, për të marrë pjesë në aktin e vetëqeverimit të vendit. Dhe këtë e bënë me guxim, pa u trembur nga pushtuesi turk, madje, e sfiduan atë hapur duke i dalë ballë për ballë. Nuk patën as nga një pushtues i dytë që kishte filluar të shfaqej, bile më i rrezikshëm se i pari, duke u afruar nga Lindja i armatosur deri në dhëmbë, jo vetëm me armë, por edhe me djallëzinë për të gllabëruar sa më shumë që të ishte e mundur nga trualli arbëror. Të gjithë brohoritën me forcë, duke lëshuar kështu vezullimet e para të pavarësisë shqiptare. Njëzëri miratuan deklaratën e kumtuar nga një grup atdhetarësh për vetëqeverimin e Shqipërisë, duke paraqitur botërisht e publikisht para dy pushtuesve aspiratën e tyre për liri me fjalët e thjeshta e kuptimplota.

Deklarata

Dokumenti i zbuluar së fundi në arkivat e ushtrisë jugosllave përmban tekstin origjinal të deklaratës së mbajtur në tubimin e 25 nëntorit 1912, në Elbasan. Ja çfarë shkruhet në të: Vjeshtë e tretë 1912/shpallje për vetëqeverimin e Shqipërisë
Ne, populli i Elbasanit, pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda , por nga dëshira jonë e lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipërisë po ia bëjmë  të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot e shpallim veten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria turke, duke u rreshtuar si një komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot , mbrojtësit të të gjitha kombeve dhe me mbrojtjen e qeverive të Europës shpall se do të qeverisë me nder, drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huaj në këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe ne kemi ndërmend të rrojmë vëllezërisht edhe  me shtetet  fqinj,  pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke iu lutur të na ndihmojnë në qeverisjen tonë, sikurse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë turke.
Rroftë Shqipëria e lirë!
Kështu e bëftë Zoti!
Ne, përfaqësuesit e Elbasanit, vërtetojmë të sipërmen, duke vendosur nënshkrimin tonë. (Vazhdojnë 35 firma)

Karta e lirisë së Elbasanit

Duke e lexuar sot me shumë kujdes e vëmendje, mund të nxirren mjaft përfundime, sidomos mbi shkallën e nivelit politik të mendimit elbasanas, sikurse edhe për aspekte të tjera të këtij niveli. Me një vështrim të shpejtë del se dokumenti nuk është thjesht një paraqitje para pushtuesve e së drejtës legjitime që ky komb të kishte një shtet të tijin, ku të jetonte i lirë si të gjithë popujt e tjerë. Dokumenti thjesht e kuptueshëm vë në dukje edhe faktin se kjo dëshirë ishte kthyer tashmë në një realitet, të cilin duhet ta njihte çdo fuqi e huaj, rrjedhimisht edhe ata që po afroheshin. Veç kësaj, dokumenti vë në dukje se kjo deklaratë vërtet shpallej në Elbasan, në një nga qytetet kryesorë të truallit shqiptar, por sakaq shprehte lirshëm vullnetin dhe dëshirën e të gjitha qyteteve shqiptare.

Qysh në fillim, dokumenti thekson se shteti i ri që po lindte nuk ishte pjellë e ndonjë synimi dashakeq të ndonjë force të huaj, në dëm të ndonjë force tjetër e që për rrjedhojë mund të prishte ekuilibrat e brishtë aktualë të shteteve evropiane, që kishin nisur të përplaseshin midis tyre në një konflikt evropian. Përkundrazi, ajo ishte një dëshirë e jona, që shpallej botërisht nga të gjitha qytetet me “gojën” e Elbasanit. Më poshtë dokumenti shpall shkëputjen nga sundimi turk dhe vë në dukje se kërkon ndihmën dhe bekimin e Zotit, që në këtë shtet kombi ynë të rrojë i lirë nën mbrojtjen e Evropës.

Mesazhet europiane

Mesazhet e deklaratës janë shumë domethënëse dhe të qarta. Kërkohet që edhe Europa, simbol i lirisë e i drejtësisë, të na përkrahë, sepse jemi pjesë përbërëse e saj. Shihni ç’kërkon qytetaria elbasanase: të jemi në Europë, t’i kemi sytë dhe mendjen tek ajo, të jemi pjesë e saj. Pra, gjyshërit tanë qenë vizionarë dhe kërkuan me ngulm atë që diktatura komuniste na e hoqi dhe sot po harxhojmë energji të mëdha për ta realizuar.

Por s’mjaftoi me kaq. Diplomacia e intelektualëve elbasanas të kohës, e drejtuar nga Aqif Pasha, Lef Nosi, Ahmet Dakli, Shefqet Vërlaci e të tjerë, nëpërmjet kësaj deklarate shpall botërisht se ky shtet ngrihet mbi themele moderne e demokratike. Ajo premton se në këtë shtet do të ketë LIRI për çdo banor të saj, pa as më të voglin dallim të çdo lloji, do të ketë BARAZI pa vënë re dasitë fetare, dogmatike e etnike. Para ligjit do të jenë të gjithë të barabartë, pra çdo minoritet do të gëzojë të drejtat e veta. Në këtë shtet do ketë  dhe VËLLAZËRIM  me vendet fqinje, të cilave jo vetëm s’do t’u bëjmë asnjë dëm, por u kërkojmë të punojmë së bashku vëllazërisht për të mposhtur çdo të keqe, ashtu siç vepruam në rrëzimin e obskurantizmit osman, i cili për shekuj na kishte marrë frymën të gjithëve.

Pra: LIRI, BARAZI, VËLLAZËRIM. Këto tri shtylla të mëdha të demokracisë evropiane, Elbasani po i vendoste në themelet e shtetit të ri, ku do të jetonte i gjithë kombi ynë dhe jo një pjesë e tij, siç ndodhi fatkeqësisht më vonë. Një vëmendje të veçantë meriton gjuha e përdorur në të. Mbizotëron gegërishtja e Elbasanit, por aty këtu has edhe elementë të toskërishtes. Paraqitja e tekstit nga ana letrare është modeste, sepse edhe niveli kulturor i masës ishte i tillë. Bie në sy fakti që shkruesi i tekstit, i cili ende është i panjohur në shkrim, përdor alfabetin latin të Manastirit, që kishte pak vjet i futur në përdorim. Masa e gjerë atë e kishte përvetësuar shumë shpejt. Por shkruesit i kishte shpëtuar një gabim. Duket që ai ka njohur dhe ndoshta ka përdorur edhe alfabetin e Stambollit, që Kongresi i Manastirit i 1908 e kishte lënë në përdorim. Kështu, me një fjalë ai tingullin “dh” e paraqet me shkronjën “ä”, që i takon alfabetit që përdorën vëllezërit Frashëri dhe biri i tyre, i pranishëm në trevën e Elbasanit në atë kohë dhe përfaqësues i tij në Vlorë, ku u ngrit Flamuri , Mit’hat Frashëri.

Si përfundim, mund të themi që kjo deklaratë është mishërim i mendimit kulturor e politik të trevës elbasanase e më gjerë. Për idetë shtetformuese që jep është një manifest politik, prandaj meriton të quhet Karta e lirisë së Elbasanit. Ajo është një miniaturë shqiptare e fundshekullit XIX e Kartës së Atlantikut të vitit 1941, e hartuar nga emrat e mëdhenj botërorë, Rusvelt e Çurçill. Kjo e fundit vendosi bazat e paqes që sundon sot në Evropë e më gjerë. Më 1912, Elbasani u tregua vizionar. Me vezullimet që ai lëshoi, rriti mundësinë që mbas 3 ditësh ato të ktheheshin në një shpërthim të shkëlqyeshëm në Vlorën Kuq e Zi të Ismail Qemalit.

lista e nenshkruesve

Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, zavendës mitropolit Papa Dhimitër Dhimitruka(klerikë).

Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, Abdulla Bej Tirana, Fuad Bej Kareman Beu(bBiçaku), Servet Bej Zylfi, Ismail Bej Xheladin Beu, Ali Agjah Bej, Maliq Bej Riza Beu, Demir Bej Sulçe Beu, Refik Myftiu, Mahmut Guma, Xhaferr Pasmaqi, Hysein Sulova, Ruzhdi Alush Saraçi, Beniamin Deliana, Beniamin Nosi, Taq Buda, Kolë Papajani, Lazër Papajani, Serafin Jorgaqi, Haxhi Nikollë Jorgaqi, Mihal Prifti, Dhimitër Paparisto, Emin Haxhiadem Shijaku, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Hysein Dakli, Jusuf Bej Taushani, Hasan çifte, Ymer Peni, Hysein Hastopalli, Demir Zenelhoxha (parija e qytetit)

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama